×
  • Lajme
  • Lajme

    Sinani: Arifi, kryetari i parë në Preshevë që me kënaqësi i përgjigjet Serbisë e me neveri refuzon Kosovën

    Reporteri
    03 Maj 2022 | 10:51

    Autor: Fortuna Shkodra Haliti 


    Ish-kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani, ka vlerësuar se kryetari aktual Shqiprim Arifi, është protagonisti që shkarkoi atë nga posti i kryetares, më 11 prill 2022. Sinani, në një intervistë për Gazetën Online Reporteri.net, ka kritikuar qasjen e tij derisa e ka quajtur “puç”. Në Preshevë, thotë ajo, tashmë është bërë një kontrabandim mandati kuvendari. Sinani gjatë bisedës shton se uniteti lokal shqiptar karshi Beogradit ndër vite në Preshevë, u përça me hyrjen në skenën politike të Shqiprim Arifit.

    Ish-kryetarja e Preshevës foli edhe për takimin me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Ka mirëpritur thirrjet e tij për mos shkarkimin e saj, derisa ka shtuar se Shqiprim Arifi, në vazhdimësi i ka thënë dhe do t’i thotë JO Kosovës dhe Kurtit, për bashkëpunim. Këtu, ajo i ka bërë thirrje Prishtinës dhe Tiranës për këmbëngulje në ndihmë të shqiptarëve, teksa shton se këto vende “nuk duhet ta bëjnë me Luginën gabimin që e bëri Sarajeva me Sanxhakun”.

    Sinani, e ka përshkruar me pak fjalë edhe kryetarin Arifi, si një “kryetar i etabluar me puç, pa mbështetjen e popullit të tij. Një kryetar i vetmuar dhe i izoluar”.

    Thotë se Shqiprim Arifi është kryetari i parë në historinë e Preshevës që i përgjigjet me kënaqësi ftesave të Qeverisë së Serbisë përderisa refuzon me neveri ftesat e Qeverisë së Kosovës.

    Për më tepër, Sinani  thotë se Arifi, e ka mbështetjen e Beogradit në krye të Preshevës.

    “Pra, secilën herë që gishtat e pushtetit në Beograd kanë qenë përcaktues se kush do ta qeveris Komunën e Preshevës, është përzgjedhur Shqiprim Arifi”, thotë ajo.

    Më poshtë, mund ta lexoni të plotë intervistën me ish-kryetaren e Preshevës, Ardita Sinani

    Reporteri.net: Znj.Sinani, shkarkimi juaj së fundi ishte i shpejtë. Si ka qenë situata atje para se të merrej ky vendim?

    Sinani: Së pari është me rëndësi të kuptohet se qeverisja jonë ishte produkt i vullnetit të qytetarëve të shprehur në zgjedhjet e fundit lokale të vitit 2021. Në ato zgjedhje, shumica e zgjedhësve votuan që ish-partitë e opozitës (PDSH, PVD, LR dhe UDSH) të bëhen pushtet i ri dhe që ish-pushteti (APN dhe SNS/SPS) të bëhet opozitë e re.

    Së dyti, kjo qeverisje legjitime nuk kishte asnjë problem të brendshëm deri në ditën e shkarkimit tim. Madje edhe vetë ekzekutuesi i shpërbërjes së kësaj bashkëqeverisje, kryetari i Kuvendit Komunal, Sami Salihu, deklaroi publikisht ditën e shkarkimit tim, se nuk kishte asnjë vërejtje ndaj qeverisjes sonë në përgjithësi, e aq më pak ndaj meje personalisht si kryetar e Komunës.

    Sami Salihu është mbase rasti i vetëm i njohur në historinë e pluralizmit rajonal, ku dikush shpërbën qeverisjen e tij nga brenda duke u shprehur njëkohësisht i kënaqur me të. Edhe atë për ta zëvendësuar me një qeverisje ku ka më pak pushtet.

