×
  • Lajme
  • Pa kategori

    Vjosa Osmani: Beteja jonë është mes dorëzimit përfundimtar dhe shpëtimit përfundimtar

    Reporteri
    04 Tetor 2019 | 23:07

    Kur kanë mbetur vetëm edhe një orë që të përfundojë fushata elektorale, kandidatja për kryeministre e LDK-së Vjosa Osmani i është drejtuar qytetarëve të Kosovës.


    Ajo ka thënë se “beteja jonë e sotme është mes dorëzimit përfundimtar dhe shpëtimit përfundimtar; mes vazhdimit të stërkeqjes dhe kthimit kah e drejta; mes ikjes dhe qëndrimit”.

    Osmani ka kërkuar nga qytetarët që të dalin dhe të votojnë më 6 tetor.

    “Votoni që t’i jepni zë shpresës suaj dhe jo që zëri juaj të shuhet për katër vjetët e ardhshme. Votoni për fëmijët tuaj! Votoni për fëmijët tanë!”.

    Madje, kandidatja e LDK-së për kryeministre i është drejtuar edhe atyre që për herë të parë votojnë.

    Vjosa Osmani, e bindur se LDK-ja do të dalë fituese, ka paralajmëruar festë të madhe më 6 tetor.

    Postimi i plotë i Vjosa Osmanit:

    Të nderuar qytetarë të vendit tim,

    Po ju shkruaj me zemrën plot dhe me besimin e madh që kam marrë këto ditë e përherë nga ju, me bindjen e thellë se tashmë i jemi vënë rrugës së ndryshimit dhe kemi marrë kthesën e madhe të rimëkëmbjes së Republikës sonë.

    Beteja jonë e sotme është mes dorëzimit përfundimtar dhe shpëtimit përfundimtar; mes vazhdimit të stërkeqjes dhe kthimit kah e drejta; mes ikjes dhe qëndrimit.

    Ne jemi para këtij vendimi historik: të votojmë që frika të vazhdojë të mbretërojë mbi ne, apo të votojmë që ta mundim frikën.

    Qytetarë të respektuar,

    Votoni për shpresën dhe jo për frikën. Votoni sepse vota juaj është veprimi më fisnik që ju sot mund ta bëni për vendin tonë.

    Votoni që t’i jepni zë shpresës suaj dhe jo që zëri juaj të shuhet për katër vjetët e ardhshme. Votoni për fëmijët tuaj! Votoni për fëmijët tanë!

    Ju, të dashur të rinj, që votoni për herë të parë, besoni në LDK. Jepini shpresë vendit dhe ndriçojeni rrugën tuaj për të ardhmen.

    Le t’i japim, pra, shpresë Kosovës! T’ia kthejmë dinjitetin secilit qytetar!

    T’i japim vulë fitores sonë, në emër të baballarëve dhe nënave tona, në emër të rinisë sonë të shkëlqyeshme, në emrin e fëmijëve tanë!

    Ne Besojmë! Prandaj ne do ta kthejmë të dielën e 6 tetorit në festë madhështore për mbarë Kosovën!

    Zoti ju bekoftë të gjithëve! Zoti e bekoftë Republikën e Kosovës dhe miqtë tanë shpëtimtarë!

    E juaja përherë,

    Vjosa

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!