×
  • Lajme
  • Raporto
  • Mjekësi

    Në garë me kohën

    Autor:Vlerë Mehmeti
    11 Gusht 2026 | 15:41

    Një mëngjes vere, D.RR., 52 vjeçar, vuri re se nuk po mund ta ngrinte krahun e djathtë. Familjarët panë se ai nuk po fliste qartë. Të dyja këto ishin ndër simptomat më të zakonshme të sulmit në tru, por as ai e as familjarët nuk i njihnin. Fillimisht menduan se bëhej fjalë për lodhje apo rënie tensioni, por me kalimin e kohës, gjendja nuk u përmirësua, përkundrazi, simptomat shkonin duke u përkeqësuar. Vetëm atëherë, tregon ai, u nisën me shpejtësi drejt Qendrës Emergjente.

    Pas ekzaminimeve, D.RR. mori diagnozën se kishte pësuar sulm në tru. Mjekët i shpjeguan se kishte humbur një pjesë të kohës së çmuar që mund t’i kishte mundësuar trajtim më efektiv. Për muaj me radhë iu desh t’i nënshtrohej rehabilitimit, pasi kishte vështirësi në lëvizjen e krahut të djathtë dhe në të folur.

    Ky nuk është rast i izoluar. Mjekët thonë se çdo ditë përballen me pacientë që mbërrijnë në spital pasi kanë humbur dritaren kohore për trajtim.

    Stroku, urgjencë ku çdo minutë numërohet

    Stroku, apo sulmi në tru, është gjendje urgjente mjekësore që ndodh kur ndërpritet furnizimi me gjak në një pjesë të trurit ose kur një enë gjaku në tru çahet. Si pasojë, qelizat e trurit dëmtohen brenda pak minutash dhe mund të shkaktohen pasoja serioze si paralizë, vështirësi në të folur apo humbje e funksioneve të tjera jetësore. Ai është shkaktari i dytë më i shpeshtë i vdekshmërisë në botë dhe shkaktari kryesor i paaftësisë fizike.

    Neurologu Dren Boshnjaku shpjegon se stroku konsiderohet një “sulm i heshtur”, jo vetëm për shkak të infarkteve cerebrale (goditjeve në tru pa simptoma të dukshme) që mund të ndodhin, por edhe për shkak të mungesës së informimit dhe vetëdijesimit të qytetarëve për shenjat paralajmëruese dhe nevojën për reagim urgjent.

    Sipas tij, njohja e simptomave dhe kontrolli i faktorëve të rrezikut janë hapat më të rëndësishëm për të parandaluar pasojat e strokut.

    “Shenjat që nuk duhet të injorohen janë dobësia ose mpirja e fytyrës, krahut apo këmbës në njërën anë të trupit, problemet me të folurit, problemet me të parët dhe humbja e ekuilibrit ose koordinimit. Simptoma të tjera që kërkojnë vëmendje janë marramendja rrotulluese, shikimi i dyfishtë dhe vështirësia në artikulimin e fjalëve. Dhjetë faktorë të rrezikut të modifikueshëm (hipertensioni, mungesa e aktivitetit fizik, çrregullimi i yndyrave në gjak, dieta, obeziteti abdominal, faktorët psikosocialë, duhanpirja, shkaqet kardiake, alkooli, diabeti) shpjegojnë mbi 90% të rrezikut global të strokut. ”, thotë Boshnjaku.

    Figura: Shenjat dhe simptomat e strokut

    “Veprimi i duhur te këto raste: duhet menjëherë të thirret numri i emergjences -194. Mos prisni që shenjat apo simptomat të zhduken – edhe nëse përmirësohen, ato mund të jenë shenjë e një ataku iskemik tranzitor (TIA) që paralajmeron një strok më të rëndë”, thirrja e Boshnjakut.

    Në Klinikën e Neurologjisë në QKUK, ku trajtohen pacientët me stroke, thonë se vonesa në njohjen e simptomave dhe kërkimin e ndihmës mbetet një nga pengesat më të mëdha për trajtimin e suksesshëm.