    E duke i pasur gjithashtu parasysh kundërshtimet e shumta të votuesve dhe bashkëpartiakëve të tij, e sidomos thirrjet e Prishtinës e Tiranës, deri në ftesën direkte të Kryeministrit të Republikës së Kosovës për të mos vepruar në drejtim të shkarkimit, logjikshëm parashtrohen pikëpyetjet për motivet e vërteta të Sami Salihut. Më lehtë e ka për t’u fshehur pas argumentit të mosunitetit për zgjedhjet parlamentare, ku ndryshe prej meje, ai ishte edhe protagonist.

    Rastet kur asamblistët ndryshojnë ekstremisht kurs dhe përkatësi parlamentare brenda mandatit qeverisës janë shpeshtuar në Preshevë sidomos nga viti 2016. Ligji aktual në Serbi, ku kryetari dhe ekzekutivi i Komunës zgjidhen nga asamblistët i ka dhënë atyre pushtet të rëndësishëm. Përvoja e deritanishme ka dëshmuar se jo rrallëherë joshen nga qarqet joformale politike dhe financiare.

    Reporteri.net: Pra, thoni se qëllimshëm u bë shkarkimi juaj nga politikanë tjerë:

    Sinani: Me rëndësi është të kujtojmë se në zgjedhjet e fundit që janë realizuar në territorin e Komunës së Preshevës, ato parlamentare, vetëm një javë para shkarkimit tim, dy protagonistët që më shkarkuan, Sami Salihu dhe Shqiprim Arifi, pësuan debakël zgjedhor. Humbën edhe në Komunën e Preshevës, madje bashkërisht si tri parti përballë partisë sonë që ishte e vetmja me shtrirje në këtë komunë.

    Pra, jo vetëm kemi të bëjmë më një rrëzim pushteti pa zgjedhje të reja, të një qeverisje të mandatuar nga qytetarët, por edhe nga ana e dy humbësve të zgjedhjeve.

    Kjo vështirë të quhet ndryshe përpos puç. Sot në Preshevë kemi realisht një pushtet lokal të etabluar nga lartë me tjetërsim të vullnetit të marrë nga poshtë. Edhe me kontrabandim mandati kuvendari. Prandaj edhe gjithë ky mllef ndaj tyre në mesin e qytetarëve. Prandaj edhe frikësohen nga zgjedhjet.

    Por, thelbi është se shkarkimi im duhet parë përtej çështjes së pushtetit lokal. Ai ishte pjesa e fundit e një strategjie më të gjerë.

    Qëllimi u qartësua në ecje e sipër. E shpalosën vet me veprimet e tyre. Pasi dështuan në zgjedhje parlamentare, çfarë bën Shqiprim Arifi dhe Sami Salihu? Mu vërsulën mua në Komunë si bashkëpartiake e Shaip Kamberit, duke e katapultuar Shqiprim Arifin si kryetar Komune.

    Pra me vërsuljen ndaj Komunës së Preshevës pasi dështuan në zgjedhje parlamentare,  Shqiprim Arifi dhe Sami Salihu vërtetuan se kishin bërë marrëveshje të fshehtë para vet fillimit të procesit të zgjedhjeve parlamentare. Njëri të bëhet deputet në vend të Shaip Kamberit dhe tjetri kryetar në vend timin.

    Por qëllimi nuk ishte vetëm zëvendësim figurash përfaqësuese, por eliminim politikash.

    Kjo u dëshmua në fazën e fundit kur nuk thirrën për ta votuar Shaip Kamberin, edhe kur ai mbeti i vetmi kandidat shqiptar që kishte shpresa për ta fituar mandatin e deputetit. Sepse duhet eliminuar këtë model politik. Qoftë edhe me çmimin që parlamenti i Serbisë të mbetej fare pa shqiptar. Pra, Shqiprim Arifi dhe Sami Salihu thanë realisht: Më mirë të flasin në Beograd deputetë anti-shqiptarë nga Serbia për Luginën dhe për shqiptarët, se një deputet shqiptar sipas modelit të Shaip Kamberit. Duhej eleminuar këtë model politik. Në parlament. Në Komunë. Kudo që është dhe kudo që mundej.

