×
  • Lajme
  • Lajme / Distancim

    Raportimi i televizionit publik të Kosovës që sulmoi dy media, shkakton furtunë reagimesh

    Reporteri
    23 Korrik 2024 | 19:58

    Më 22 korrik, Radio televizioni i Kosovës citoi një gazetë boshnjake “Slobodna Bosna”, ku përmendi dy media në Kosovë, “Nacionale” dhe “Periskopi”, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    Në edicionin qendror të lajmeve përmes një kronike, e po ashtu edhe një shkrimi të botuar në portalin e tyre, sulmuan dy media në Kosovë, “Periskopi” dhe “Nacionale”, ku pretendohej se ato financohen dhe kontrollohen nga Serbia.

    Ky raport nxiti furtunë reagimesh në Kosovë, përfshirë gazetarë të vet televizionit publik, juristë e politikanë, shkruan Reporteri.net.

    Bordi i Radio Televizionit të Kosovës ka shprehur keqardhje për publikimin e artikullit në faqen online të RTK’së, të përkthyer nga gazeta boshnjake “Slobodna Bosnja”, ku sulmohen dy mediume në vend.

    Ushtruesja e detyrës së Drejtorëshës së RTK’së, Zana Spahiu, thuhet se ka informuar bordin që do të formojë një komision profesional “për ta sqaruar situatën në detaje dhe për ta ndriçuar përgjegjësinë editoriale për këtë lëshim dhe do të merr masa rigoroze konform ligjit dhe akteve të brendshme të RTK-së”, shkruan Reporteri.net.

    Artikullin që u publikua, Bordi e ka qaujtur “kontraverz”.

    Bordi i RTK-së për dezinformatën ndaj portaleve: Artikull kontraverz, do të merren masa rigoroze pas sqarimit të situatës

    Redaktorja e lajmeve qendrore të RTK-së, Blerta Foniqi-Kabashi është njëra nga punonjësit e mediumit publik që është distancuar nga sulmi i RTK-së ndaj portalit të Periskopit dhe Nacionales.

    RTK-ja ka cituar të hënën një shkrim nga një medium i Bosnjës në të cilin thuhej se dy portalet nga Kosova financohen dhe kontrollohen nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

    Redaktorja distancohet nga sulmi i RTK-së ndaj dy mediave të Kosovës

    Juristja e mediave, Flutura Kusari ka reaguar ka thënë se dëmi që i është bërë kredibilitetit të RTK-së është vështirë i rikuperueshëm, deri sa ka kërkuar nga të gjithë personat përgjegjës shkarkim të menjëhershëm.

    “Demi qe i eshte bere kredibilitetit te RTK-se eshte veshtire i rikuperueshem. Vetem shkarkimet sot – asnje dite me vone – te te gjithe personave pergjegjes do te ndihmonin sado pak. Ju lumte gazetareve qe po distancohen nga politika redaktoriale e RTK-se, politike kjo qe e ka leju propaganden e VV-se me e helmu publikun me informacione te kontaminuara”, ka shkruar Kusari.

    Juristja e mediave për RTK-në: Vetëm shkarkimet sot të të gjithë personave përgjegjës do të ndihmonin sado pak

    Redaktori i Radio Televizionit të Kosovës (RTK), Enver Bajrami është distancuar dhe ka thënë se kundërshton çdo gjë joprofesionale.

    “Sikurse kam qenë pjesë e protestave të vitit 2015 për një RTK të publikut, vazhdoj edhe sot të kundërshtoj çdo gjë joprofesionale.

    Redaktori i RTK-së distancohet nga sulmi i televizionit publik ndaj mediave: Kundërshtoj çdo gjë joprofesionale

    Redaktori i magazinës së mbrëmjes “Lajmet e fundit” në RTK, Arton Mulliqi është distancuar nga kronika e RTK-së në edicionin qendror të lajmeve ndaj me anë të të cilës u sulmuan mediat “Periskopi” dhe “Nacionale”.