    Sipas drejtorit të Klinikës së Neurologjisë, Edmond Komoni, stroku është patologjia më e shpeshtë spitalore në këtë klinikë dhe përbën rreth 50 për qind të të gjitha hospitalizimeve. Brenda një viti trajtohen rreth një mijë pacientë me stroke.
    “Fatkeqësisht shumë pak pacient po arrijnë në kohën optimale për aplikim të trombolizes intravenoze e që është 3-4.5 orë. Vonesat më të mëdha janë nga detektimi i vonshëm i familjarëve që pacienti mund të ketë sulm në tru (Stroke). Shpesh ndodhë që pacienti zgjohet në mëngjes me shenja të sulmit në tru (me paraliza, vështirësi në të folur etj.) ku sigurisht sulmi ka ndodhë në gjumë, pra disa orë përpara – këto quhen Wake-up stroke”, thotë Komoni.

    Gjatë vitit 2025, në Klinikën e Neurologjisë me trombolizë intravenoze janë trajtuar 59 pacientë me stroke iskemike akute, ndërsa deri në mesin e vitit 2026 këtë trajtim e kanë përfituar edhe 34 pacientë. Sipas tij, trajtimi i strokut akut mbështetet në dy metoda kryesore.

    “Tromboliza intravenoze është metoda e parë përmes aplikimit të medikamentit ALTEPLASE, me të cilën provohet që të shkrihet tromoembolusi dhe të rivendoset qarkullimi në zonen e iskemisë trunore. Kjo terapi duhet të aplikohet maksimum brenda 3-4.5 orë nga fillimi i simptomeve. Trombektomia mekanike është metoda e dytë ku përmes përdorimit të mjeteve speciale në formë të kateterëve specialë depërtohet nëpër enë të gjakut deri tek trombi dhe tentohet heqja mekanike e bllokadës. Kjo procedurë terapeutike kryhet në bashkëpunim me Radiologët neurointervent’, shpjegon ai.

     Përtej numrit të rasteve, pasojat mbeten të rënda. Sipas neurologut Boshnjaku, gjatë vitit 2024 në Klinikën e Neurologjisë dhe në spitalet e përgjithshme janë trajtuar rreth 2,700 pacientë me stroke. Ai thekson se pasojat janë afatgjata.

    “Komplikacionet afatgjata janë të shpeshta. Dëmtimi kognitiv prek 54-65% të të mbijetuarve, ndërsa lodhja, depresioni dhe ankthi mbeten probleme të zakonshme edhe vite pas goditjes. Rehabilitimi duhet të fillojë sa më herët dhe përmirëson ndjeshëm aftësinë e vetëkujdesit, funksionin motorik dhe pavarësinë funksionale. Në 90 ditë pas strokut, 10% e pacientëve nën 55 vjeç dhe 30% e atyre mbi 65 vjeç zhvillojnë paaftësi të re të moderuar ose të rëndë. Rreth 70% e pacientëve me strok të rëndë vdesin ose mbesin me paaftësi të theksuara brenda pesë viteve”, ka thënë Boshnjaku.

    Megjithatë, sipas tij, pjesa më e madhe e rasteve mund të parandalohet.

    “Mesazhi përfundimtar është i thjeshtë: stroku nuk është fatal — është i parandalueshëm dhe i trajtueshëm”, thotë ai.

    Koha vendos për fatin e pacientit

    Nëse pacienti plotëson kriteret dhe arrin brenda dritares kohore, ai mund të përfitojë nga tromboliza intravenoze, e cila duhet të aplikohet brenda 3 deri në 4.5 orëve nga fillimi i simptomave. Në raste të caktuara aplikohet edhe trombektomia mekanike.

    Megjithatë, sipas mjekëve problemi kryesor nuk është koha brenda klinikës.

    Ata thonë se shumica e pacientëve nuk mbërrijnë në kohën optimale për trajtim. Shpesh kalojnë dy deri në tre orë vetëm gjatë procesit të vlerësimit në Qendrën Emergjente, ndërsa vonesa më e madhe sipas tyre ndodh para se pacienti të kërkojë ndihmë.
    Neurologu Dren Boshnjaku thotë se arsyet kryesore të vonesës janë mosnjohja e shenjave të strokut, mungesa e vetëdijes se bëhet fjalë për një urgjencë mjekësore, si dhe fakti që shumë qytetarë drejtohen fillimisht te mjeku i familjes në vend që të thërrasin menjëherë Urgjencën.

    “Arsyet kryesore të vonesës përfshijnë mungesën e njohjes së emergjencës së strokut, mosnjohjen e shenjave dhe simptomave, vizitën te mjeku i familjes në vend të thirrjes së urgjencës, si dhe frikën apo mohimin e situatës”, thotë Boshnjaku.