    Pra, qëllimi është të etablohet një politikë më e përshtatshme shqiptare në Luginë.

    Të eliminohet politika shqiptare në Luginë sipas modelit të Shaip Kamberit që u dëshmua shumicë absolute në Luginë me 10.000 vota dhe të vendoset një politikë shqiptare sipas modelit të Shqiprim Arifit që u dëshmua pakicë absolute me 3000 vota. Për ta kuptuar mjafton të krahasohen qëndrimet e Shaip Kamberit dhe Shqiprim Arifit karshi pushtetit në Beograd.

    Përderisa një shqiptari e tërë krenohej me qëndrimet dinjitoze gjithëpërfshirëse të Shaip Kamberit ndaj pushtetit të Serbisë në parlament, Shqiprim Arifi është i vetmi politikan shqiptar i Luginës së Preshevës që votoi për President të Serbisë, që kritikon ngritjen e temës së krimeve të luftës së Serbisë në Beograd, që thotë se Shqipëria dhe Kosova nuk duhen të merren me Luginën e Preshevës, që hesht kur Vulini institucionalizon gjuhën e urrejtjes ndaj shqiptarëve, apo që lavdërohet publikisht nga pushteti aktual në Beograd.

    Pra, kjo nuk ka shpjegim tjetër se po sforcohet një politikë shqiptare në Luginë që flet dhe vepron pa dinjitet si Shqiprim Arifi nga karrigia e dhuruar të kryetarit të Komunës, e po luftohet një politikë shqiptare në Luginë që flet dhe vepron me dinjitet si Shaip Kamberi midis parlamentit të Serbisë nga karrigia e fituar prej popullit të tij.

    Por, Shqiprim Arifi dhe Sami Salihu e harruan elementin popull dhe Shqipërinë e Kosovën. Se ky skenar do të dukej prej aeroplanit. E sot rezultati i tyre është se kanë mbetur pakicë ekstreme. Të izoluar dhe të padëshiruar gjithandej. Me makth të përditshëm ballafaqimin me popullin në kutitë e votimit.

    Sot, Shqiprim Arifi dhe Sami Salihu, të përkohshme kanë karriget. Të përhershëm kanë emrat në historinë e atyre shqiptarëve që morën pushtet në Serbi pa përkrahjen e shqiptarëve.

    Reporteri.net: Ju keni thënë se do ta përmirësoni “degradimin e politikës shqiptare në Luginën e Preshevës”. Na thoni pak më gjerësisht, kush e ka degraduar, dhe sa keni punuar në këtë aspekt?

    Sinani: Siç dihet, pas luftës së armatosur më vitin 2001, në Luginë të Preshevës filloi një proces i iniciuar dhe përkrahur nga bashkësia ndërkombëtare, sidomos Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që kishte kryesisht për orientim kryesor integrimin e shqiptarëve, avancimin e të drejtave të tyre kombëtare, si dhe zhvillimin socio-ekonomik.

    Pra, presioni ishte i drejtuar ndaj Beogradit, për t’i realizuar këto detyrime ndaj të cilave ishte zotuar në praninë e ndërmjetësuesve ndërkombëtar, edhe përmes miratimit të një Plani dhe Programi qeveritar enkas për Preshevën, Bujanocin dhe Medvegjën. Ky presion pati ndikuar që të firmosen në ndërkohë edhe dy marrëveshje të tjera.

    Ndonëse përgjatë viteve, Beogradi nuk realizonte detyrimet e tij dhe vazhdonte shtypjen e diskriminimin ndaj shqiptarëve, sa i përket nivelit lokal, politika shqiptare në Luginë qeveriste Preshevën, Bujanocin dhe ishte në bashkëqeverisje në Medvegjë, pa ndikim të drejtpërdrejtë përcaktues vendimmarës nga Beogradi.

