×
  • Lajme
  • Raporto
  • Shqipëri / Detajet

    Dosja ndaj Erion Veliajt, shtyhet më 19 janar seanca paraprake

    Reporteri
    05 Janar 2026 | 10:20

    Gjykata e Posaçme shtyu për më 19 janar, seancës e radhës të shqyrtimit paraprak ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj dhe të pandehurve të tjerë në lidhje me këtë dosje.

    Shkak është bërë mungesa e dy prej avokatëve mbrojtës, një prej të cilit edhe avokatja kryesisht e caktuar për Veliajn. Ajo ka argumentuar përmes një emaili se ndodhej jashtë vendit.

    Gjatë seancës nuk ka qenë prezent as vetë Veliaj.

    Kujtojmë se në seancën e fundit, Veliajt iu refuzua kërkesa që të revoktonte një vendim të mëparshëm të gjykatës për ta lejuar që të dilte nga kafazi i qelqtë për t’i vënë në dispozicion aktet e dosjes dhe një formë që të njihej me to.

    Pasi edhe kjo kërkesë iu rrëzua, Veliaj largoi avokatin e tij Artan Gjermëni, duke i caktuar avokaten e shtetit, Valentina Teodoresku.

    Veliaj ndodhet në paraburgim që prej 10 shkurtit të këtij viti, i akuzuar për pastrim parash, mosdeklarim pasurie, korrupsion pasiv në 9 raste, shpërdorim detyre dhe futje të sendeve të ndaluara në qeli.

    Bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, akuzohet për mosdeklarim pasurie, fshehje të të ardhurave dhe pastrim parash, ndërsa në dosje është e përfshirë edhe ish-deputetja Klotilda Bushka për veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës. Kjo e fundit kërkoi pushim të çështjes.

    Kryebashkiaku e ka ankimuar disa herë masën e sigurisë “arrest me burg”. Së fundmi, edhe në Gjykatën Kushtetuese, së cilës i kërkon shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën të tre vendimeve të GJKKO-së dhe Gjykatës së Lartë, dhe kthimin e çështjes për rigjykim në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për shkak të shkeljes së rëndë të procesit të rregullt, proporcionalitetit dhe prezumimit të pafajësisë.

    Në korrik të këtij viti, Gjykata e Lartë vendosi të mos ndryshojë masën ndaj tij, duke lënë në fuqi vendimin e Apelit. Ndërsa, më 3 nëntor, Kushtetuesja vendosi me shumicë votash në favor të tij, duke e kthyer në detyrën e kryebashkiakut të bashkisë më të madhe në vend pasi u shkarkua nga Këshilli Bashkiak.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!