Tottenham Hotspur ka arritur marrëveshje verbale me mbrojtësin holandez Micky van de Ven për rinovimin e kontratës, duke i dhënë një goditje Barcelonës dhe Liverpoolit që kishin shfaqur interesim për të.
Sipas gazetarit Fabrizio Romano, marrëveshja e re do të përfshijë edhe një rritje të konsiderueshme të pagës për 25-vjeçarin, i cili konsiderohet një nga lojtarët kryesorë në planet e klubit londinez.
Rinovimi i Van de Venit vjen në të njëjtën linjë me marrëveshjen e re të Pedro Porros, me Tottenhamin që ka bërë të qartë se mbrojtësi holandez nuk ka qenë asnjëherë në dispozicion për transferim.
Sipas raportimeve, trajneri Roberto De Zerbi ka luajtur rol të rëndësishëm në bindjen e Van de Venit për të vazhduar qëndrimin në Londër, ndërsa vetë lojtari gjithmonë ka pasur prioritet vazhdimin e aventurës te Tottenhami.
Klubi anglez pret që marrëveshja të finalizohet gjatë këtij muaji, edhe pse kontrata ende nuk është nënshkruar zyrtarisht.
Rinovimi i mbrojtësit holandez merr rëndësi të veçantë për Tottenhamin, sidomos pas ndryshimeve në repartin defensiv. Klubi ka përforcuar qendrën e mbrojtjes me afrimet e Jan Paul van Hecke dhe Marcos Senesi, ndërsa kapiteni Cristian Romero pritet gjithnjë e më shumë të largohet këtë verë.
Me largimin e mundshëm të argjentinasit, Van de Ven pritet të ketë një rol edhe më të rëndësishëm në skuadrën e De Zerbit.
Shpejtësia, aftësia për rikuperim dhe qetësia me topin kanë bërë që holandezi të shndërrohet në një nga shtyllat kryesore të projektit të ri të Tottenhamit.