    “Duke vleresuar se kronika qe ishte transmetuar ne Lajmet Qendrore te RTK-se, e pasuar edhe nga nje lajm tjeter qe atakonte disa media dhe kolege ne Kosove, nuk i permbushe standardet profesionale , ne cilesine e pergjegjesit per magazinen e mbremjes “Lajmet e Fundit”, bashke me koleget e redaksise se mbremjes kemi vendosur qe te njejten te mos e transmetojme. Kaq kam mundur te beje, kaq kam bere!”, ka shkruar Mulliqi.

    Gazetari Mulliqi distancohet nga sulmi i RTK-së ndaj dy mediave në Kosovë

    Gazetari Adriatik Kelmendi ka thënë se është krenar me kolegët gazetarë në Radio Televizionin e Kosovës, të cilët po distanciohen nga shkrimi dhe kronika e djeshme e televizionit, që sulmonte dy media në Kosovë, “Nacionale” dhe “Periskopi”, me pretendimin se kontrollohen dhe financiohen nga Serbia, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    Në një reagim në Facebook, Kelmendi ka thënë se krenohet që gazetarët po distancohen nga trysnia e parapolitikës për ta shndërruar mediumin në mjet të propagandës.

    Tutje ai ka thënë se me kolegë si ta, ka shpresë se gazetaria në Kosovë do të mbijetojë në këtë periudhë të zymtë.

    Adriatik Kelmendi: Krenar me kolegët e RTK-së që po distancohen nga trysnia e parapolitikës

    Gazetarja Trendelina Ramadani është distancuar nga raportimi i RTK-së ku sulmohet Nacionale e Periskopi.

    Ajo është distancuar nga ky raportim duke thënë se është për “një gazetari pa nënshtrim e presion ndaj askujt dhe nga askush”.

    Gazetarja e RTK-së: Kam qenë e do të jem për një gazetari pa nënshtrim e presion ndaj askujt dhe nga askush

    Edhe gazetarja e RTK-së, Valmira Saraçi Sahatçiu është distancuar nga raportimi i djeshëm i televizionit publik të Kosovës, ku sulmohet gazeta Nacionale e Periskopi.

    Ajo ka thënë se në gazetari duhet të ketë parime.

    “#Distancohem, jo për t’u bërë një numër më shumë, por për gazetari me parime! #RTK” – ka shkruar ajo.

    Gazetarja e RTK-së: Distancohem, jo për t’u bërë një numër më shumë, por për gazetari me parime

    Gazetari Astrit Gashi, pronar i gazetës Blic, ka reaguar pas distancimeve masive të gazetarëve të televizionit publik të Kosovës, nga raportimi i RTK-së ku sulmohet Nacionale e Periskopi, përcjell Reporteri.net.

    Gashi, përmes një shkrimi në Facebook, shkroi se këto distancime po bëhen në liri, në një kohë kur në pushtet është një qeverisje kosovare.

    “Nëse e mbaj mend që nga vitet 1989/90, më nuk ka pas distancime kaq masive nga RTK, atehere RTP. Ne ate kohe gazetaret e stafi shqiptar nuk pranuan urdherat e Serbise prandaj edhe u larguan nga puna. Kete here se kemi Serbine, por e kemi shtetin tone andaj distancimi i sotem eshte i barasvlershem si veprim me largimin e atehershem!
    Ja ku arritem sot!”, shkroi Gashi në Facebook.

    Gashi: Distancime masive në RTK, në kohën e RTP-së nuk pranonin urdhrat e Serbisë e tash të shtetit tonë

    Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar pas sulmit të djeshëm të RTK-së ndaj dy mediave në Kosovë, duke e cilësuar se RTK i është dorëzuar tërësisht pushtetit.

    LDK: RTK është shndërruar në vegël të interesit ordiner të pushtetit

    Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka reaguar pas raportimit të Radio Televizionit të Kosovës i cili sulmoi Nacionalen dhe Periskopin.