    U bë edhe Këshilli Kombëtar Shqiptar. Dhe kishim deputetë në parlament.

    Natyrisht se ky përfaqësim nuk mjaftonte. Natyrisht se edhe politika lokale shqiptare dhe qeverisjet e tyre lokale kishin të metat e tyre. Se duhej më shumë cilësi dhe angazhim. Sado që nuk duhet harruar se institucionet që qeverisin shqiptarët nuk kanë kompetenca serioze ekzekutive dhe buxhet të mjaftueshëm. Se shqiptarët e Luginës mbeteshin të përjashtuar nga çdo institucion me pushtet real ekzekutiv dhe me buxhet. Se shqiptarët ishin dhe janë të përjashtuar nga drejtësia, ekonomia dhe siguria, si fusha kryesore për liri, zhvillim, mirëqenie dhe barazi.

    Pastaj thelbi i problemit: Kushtetuta aktuale, ligjet në fuqi të Republikës së Serbisë, modeli administrativo-territorial i brendshëm, si dhe klima e thellë antishqiptare dominuese në elitat e tanishme politike dhe publike në Beograd.

    Por, në vend se të kemi progres ndaj presionit ndaj Beogradit u stërkeq brenda shqiptarëve, sidomos nga viti 2017.

    Deri atëherë, sado që partitë tradicionale shqiptare kishin rivalitete të ashpra midis tyre, ato ishin të unifikuara ndaj Beogradit. Ky unitet shprehej edhe me kërkesa dhe forume të përbashkëta. Hartuan dhe miratuan disa platforma e deklarata të përbashkëta politike. Funksionalizuan Kuvendin e Asambleistëve Shqiptar të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, si organ i përbashkët diskutimi dhe hartimi të politikave konsensuale etj.

    Reporteri.net: Kush po e përçanë?

    Sinani: Ky unitet lokal shqiptar karshi Beogradit u përça me hyrjen në skenë politike të Shqiprim Arifit. Duke u thirrur në një politikë “krejt ndryshe”, ai u angazhua hapur dhe zëshëm për siç thotë ai “qasje konstruktive” ndaj Beogradit, duke akuzuar partitë e deriatëhershme për mungesë rezultatesh, për shkak të qasjes “jokonstruktive”. Një nga shembujt konkret është kritika e tij për politikën lokale shqiptare për bojkotin e regjistrimit të popullsisë, që kishte rezultuar pastaj me largimin e gjykatës nga Presheva. Ky regjistrim realisht zyrtarizonte zvogëlimin artificial të numrit të shqiptarëve në Luginë. Sot i njëjti Shqiprim Arif përpiqet ta paraqes si rezultat pozitiv ardhjen e gjykatësve nga një herë javë në Preshevë për të zhvilluar procese gjyqësore të shkallës së parë. Pra e paraqet si të arritur, e jo si diskriminim. E drejtë është kthimi i plotë i gjykatës, jo ardhja e gjykatësve nga një herë javë.

    Që nga 2017, nuk pati më kurrë platforma dhe deklarata të reja të përbashkëta nga spektri politik shqiptar i Luginës së Preshevës. Nuk u mblodh më kurrë Kuvendi i Asamblistëve Shqiptar të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës etj.

    Beteja kryesore politike u zhvendos në Kuvende Komunale midis vet shqiptarëve. Filloi përpjekja për ndryshimin e (dis)kursit politik duke ia ndryshuar rendin e gjërave të përgjegjësisë për gjendjen në Luginë. Përderisa partitë tradicionale shqiptare thonim se përgjegjësia renditej si në vijim: 1. Beogradi, 2. Politika shqiptare në Luginë dhe 3. Tirana e Prishtina; Shqiprim Arifi e rendit përgjegjësinë si në vijim: 1. Politika shqiptare në Luginë, 2.Tirana e Prishtina. Madje Beogradi fare, as në rend të tretë.

