×
  • Lajme
  • Raporto
  • Fokus / Liria ka emër
    INSTANT

    Nis protesta në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së

    Reporteri
    01 Tetor 2026 | 16:22

    Protesta kundër Gjykatës Speciale ka nisur.

    Shqiptarët kanë mbushur sheshin ‘Skënderbeu’ në Prishtinë në mbrojtje të çlirimtarëve.

    Protesta është thirru r nga “Liria Ka Emër” në kundërshtim të aktgjykimit të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

    Çitaku nga protesta: Është beteja më e rëndësishme për Kosovën, për shqiptarët dhe historinë

    Reporteri
    01 Tetor 2026 | 16:28

    Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku i është bashkuar qytetarëve në protestën e organizuar nga “Liria Ka Emër” në kundërshtim të aktgjykimit të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

    Çitaku tha se kjo betejë është beteja më e rëndësishme për Kosovën dhe shqiptarët.

    “Është beteja më e rëndësishme për Kosovën, për shqiptarët dhe historinë”, tha ajo.

    Fillon grumbullimi i njerëzve në shesh për protestën e sotme, Liria ka Emër bën thirrjen e radhës

    Reporteri
    01 Tetor 2026 | 16:08

    Qytetarë të shumtë janë grumbulluar në sheshin “Skënderbeu” për protestën e sotme në mbështetje të ish-krerëve të UÇK’së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, ndaj të cilëve u shpall aktgjykim dënues në shkallë të parë nga Dhomat e Specializuara.

    Platforma “Liria ka Emër” ka publikuar pamje krahas thirrjes ndaj qytetarëve për t’iu bashkuar kësaj proteste.

    Von der Leyen flet për ligjin për Specialen: I takon Kosovës të vendosë se çfarë është e nevojshme ose jo, gjyqësori të mbetet i pavarur

    Reporteri
    01 Tetor 2026 | 15:33

    Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, u pyet për Projektligjin e propozuar nga PDK’ja për plotësim-ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.

    Von der Leyen tha se kjo është çështje e Kosovës, por pavarësia e gjyqësorit është kusht.

    “I përket Kosovës që të vendosë. Është me rëndësi që të garantohet pavarësia e gjyqësorit. Në këtë kuadër i përket Kosovës që të vendosë se çfarë është e nevojshme të bëhet ose jo, por është me rëndësi që gjyqësori të mbahet i pavarur”.

    Von der Leyen paraprakisht tha se asgjë dhe askush nuk mund ta rishkruajë historinë e Kosovës.

    “1999-a është skalitur në memorien tuaj kolektive, represioni i dhunshëm, kriza humanitare, vuajtja që e ka pësuar populli juaj. Bashkimi Europian ka qëndruar me ju që nga ajo kohë”, tha ajo.

    Haxhiu pas takimit me Von der Leyen: Do t’i mbështesim ekipet mbrojtëse të ish-krerëve të UÇK-së në apel

    Reporteri
    01 Tetor 2026 | 15:19

    U.D. Presidentja e Kosovës, Albulena Haxhiu, ka pritur të enjten në takim Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, me të cilën ka diskutuar për zhvillimet politike në vend, procesin e integrimit evropian dhe aktgjykimin e Dhomave të Specializuara në Hagë.

    Sipas njoftimit të Presidencës, gjatë takimit është diskutuar edhe për nevojën e zgjedhjes së Presidentit të Kosovës brenda afatit kushtetues.

    Haxhiu ka shprehur shqetësimin e saj dhe, siç thuhet në njoftim, të qytetarëve të Kosovës lidhur me aktgjykimin e fundit të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    “Nënvizova se institucionet e Kosovës do të vazhdojnë t’i mbështesin ekipet mbrojtëse të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit në procesin e apelit. Në këtë drejtim, do të angazhohemi për hartimin e një strategjie të përbashkët shtetërore, duke i bashkërenduar veprimet me ekipet mbrojtëse dhe ekspertët, në mënyrë që mbështetja jonë t’u shërbejë sa më mirë atyre në këtë proces”, ka thënë Haxhiu.

