Kryeministri Avdullah Hoti nesër do të udhëton për vizitë në Bruksel. Kreu i qeverisë ditë më parë përmes një statusi në Facebook la të kuptohet se nuk do të takohet me të dërguarin Special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Hoti tha se do të takohet me kryetaren e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, Kryetarin e Këshillit Evropian, Charles Michel, Komisionerin për Zgjerim Oliver Varhelyi, dhe Kryetarin e Komisionit për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian dhe Nënkryetarin e EPP, David McAllister, me të cilët tha se do të bisedojë për hapat e ndërmarrë në luftën kundër COVID-19, për mbështetjen nga ana e KE për rimëkëmbjen ekonomike, si dhe për liberalizimin e vizave për shtetasit e Kosovës.
Lidhur me vizitën e nesërme të Hotit në Berlin sot është deklaruar edhe presidenti Hashim Thaçi, i cili në një intervistë për Kosovapress ka thënë se pavarësisht vizitës, nuk do të ketë faktorë që mund të ndryshojë agjendën e Uashingtonit.
Ai ka bërë të ditur se në javën e tretë të korrikut, dialogu mund të vazhdohet në Samitin e Parisit, shkruan Reporteri.net.
“Vlerësoj që këto takime do të jenë frytdhënëse për vendin dhe njohëse për kryeministrin me autoritetet e reja në Bruksel. Çdo vizitë e çdo lideri institucional, apo partiak kudo qoftë në Bruksel apo Uashington janë të mirëseardhura për vendin tonë. Në asnjë rrethanë nuk ka faktorë që mund të ndryshojë agjendën e Uashingtonit, për arsye se është një fokus i qartë i ambasadorit Grenell dhe palët veçse janë pajtuar që e tëra të ndodh në Uashington në këtë periudhë kohore me mundësi pastaj që të vazhdohet në Samitin e Parisit për të vazhduar tutje në Bruksel”, thotë ai.
Thaçi më tej ka pohuar se Kushtetuta e vendit e përcakton qartë hierarkinë dhe përgjegjësitë institucionale se kush do të jetë në krye të dialogun me Serbinë.
“Kosova do të jetë e përfaqësuar prej presidentit dhe kryeministrit dhe përgjegjësitë institucionale janë më se të qarta”, u shpreh ai.
Të shtunën e 27 qershorit delegacioni kosovar i përbërë nga presidenti, Hashim Thaçi dhe kryeministri, Avdullah Hoti do të takohen për herë të parë në Uashington me palën serbe. Derisa i pari i vendit, në muajin dhjetor, i vetëm kishte zhvilluar një takim me presidentin Vuçiq, por pa arritjen e një marrëveshjeje finale. /Reporteri.net/.