    Pra, ajo që ndodhi në praktikë është se në emër të ndryshimit të politikës tradicionale dhe të establishmentit lokal filloi realisht degradimi i orientimit, organizimit dhe përfaqësimit politik shqiptar.

    Megjithëse me kohën, Shqiprim Arifi e demantoi vet politikën e tij. Me gjithë partneritetin dhe konstruktivitetin e tij ndaj pushtetit në Beograd, për pesë vjet që qeverisi me Komunën e Preshevës, ai nuk zgjidhi asnjë problem jetik, qoftë në fushën e të drejtave, qoftë në zhvillimin socio-ekonomik. Shqiptarëve të Luginës ju cunguan edhe më shumë të drejtat (ishte ai në qeverisje lokale kur filloi realisht pasivizimi i vendbanimeve shqiptare nga ana e Beogradit) dhe ju thellua edhe më shumë papunësia e varfëria. Të vetmit që jetonin më mirë se më parë ishin Shqiprim Arifi dhe rrethi i tij i ngushtë i bashkëpunëtorëve.

    Pesë vjet më vonë, Lugina rrezikoi të mbetej fare pa deputet, për herë të parë prej kur se marrim pjesë në zgjedhje parlamentare.

    Në Medvegjë, të zgjedhurit lokal shqiptarë jo vetëm u përjashtuan nga qeverisja lokale, por edhe po përmbyllet pastrimi etnik i shqiptarëve, tash edhe me metoda administrative, përmes pasivizimit të vendbanimeve .

    Në Preshevë kemi ndikim direkt të partisë-shtet në qeverisjen lokale.

    Në Bujanoc kemi vazhdimisht përpjekje për ta përfshirë me çdo kusht partinë-shtet si përcaktuese të vendimmarrjes në qeverisjen lokale.

    Goditet vazhdimisht politika aktuale e Këshillit Kombëtar Shqiptar, që po bën luftë juriridike kundër institucionalizimit të gjuhës së urrejtjes ndaj shqiptarëve në Serbi, me nxitjen e Ministrit të policisë, z.Aleksandër Vulin.

    Pra, në vend të integrimit të shqiptarëve përtej institucioneve komunale dhe zbatimit të marrëveshjeve për Luginën e Preshevës, dinamika është e orientuar drejt eliminimit politik të deputetëve që mbrojnë interesat e vërteta të shqiptarëve, nënshtrimit të Këshillit Kombëtar Shqiptar dhe marrjen nën kontroll të qeverisjeve komunale të Luginës së Preshevës.

    Reporteri.net: Paraprakisht, patët edhe një vizitë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, i cili doli haptas kundër iniciativës për shkarkimin tuaj. Çfarë biseduat tjetër me të?

    Sinani: Që nga zgjedhja ime kryetare e Komunës së Preshevës, takimet me përfaqësues politik dhe qeveritar të Tiranës e Prishtinës kanë qenë të shpeshta. Thellimi i bashkëpunimit dhe i bashkërendimit të Preshevës me Prishtinën dhe Tiranën nuk është vetëm qëllimi im politik. Është para së gjithash bindja dhe besimi im politik.

    E drejta për bashkëpunim dhe bashkërendim me kryeqytetet e bashkëkombësve është vlerë demokratike, praktikë evropiane dhe nevojë kombëtare. Sidomos kur në anën tjetër e ke Serbinë e Vuçiqit, Daçiqit dhe Vulinit. Në Serbinë e sotme autoritare, nëse politika jote në Luginë të Preshevës nuk e ngarkon peshoren drejt Shqipërisë dhe Kosovës, ajo s’mund të përfundoj gjetiu përpos se te Vuçiqi, Daçiqi dhe Vulini.

    Prandaj, në mandatim tim më pak se njëvjeçar:

    –              Komunat e Prishtinë dhe Tiranës, si dhe Qeveria e Kosovës ndihmuan Preshevën për t’i sanuar dëmet e vërshimeve.