    Përveç trajtimit, Boshnjaku vlerëson se rritja e ndërgjegjësimit të qytetarëve mbetet një nga mënyrat më efektive për të ulur pasojat e strokut. Sipas tij, investimi në informim kushton shumë më pak sesa trajtimi dhe rehabilitimi i pacientëve që mbesin me pasoja afatgjata.

    “Fushatat e mediave janë një mjet i mundshëm dhe me kosto shumë të ulët për rritjen e ndërgjegjësimit për faktorët e rrezikut dhe shenjat e simptomat e strokut, duke ndihmuar në parandalimin dhe trajtimin adekuat të tij. Strategjitë e rekomanduara përfshijnë fushata publike me akronimin 2FSK, programe arsimore në shkolla, trajnimin e mjekëve familjarë dhe infermierëve në kujdesin parësor për skriningun e faktorëve të rrezikut dhe reagimin ndaj ‘stroke alarm’, si dhe përfshirjen e komuniteteve fetare, qendrave komunitare dhe mediave lokale në informimin dhe vetëdijesimin e qytetarëve”, thotë Boshnjaku.

    Hallkat e sistemit dhe rëndësia e koordinimit

    Në nivelin e kujdesit parësor, çdo pacient me dyshim për stroke konsiderohet rast urgjent.

    Sipas Drejtorisë së Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, ekipet e mjekësisë familjare dhe Urgjenca identifikojnë menjëherë simptomat, bëjnë vlerësimin fillestar sipas udhëzimeve ndërkombëtare, stabilizojnë pacientin dhe organizojnë transportin urgjent drejt Klinikës Emergjente në QKUK.

    Në vitin 2025, sipas raporteve të këtij institucioni, nga shërbimet e kujdesit parësor janë evidentuar 31 raste të stroke, ndërsa deri në qershor të vitit 2026 janë regjistruar shtatë raste.

    “Është shumë e rëndësishme njohja e shenjave paralajmëruese. Nëse një person papritur nuk mund të buzëqesh normalisht, ka dobësi në krahë ose këmbë apo nuk flet qartë,mos prisni që simptomt të kalojnë.Telefoni menjehere Urgjencën (194). Tek stroke koha është e rëndësishme sa më shpejtë të filloj trajtimi,aq më të mëdha  janë mundësitë pë shërim dhe për të shmangur paaftësitë afatgjate”, thonë mjek në kujdesin parësor shëndetësor.

    Trombektomia: shërbim 24 orë, por me sfida

    Për pacientët që plotësojnë kriteret, trombektomia mekanike përfaqëson një nga trajtimet më të avancuara për stroke iskemike (goditje në tru nga bllokimi i enëve të gjakut).

    Klinika e Radiologjisë bën të ditur se ky shërbim është i organizuar 24 orë në ditë, 365 ditë në vit.

    Megjithatë, institucioni pranon se që nga shkurti i vitit 2026 ka pasur ndërprerje të furnizimit me materialet shpenzuese të nevojshme për kryerjen e procedurës, si pasojë e vonesave buxhetore.

    Kjo reflektohet edhe në numrin e procedurave të realizuara.

    Në vitin 2025 janë kryer 19 trombektomi mekanike, ndërsa gjatë vitit 2026 deri në momentin e përgjigjeve është realizuar vetëm një procedurë.

    Sipas klinikës, përveç furnizimeve, sfida mbeten edhe mungesa e stafit të dedikuar dhe nevoja për investime të vazhdueshme në pajisje dhe infrastrukturë.

    “Mendova se do të më kalonte”

    D.RR., emër i ndryshuar për të ruajtur privatësinë, thotë se nuk e kishte menduar kurrë se mpirja e dorës dhe vështirësia në të folur mund të ishin shenja të një stroke.

    “Në fillim mendova se më ishte mpirë dora nga lodhja. Nuk mund t’i shqiptoja mirë fjalët, por besoja se do të më kalonte. Edhe familjarët menduan të prisnim pak”, tregon ai.

    Vetëm pasi simptomat nuk u përmirësuan, u nis drejt spitalit.

    “Kur mjekët më shpjeguan se çdo minutë kishte rëndësi, kuptova sa kohë kisha humbur. Fatmirësisht mora trajtim dhe sot mund të ec e të flas normalisht, por rehabilitimi zgjati disa muaj.”

    Ai këshillon sot çdo person që të mos presë asnjë minutë nëse shfaqen simptoma të ngjashme.

    “Nëse do ta dija atë që di sot, do ta kisha telefonuar menjëherë Urgjencën.”

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!