    Në takim, ajo ka kërkuar gjithashtu që Bashkimi Evropian ta shqyrtojë aplikimin e Kosovës për anëtarësim, të dorëzuar më 14 dhjetor 2022, ndërsa ka kërkuar angazhimin e drejtpërdrejtë të von der Leyen në këtë proces.

    Haxhiu dhe von der Leyen kanë diskutuar edhe për zbatimin e Planit të Rritjes dhe agjendën e reformave.

    “Bisedova edhe për zbatimin e Planit të Rritjes dhe reformat që na presin. Kosova ka dorëzuar Agjendën e Reformave, ka ratifikuar marrëveshjet përkatëse dhe ka filluar të përfitojë nga parafinancimi”, ka deklaruar Haxhiu.

    Von der Leyen: Askush s’mund ta rishkruajë historinë e Kosovës, rezistenca në luftë s’ka qenë në gjykim

    Reporteri
    01 Tetor 2026 | 14:53

    Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen tha se “Kosova po kalon në një moment të rëndësishëm politik”, në fillim të fjalës së saj pas takimit me kryeministrin Albin Kurti.

    Von der Leyen e nisi me aktgjykimin e Gjykatës Speciale në Hagë, e cila i dënoi në shkallë të parë katër ish-krerër e UÇK-së.

    “Do e filloja me çështjen që e përmendët edhe ju në fund të fjalës suaj, e kjo është kuptueshëm, në qendër të vëmendjes publike”, tha ajo.

    “Asgjë dhe askush nuk mund ta rishkruajë historinë e Kosovës. 1999-a është skalitur në memorien tuaj kolektive, represioni i dhunshëm, kriza humanitare, vuajtja që e ka pësuar populli juaj. Bashkimi Evropian ka qëndruar me ju që nga ajo kohë”, tha Von der Leyen.

    Presidentja e KE-së tha se BE-ja ka ndihmuar Kosovën, “e ardhmja e së cilës është në BE”.

    Von der Leyen kujtoi se dënimi “ka shkaktuar emocione të fuqishme”, dhe iu kthye Kurtit: “Unë e çmoj reagimin tuaj të matur dhe të liderëve politikë që thërrasin për qetësi”.

    Ajo tha se mandati i Gjykatës Speciale “duhet të respektohet”.

    Von der Leyen tha se aktgjykimi duhet të respektohet.

    “Një gjë është e qartë: ky aktgjykim ka të bëjë me përgjegjësinë individuale të personave të pandehur. Rezistenca e Kosovës nuk ka qenë në gjykim”, tha ajo.

    29 vjet më parë protestoi kundër regjimit serb, sot proteston kundër vendimit në Hagë – flet Muhamet Mavraj

    Reporteri
    01 Tetor 2026 | 14:20

    29 vjet më parë, ishte një nga udhëheqësit e protestave studentore të 1 Tetorit 1997, për të kundërshtuar pushtimin e Kosovës nga Serbia dhe kthimin e studentëve në objektet universitare, ndërsa sot, Muhamet Mavraj, do të jetë përballë protestuesve për të kundërshtuar vendimin dënues të Dhomave të Specialuzuara të Koosvës në Hagë, ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Mavraj në një intervistë për Radio Dukagjinin thotë se mobilizimi qytetar sot do të jetë edhe më i madh edhe për shkak të përvjetorit të protestave studentore të vitit 1997.

    “Nuk është vetëm për kundërshtimin e aktgjykimit, por edhe për madhërinë e vlerave e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Protesta e vitit 1997 na kujton përpjekjen e gjatë të lodhshme, të stërmundimshme, për të arritur në një pikë, në pikën ku gjithë shqiptarët, pavarësisht dallimeve më 1 tetor 1997 i bëmë bashkë dhe ishin bashkë”, shprehet Mavraj.