    –              Qeveria e Republikës së Kosovës buxhetoj për herë të parë Luginën e Preshevës, me një shumë prej 2 milion euro.

    –              Ministria e Kulturës e Qeverisë së Republikës së Kosovës financoi përgatitjen teknike të projektit të ringjalljes së Çarshisë në Preshevë.

    –              Ministria e Infrastrukturës së Republikës së Kosovës filloi përkrahjen e ndërtimit të Palestrës së Sportit në Preshevë dhe të një shkolle fillore në fshatin Rahovicë.

    –              Ministritë e Kulturës, Arsimit etj të Republikës së Shqipërisë u angazhuan në përkrahjen e projekteve të ndryshme në Preshevë.

    –              Komunat e ndryshme të Kosovës, Shqipërisë, por edhe ato shqiptare të Maqedonisë së Veriut filluan procedurat e binjakëzimit me Preshevën, si dhe përpilimin e projekteve për IPA Fondet.

    –              Në kuadër të Unionit të Bashkive dhe Komunave Shqiptare filluam projekte të ndryshme, që nga çështjet e barazisë gjinore e deri të ato të mjedisit, kulturës dhe arsimit.

    Prandaj, thirrjen për mos shkarkimin tim nga ana e Kryeministrit të Republikës së Kosovës duhet parë si pjesë të së përgjithshmes, para së gjithash si veprim kundër degradimit të politikës shqiptare në Luginë. Është angazhim, siç e ka shpjeguar vet z.Kurti, kundër përçarjeve dhe ndarjeve që po i bëjnë dëm mbrojtjes dhe avancimit të të drejtave të shqiptarëve. Është hera e parë që ka përfaqësues politik shqiptar nga Lugina e Preshevës që nuk i përgjigjen ftesave të institucioneve të Republikës së Kosovës, si Shqiprim Arifi në vazhdimësi, e së fundi edhe Sami Salihu. Pavarësisht emrave dhe mbiemrave që kanë drejtuar këto institucione, ne ju kemi përgjigjur vazhdimisht ftesave të Qeverisë së Kosovës. Realisht ju kemi përgjigjur Republikës së Kosovës. Shqiprim Arifi dhe Sami Salihu i kanë thënë JO Republikës së Kosovës, jo z.Albin Kurti.

    Reporteri.net: Edhe Kurti ka bërë thirrje të mos mbështeten tentimet për acarim mes shqiptarëve në Luginë. A mendoni se ka një zgjidhje në të ardhmen, dhe si?

    Sinani: Pluralizmi i politikës shqiptare në Luginë është vlerë demokratike që duhet ruajtur, pasuruar dhe zhvilluar. Mirëpo në gjendjen dhe vendin që jemi, e sidomos pushtetin qendror që kemi, ky pluralizëm duhet të ketë para së gjithash unitet karshi Beogradit. E për këtë nevojitet kontribut i Prishtinës dhe Tiranës zyrtare, se po shihet se aktualisht nuk kemi kapacitete për ta bërë vet në Luginën e Preshevës. Përndryshe rrezikohet ‘sanxhakizimi’ i Luginës, si në Novi Pazar, ku pushteti në Beograd ndikoi që të ndërtohen rryma të ndryshme antagoniste boshnjake me qasje të ndryshme karshi tij. Kjo skemë i shërben edhe sot vetëm interesave të pushtetit në Beograd. Nuk ka avancim të të drejtave të boshnjakëve dhe nuk ka zhvillim të Sanxhakut. Ka pasurim të politikanëve lokal boshnjak që mirëmbajnë këtë politikë. Pra, Prishtina dhe Tirana nuk duhet ta bëjnë me Luginën gabimin që e bëri Sarajeva me Sanxhakun.