    Hoti ka thënë se RTK është medium i Kosovës dhe ata të cilët po e keqpërdorin nuk i shërbejnë vendit.

    Ai ka thënë se disa herë e ka ngritur si çështje tendencën e partisë në pushtet për instrumentalizim të mediumit publik, duke shtuar se asgjë nuk mund të bëhet pa dijenin e kryeministrit, Albin Kurti.

    Hoti: RTK-ja është e Kosovës, ata që po e keqpërdorin këtë medium publik nuk i shërbejnë Kosovës

    Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Doarsa Kica-Xhelili, ka thënë se Radio Televizioni i Kosovës nuk bënte zë gjatë kohës kur mediumet sllovene raportonin për skandalin e ambasadorit Martin Berishaj, ndërsa tani me një lajm të pakonfirmuar servilosen ndaj pushtetit.

    Kica ka përmendur dy raste duke akuzuar RTK-në për servilosje ndaj pushteti.

    “Kur televizioni publik slloven e filloi emisionin me skandalet kriminale të Martin Berishajt, deputetët e Vetëvendosjes i mbyllnin sytë dhe ja fshihnin veprat penale në Kosovë. RTK, natyrisht, zgjodhi të mos bëzante aq se e hidhëronte shefin e madh”.

    Kica Xhelili për RTK-në: Servilitet i gërditshëm nga të paditur e të pafytyrë kronik

    Por ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, u është bashkuar sulmeve ndaj mediave, ku tha se “është e rëndësishme që të dijmë se kush nga portalet financohet nga Serbia”.

    Ajo tha se e ka njoftuar prokurorinë për lajmin që publikoi dje RTK nga një gazetë boshnjake “Slobodna Bosna”, ku përmenden dy mediat, “Nacionale” dhe “Periskopi”.

    Haxhiu bashkohet me RTK-në në sulmin ndaj mediave: E njoftova Prokurorinë për shkrimin, ta hetojnë dhe hulumtojnë

    “Ju e keni parë një lajm në RTK, ku në këtë rast është përmendur Nacionalja dhe Periskopi u publikua në RTK, unë i kam dhënë informacione edhe Prokurorisë në lidhje me këtë lajm”, tha Haxhiu para gazetarëve.
    Janë prodhues të mëdhenj manipulimesh…s’do të thoja që janë liderë në prodhim të dezinformimit, por ama liderë në publikim të tyre, po”.

    Kështu e përshkruan Darko Brkan, drejtues i platformës së kontrollimit të fakteve (fact-checker) në Bosnje-Hercegovinë, “Raskrinkavanje”, portalin boshnjak “Slobodna Bosna” që publikoi një artikull kontrovers me anë të të cilit u sulmuan dy media kosovare.

    “Slobodna Bosna”, dje, ndërtoi gjoja ‘hulumtim’ që e dha për lajm ekskluziv se kinse dy mediume në Kosovë – Periskopi dhe Nacionale – janë ofruar në shërbim të shtetit serb. Dezinformata u rishpërnda edhe në gjuhen shqipe, nga RTK-ja. Madje, u dha si kronikë në “Lajmet Qendrore”, shkruan gazeta online Reporteri.net.
    Por, siç raportohet sot, mediumi kontroverz “Slobodna Bosna” njihet për prodhim e lajmeve të rreme, manipulimin e fakteve dhe përhapjen e dezinformatave, sipas platformës “Raskrinkavanje” e cila bën verifikimin e fakteve dhe raportimeve në mediat në Bosnje dhe Hercegovinë – platformë kjo aprovuar nga kompania “Meta” si “fact-checker” për Facebook./Reporteri.net/.

    Kontrolluesi i certifikuar i fakteve flet rreth “Slobodna Bosna”: Prodhues të mëdhenj manipulimesh e dezinformatash me porosi

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!