    Sipas tij, nëse ajo frymë e unitetit është e pranishme sot, nesër e ditë në vijim, Kosova do të dalë fituese në këtë betejë të madhe ligjore.
    “Unë jam shumë i bindur se presioni konstruktiv, vendosmëria, këmbëngulësia edhe kështu në mënyrë paqësore, do të ketë sukses në kohën e duhur dhe vendin e duhur.”, thekson ai.

    Mavraj thotë se nga ky vendim dënues për ish-krerët e UÇK-së, janë prekur gjithë shqiptarët anembanë botës.

    “Sot kur i shoh fëmijët e Kosovës që përfundojnë detyrat e shtëpisë, dhe me flamujt kombëtar dhe të UCK-së dhe shkojnë në protestë pa folur shumë, kjo sado që më prek, më jep shumë shpresë se nuk do të shkojë kot mundi i dëshmorëve të lirisë”, thotë Mavraj.

    Protesta gjithëpopullore është thirrur për në orën 16;00 në sheshin “Skënderbeu”, në Prishtinë, për të kundërshtuar vendimin e Gjykatës Speciale për katërshen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Komuna njofton për devijimin e disa linjave të autobusëve në Prishtinë

    Reporteri
    01 Tetor 2026 | 14:06

    Komuna e Prishtinës ka njoftuar se sot, nga ora 14:00, disa linja të transportit publik do të qarkullojnë në rrugë alternative, për shkak të mbylljes së rrugës “Luan Haradinaj”.

    Linjat 4, 3B dhe 10 do të devijohen nëpër rrugën “Agim Ramadani”, ndërsa linja 6 do të vazhdojë qarkullimin përmes rrugëve “UÇK”, “Tirana”, “Garibaldi” dhe “Ukshin Hoti”.

    Komuna ka bërë të ditur se ndryshimet do të jenë të përkohshme dhe do të vlejnë deri në njoftimin e radhës.

    Për shkak të marshit dhe ndryshimeve në qarkullim, mund të ketë edhe vonesa në transportin publik.

    Dy javë pas aktgjykimit në Hagë, Universiteti i Prishtinës miraton deklaratë për luftën çlirimtare të Kosovës

    Reporteri
    01 Tetor 2026 | 13:52

    Senati i Universitetit të Prishtinës ka miratuar një deklaratë lidhur me luftën çlirimtare të Kosovës dhe zhvillimet pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

    Në deklaratë, Universiteti i Prishtinës thekson se drejtësia duhet të jetë e pavarur, e paanshme dhe objektive, si dhe të mbështetet në prova.

    Universiteti shprehet gjithashtu se drejtësia e qëndrueshme nuk mund të ndërtohet mbi paragjykime kolektive, ndërsa vlerëson se historia e luftës së Kosovës duhet të trajtohet duke marrë parasysh rrethanat politike, shoqërore dhe humanitare në të cilat ajo është zhvilluar.

    “Në të njëjtën kohë, universiteti vlerëson se historia e luftës së Kosovës nuk mund të shkëputet nga konteksti politik, shoqëror dhe humanitar, në të cilin ajo u zhvillua. Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte pjesë e përpjekjes së popullit të Kosovës për mbrojtjen e shtëpisë, jetës, dinjitetit njerëzor, lirisë individuale dhe kolektive, si dhe të së drejtës për të jetuar i lirë nga represioni dhe dhuna”, thuhet në deklaratë.

    Në dokument përmendet edhe konteksti i dhunës gjatë luftës në Kosovë, përfshirë dëbimet masive të popullsisë shqiptare dhe shkeljet e të drejtave të njeriut dhe të së drejtës humanitare.

    “Kjo luftë u zhvillua në një kontekst të dhunës sistematike, dëbimeve masive dhe dëbimit të popullsisë shqiptare të Kosovës, të shoqëruara me shkelje të rënda dhe sistematike të të drejtave të njeriut dhe të së drejtës humanitare. Këto zhvillime përbëjnë pjesë të dokumentuara të historisë së Kosovës dhe të kontekstit, në të cilin duhet të kuptohet lufta e saj për liri”, thuhet më tej.