    Është tepër e nevojshme që Prishtina dhe Tirana zyrtare, në bashkërendim me të zgjedhurit e Luginës, ta hartojnë një Plan e Program për Luginën e Preshevës, që do të shoqërohej me mekanizma të brendshme (ndër)qeveritare për zbatimin e tyre. Ky Plan dhe Program do të duhej t’i përfshinte edhe orientimet kryesore strategjike të politikës shqiptare në Luginën e Preshevës, që do të punonte ndërkombëtarisht dhe rajonalisht drejt përmirësimit të pozitës dhe jetës së shqiptarëve të Luginës së Preshevës.  Qeveria e Serbisë e ka nga viti 2001 një Plan dhe Program dhe një mekanizëm të veçantë qeveritar për Luginën e Preshevës. Madje e ka edhe për Kosovën (serbët). Nuk ka kuptim të mos ta kenë ende Shqipëria dhe Kosova më vitin 2022.

    Të gjitha shtetet me vlera dhe kapacitete demokratike veprojnë kësisoj në raport me pakicat e tyre jashtë kufijve të tyre administrativ. Sikur t’i kishim pasur funksionale këto në Prishtinë dhe Tiranë, mbase edhe do ta kishim pasur listën e përbashkët për zgjedhjet parlamentare të këtij viti, por edhe nuk do të ndodhnin disa zhvillime regresive aktuale në Luginën e Preshevës. Për shembull, edhe pasivizimin e vendbanimeve të shqiptarëve në Serbi do ta trajtonim si çështje gjithëkombëtare, që premton më shumë efikasitet dhe sukses në reagim dhe ballafaqim.

    Reporteri.net: Shqiptarët në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, shpesh shprehin shqetësime lidhur me mosrespektimin e të drejtave të tyre. Sa është punuar në këtë drejtim nga gjithë drejtuesit?

    Sinani: Që nga fillim vitet e ’90, politika lokale shqiptare në Luginën e Preshevës ka bërë përpjekje të vazhdueshme për t’i avancuar të drejtat e shqiptarëve. Natyrisht se ka pasur lëshimet e veta. Se edhe ajo meriton kritikë. Por ka pasur edhe rezultate, sado që të pamjaftueshme.

    Por, në Serbinë e tillë si është, sidomos nga vitet ’90, ta identifikosh politikën lokale shqiptare si përgjegjësen kryesore për gjendjen e tanishme të shqiptarëve në Luginën e Preshevës është në rastin më të mirë naivitet.

    Politika shqiptare e Luginës së Preshevës ka limitet e veta. Sigurisht se ajo duhet të bëhet më aktive dhe më e mirë, si për nga përmbajtja, ashtu për nga organizimi. Por ne jemi jo vetëm 1% për nga numri i banorëve të vendit, por edhe të zhveshur nga çdo lloj pushteti real. Pastaj jemi në një shtet thellësisht autoritar e serbomadh si aparat shtetëror dhe me klimë të thellë nacionalshoveniste ndaj shqiptarëve si brenda elitave, ashtu edhe në një pjesë të konsiderueshme të shoqërisë. Natyrisht se kjo nuk duhet të na zhyt në viktimizime që na bëjnë pasiv, apo që i arsyetojnë abuzimet dhe politikat e këqija lokale. Por as të na sjell në situatë që mos ta shohim shtetin si përgjegjës kryesor, e Beogradin si adresë të shtypjes dhe diskriminimit. E ka kohë që po përpiqet të përmbytet kjo paradigmë. Që po synohet që përgjegjësia kryesore për gjendjen e tanishme të shqiptarëve në Luginë të Preshevës të ngarkohet ndaj politikës lokale shqiptare dhe të qeverisjes që tyre në institucione pa kompetenca të rëndësishme ekzekutive dhe pa buxhete të mjaftueshme.

    Reporteri.net: Si e shihni tash z.Shqiprim Arifi në postin e kryetarit?

    Sinani: Kryetar i etabluar me puç, pa mbështetjen e popullit të tij. Një kryetar i vetmuar dhe i izoluar. Shqiprim Arifi është kryetari i parë në historinë e Preshevës që i përgjigjet me kënaqësi ftesave të Qeverisë së Serbisë përderisa refuzon me neveri ftesat e Qeverisë së Kosovës.

