NATO ka dënuar sulmin me shok-bombë ndaj patrullës së EULEX-it në veri të Kosovës.
Zëdhënësja e NATO-s, Oana Lungescu, ka thënë se çdo sulm i tillë është i papranueshëm dhe se kryerësit e këtij sulmi duhet të mbajnë përgjegjësi.
“Ne bashkohemi me Aleatët e NATO-s dhe BE-së për të dënuar fuqishëm sulmin me granatë trullosëse ndaj një patrullë të EULEX-it mbrëmë. Çdo sulm i tillë është i papranueshëm dhe përgjegjësit duhet të mbajnë përgjegjësi”, ka shkruar Lungescu.
Tutje ajo ka shkruar se misioni i KFOR-i mbetet vigjilent ndaj tensioneve.
“Misioni i KFOR-it mbetet jashtëzakonisht vigjilent dhe plotësisht i aftë për ta kryer atë në bazë të mandatit të OKB në Kosovë. U bëjmë thirrje të gjitha palëve që të shmangin veprimet dhe retorikën provokuese dhe të kontribuojnë për qetësinë dhe stabilitetin”, ka shkruar Lungescu.
We join #NATO Allies & the #EU in strongly condemning the stun grenade attack on a @EULEXKosovo reconnaissance patrol last night. Any such attacks are unacceptable & those responsible must be held to account.
— Oana Lungescu (@NATOpress) December 11, 2022
EULEX ka njoftuar se në afërsi të Rudares, mbrëmë është hedhur një shok-bombë në drejtim të një patrulle vëzhguese të tyre.
Përmes një komunikate për media, EULEX njofton se nuk ka pasur lëndime apo dëme materiale nga ky sulm, transmeton Reporteri.net.
“Konfirmojmë se një bombë çorientuese (shok-bombë) është hedhur ndaj një patrulle vëzhguese të EULEX-it mbrëmjen e kaluar (10.12) në afërsi të Rudares. Asnjë zyrtar i Njësisë Policore të Specializuar të EULEX-it nuk është lënduar dhe nuk janë shkaktuar dëme materiale”, bëhet e ditur në komunikatë.
Pas 6 ditësh me shpërthime e maska në Veri, reagon Borrell: BE nuk toleron sulmet ndaj EULEX’it