Partitë politike edhe në ditën e gjashtë të fushatës zgjedhore kanë bërë premtime të ndryshme.
Më së shumti janë bërë premtime për bujqësinë, konkretisht mbështetje të fermerëve.
Kandidati i PDK-së për kryeministër, Kadri Veseli, gjatë një vizite bërë në një fermë të deleve ka premtuar se të gjithë prodhuesve do ua subvencionojnë deri në 80 për qind edhe interesin e kredive që i marrin për prodhim apo eksportim të produkteve “Made in Kosova”.
“Një vizitë të shkurtër sot kisha në fermën e deleve ‘Nisi’, pronë e Ibrahimit dhe Anitës, që me këtë punë mbajnë familjen e tyre. Duke ditur rëndësinë e madhe që kanë veprimtaritë biznesore blegtorale dhe bujqësore, si Kryeministër do ta zgjeroj dhe rris përkrahjen për të gjithë ata që kanë ferma në vendin tonë. Të gjithë prodhuesve do ua subvencionojmë deri në 80 për qind edhe interesin e kredive që i marrin për prodhim apo eksportim të produkteve ‘Made in Kosova’. Dhe, po ashtu, me investime kapitale, ne do t’i asfaltojmë edhe 500 kilometra rrugë, duke lidhur duke lidhur kështu zonat e thella rurale me qendrat urbane për plasim më të lehtë të produkteve në tregje”, ka thënë ai, shkruan Reporteri.net.
Veseli poashtu ka premtuar se do ta thjeshtësoj maksimalisht procesin e marrjes së lejeve ndërtimore, duke centralizuar sistemin e lejeve elektronike dhe eliminuar tërësisht burokracitë e shumta me të cilat përballen sot ndërtuesit.
“Duke legalizuar 352 mijë ndërtime pa leje, ne jo vetëm që do t’i zhbllokojmë 10 miliardë euro kapital, por njëherë e përgjithmonë do ta formalizojmë edhe tregun e patundshmërisë”, ka thënë aid je pas vizitës që bëri në kompaninë prodhuese të materialit ndërtimor “Maksiti Putz”.
Subvencionim të fermerëve ka premtuar edhe kandidati i NISMA-s Socialdemokrate për kryeministër, Fatmir Limaj.
Ai në Malishevë u premtoi fermerëve dhe bujqve të kësaj komune se në mandatin katërvjeçar do të ketë zhvillim të madh në bujqësi dhe se në katër vjetët e ardhshëm bujqësia do të jetë e para në rajonin e Kosovës.
Ndërsa kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, gjatë tubimit në Malishevë ka prmetuar mbrojtje dhe barazi sociale, asnjë familje pa kulm mbi kokë dhe asnjë shtëpi pa dikë të punësuar.
Kurti premtoi se në mandatin e tij katërvjeçar do të paguhen shtesat për fëmijë dhe do të hiqen tatimet për të ardhurat deri në 300 euro.
Po ashtu Kurti premtoi se nga granti i katërt për komunat, Malisheva do të ketë investime në infrastrukturë publike, për ujësjellës, ujëra të zeza dhe bujqësi.
“Malisheva do të përfitojë nga granti i katërt për komunat, në vlerë të gjithmbarshme prej 600 milionë euro për mandatin tonë të parë katërvjeçar për investime në infrastrukturë publike, që rregullojnë lumin Mirusha, rrugët dhe parqet, kanalizimin dhe ujësjellësin, trotuaret dhe ndriçimin. As nuk do të tolerojmë ujërat e zeza të bëhen ujëvarë, e as ujëvara e Mirushës të ketë ujëra të zeza. Erdhi dita për komunën e Malishevën e pastër, e pa ndotje”, tha Kurti.
Kandidatja e LDK-së, për kryeministre, Hikmete Bajrami, ka premtuar mbështetjen dhe zhvillimin e një familjeje të shëndoshë, të edukuar mirë, e cila e përballon jetën lehtë financiarisht.
“Familjeve të reja, të cilat për herë të parë blejnë banesë, do t’ua subvencionojmë normat e interesit, duke i zvogëluar deri në 1%, dhe do t’ua zgjerojmë pagesën e kredive mbi 30 vjet”, ka premtuar ajo.
Kurse kandidati për kryeministër nga koalicioni AAK-PSD, Ramush Hardainaj, ka prmetuar reforma në arsim por jo vetëm.
“Tri fokuse kemi, rritjen ekonomike së pari. E bazojmë në tri shtylla. E para ka të bëj me tatimin, e dyta logjistika dhe e treta është burokracia. Shumë letra, shumë certifikata, ato po shkakojnë korrupsion. Arsimin duhet me bë dual, me u shërby me shembuj të shteteve perëndimore. Një delegacion nga Bavaria dhe shprehën interesin që të na ndihmojnë me arsimin dual”, ka thënë Haradinaj. /Reporteri.net/.