    Reporteri.net: Së fundi, kryetari Arifi, në një intervistë për Gazetën Online Reporteri.net, ju ka akuzuar për, siç tha ai, “prodhim skandalesh”. A keni ndonjë mesazh për t’ia përcjellë?

    Sinani: Besoj se mjafton me i shikuar paraqitjet e tij publike dhe mediatike për t’i dhënë realisht kuptim fjalës skandal, të cilën me sa duket edhe nuk e kupton. Pa e analizuar fare qeverisjen e tij nepotiste, klientaliste dhe korruptive, që për imazh kryesor ka arrestimin me pranga të bashkëpunëtorëve të tij në administratë komunale, nga ana e njësiteve të agjencisë për luftë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

    Reporteri.net: Mbështetjen e kujt mendoni se e ka z.Arifi në pushtet?

    Sinani: Mbase këto fakte që e kanë mbajtur vazhdimisht në pushtet lokal mjaftojnë si përgjigje:

    –              Shqiprim Arifi është emëruar drejtues i organit të përkohshëm lokal nga Ministria në Beograd edhe pse ishte i dyti me mandate asambleistësh (me 11 mandate). Sipas ligjit në fuqi, kjo i takon partisë që ka më shumë mandate në Asamble Komunale sipas certifikimit, e që ishte Partia Demokratike Shqiptare me 14 mandate.

    –              Në Organin e Përkohshëm Komunal me 5 anëtarë, partitë e pushtetit në Beograd me 1 mandat të tyre ia bënin shumicën përcaktuese vendimmarrëse Shqiprim Arifit (me 2 mandate) kundrejt dy partive të tjera shqiptare (me 2 mandate).

    –              Gjatë katër viteve të qeverisjes së tij lokale, partitë në pushtet në Beograd me 2 asamblistë ia siguronin shumicën parlamentare për të mos rënë nga pushteti.

    Pra, secilën herë që gishtat e pushtetit në Beograd kanë qenë përcaktues se kush do ta qeveris Komunën e Preshevës, është përzgjedhur Shqiprim Arifi kundrejt politikanëve të tjerë lokal. Madje edhe duke mos e respektuar ligjin.

    Reporteri.net: A e shihni shkarkimin tuaj si hakmarrje?

    Sinani: Shkarkimi im është pjesë e strategjisë së përgjithshme për ta krijuar artificialisht një politikë shqiptare më të nënshtrueshme dhe më të përshtatshme në Luginën e Preshevës.

    Reporteri.net: Keni kërkuar sërish zgjedhje të reja. A mendoni se mund të mbahen ato?

    Sinani: Ky pushtet i ri në Preshevë është pushtet i grabitur përmes nëntokës. Është rikthim në destabilitetit. Siç e kanë rrëzuar ish-pushtetin tinëza, ashtu tinëza po përpiqen me ndërtuar pushtetin e ri. Kjo po reflektohet që në ditët e para të qeverisjes së tyre, ku nuk ka asgjë transparente. Nuk kanë as marrëveshje për bashkëqeverisje. Nuk po munden të ftojnë seancë të re të Kuvendit Komunal. Nuk po mund të pajtohen as për emërimet e zyrtarëve të dikastereve qeveritare. E mos të flasim për ndonjë program të përbashkët qeverisës. Zgjedhjet e reja janë realisht mundësia e vetme për të sjellë stabilitet e zhvillim, si dhe për ta ndërtuar një qeverisje legjitime nga vota e popullit. Shqiprim Arifi dhe Sami Salihu kanë frikë nga zgjedhjet e reja sepse janë të vetëdijshëm se do të rivërtetohet se janë sot dy individ pa përkrahje popullore. Zgjedhjet e reja do të mbahen më shpejtë se që e kanë kalkuluar kur e kanë bërë pazarin e tyre larg syve të qytetarëve për ta marrë pushtetin pa proces zgjedhor./Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!