×
  • Lajme
  • Zgjedhjet Lokale 2021

    Ferit Idrizi i PDK-së: Unë do të jem kryetar i ri i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri e di këtë

    Reporteri
    30 Tetor 2021 | 15:38

    Kandidati i PDK-së për kryetar të Vushtrrisë, Ferit Idrizi, më 17 tetor doli i pari, por nuk arriti votat e mjaftueshme për të fituar pa balotazh. Në raundin e dytë që do të mbahet më 14 nëntor do të përballet me kandidatin e LDK-së, Xhafer Tahiri, kryetar aktual i kësaj komune.

    Gazeta Online “Reporteri.net”, ka zhvilluar një intervistë me Ferit Idrizin e PDK-së, i cili shprehet i bindur se do të jetë kryetar i ri i Vushtrrisë.

    Ai poashtu tregon për koalicionet e mundshme parazgjedhore që mund të ndërtojë, për projektet që synon t’i realizoj nëse zgjedhjet i pari i kësaj komune, ndërsa i kundërpërgjigjet edhe kundërkandidatin të tij nga LDK i cili ka thënë se PDK po bën fushatë me lajme të rrejshme dhe po i kërcënohet familja.

    Më poshtë mund ta lexoni intervistën e plotë me kandidatin e PDK-së për kryetar të Vushtrrisë, Ferit Idrizi dhënë për Reporteri.net: 

    REPORTERI.net: Keni dalë i pari në zgjedhjet e 17 tetorit. E keni pritur këtë rezultat apo jo?

    Me kryetarin në ikje jam ballafaquar dy herë në zgjedhje në vitin 2017 dhe tash dhe në të dyja rastet kam dalë fitues. Rezultati i 17 tetorit është zbehur paksa për shkak të sondazheve të porositura, përndryshe kam pritur se do të kem mbi 40% të votave. Se këto sondazhe ishin të porositura u pa ditën e zgjedhjeve pasi sipas tyre ne ishim në vendin e tretë ndërsa që vota popullore tregoj se ne jemi më të votuarit.

    Balotazhi do të mbahet më 14 nëntor. A jeni në bisedime për ndonjë koalicion parazgjedhor me ndonjë nga partitë?

    Siç edhe dinë gjithë opinioni publik, duke qenë si kandidati më i votuar unë ju kam ofruar bashkëpunim partive politike në Vushtrri me qëllim të rikthimit të dinjitetit të qytetit tonë. Bashkë me to jam i bindur që do zhvillojmë qytetin tonë. Më e rëndësishmja është përkrahja qytetare ajo që po rritet çdo ditë sepse të gjithë e kanë kuptuar se programi im qeverisës është realist dhe jo premtime megalomane që nuk arrihen kurrë. Jam jashtëzakonisht i lumtur për përkrahjen e madhe qytetare por që në të njëjtën kohë kjo më ngarkon edhe me përgjegjësi të mëdha para tyre.

    Në raundin e dytë sfidoheni nga Xhafer Tahiri i LDK-së. Cilat janë gjasat ta mposhtni dhe ta merrni pozitën e kryetarit?

    Siç e thash edhe më lart unë tashmë dy herë e kam mposhtur z.Tahiri, përkrahja e madhe qytetare është treguesi më i mirë se kush do të qeverisë pas 14 nëntorit. Dallimi do të jetë shumë i madh mes meje dhe ti. Ai tashmë e di këtë gjë.

    Tahiri i LDK ka thënë se PDK po bën fushatë me lajme të rrejshme dhe po i kërcënohet familja. Si i kundërpërgjigjeni?

    Nuk dua të komentoj asnjë deklaratë paranoike që vjen si rrjedhojë e humbjes së zgjedhjeve. Ai është bërë qesharak në popull duke u munduar ta luaj rolin e viktimës, derisa i gjithë qyteti e di se çka ka bërë ai dhe familjar të tij gjatë këtyre vjetëve.

    Cilat janë 3 projektet madhore që do t’i realizoni nëse bëheni kryetar i Vushtrrisë?

    Nuk vihet në dyshim kjo, unë u kam bërë ofertë për qeverisje partive politike në Vushtrri dhe besoj fuqishëm se do të bëjmë më të mirën për qytetin tonë.
    Krijimi i vendeve të punës për gra dhe të rinj përmes arsimit profesional, mbështetja dhe subvencionimi për hapjen e bizneseve individuale, subvencionimi u bujqve, rregullimi i menjëhershëm i sheshit “Adem Jashari”.

    Për fund, cili është mesazhi që ju dërgoni vushtrriasve?

    Mesazhi im për vushtrriasit është që t’i bashkohen masovikisht fitores tonë që është fitore e gjithë qytetit sepse kështu do ta rikthejmë qytetin tone. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!