    Senati i UP-së ka theksuar se trajtimi i kësaj periudhe duhet të marrë parasysh edhe rrethanat historike dhe humanitare, ndërsa në deklaratë i referohet edhe ndërhyrjes së NATO-s.

    “Mbështetja dhe ndërhyrja e NATO-s duhet të kuptohen në kontekstin e krizës humanitare, të dhunës së përhapur, të dëbimeve të popullsisë dhe të nevojës për mbrojtjen e saj”, thuhet në deklaratën e Universitetit të Prishtinës.

    Çlirim Haziri: Sot marshojmë në Prishtinë, nga nesër vazhdojmë protestat e mbrëmjes

    Reporteri
    01 Tetor 2026 | 13:46

    Organizatori i protestave të përnatshme “Jo në emrin tim”, Çlirim Haziri, ka ftuar qytetarët të bashkohen sot, më 1 tetor, nga ora 16:00, në sheshet e Prishtinës, për të kundërshtuar vendimin e Gjykatës Speciale në Hagë.

    Përmes një postimi, Haziri ka bërë thirrje për bashkim në mbështetje të UÇK-së dhe të së vërtetës së luftës çlirimtare.

    “Jemi bashkë për UÇK-në. Jemi bashkë për të vërtetën tonë”, ka shkruar ai.

    Haziri ka njoftuar gjithashtu se pas marshit të sotëm, protestat e mbrëmjes do të vazhdojnë nga nesër.

    “Sot marshojmë. Nga nesër vazhdojmë përsëri me protestën e mbrëmjes. Shihemi në ora 16:00!”, ka përfunduar ai.

    Marshi për çlirimtarët: Policia merr masa sigurie, mbyllen disa rrugë

    Reporteri
    01 Tetor 2026 | 12:30

    Policia e Kosovës ka njoftuar se ka ndërmarrë masat e nevojshme të sigurisë për protestën e paralajmëruar sot në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, e organizuar nga platforma “Liria ka emër” në shenjë pakënaqësie lidhur me aktgjykimin e Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

    Protesta është paralajmëruar të nisë në orën 16:00, ndërsa Policia ka bërë të ditur se zyrtarët policorë do të jenë të pranishëm në terren para, gjatë dhe pas përfundimit të saj.

    “Policia e Kosovës, lidhur me protestën e paralajmëruar për sot në orën 16:00, në sheshin ‘Skënderbeu’ në Prishtinë, nga platforma ‘Liria ka emër’ për të shprehur vazhdimin e pakënaqësive lidhur me aktgjykimin e Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, ka ndërmarrë masat e nevojshme policore për ofrimin e sigurisë, ruajtjen e rendit e qetësisë publike si dhe mbarëvajtjen e protestës para, gjatë dhe deri në përfundimin e saj”, thuhet në komunikatën e Policisë.

    Policia ka theksuar se e njeh të drejtën e qytetarëve për protestë dhe shprehje të lirë, duke kërkuar që tubimi të zhvillohet në mënyrë paqësore dhe brenda kornizës ligjore.

    “Policia e Kosovës, sipas Ligjit mbi tubimet publike, e njeh të drejtën e qytetarëve për shprehjen e lirë përmes tubimeve e protestave të qeta dhe sipas detyrës zyrtare angazhohet që mbarëvajtja e protestës të kalojë e qetë dhe pa ndonjë incident dhe që pjesëmarrësit në protestë të shprehin qëllimin e tyre në mënyrë demokratike dhe në suaza ligjore”, thuhet më tej.

    Kufizime në qarkullim

    Për shkak të protestës dhe lëvizjes së pjesëmarrësve, Policia ka paralajmëruar kufizime dhe ndërprerje të përkohshme të qarkullimit në disa rrugë të kryeqytetit.

    Sipas planifikimeve policore, nga ora 15:00 do të mbyllen përkohësisht për qarkullim rrugët “Luan Haradinaj” dhe “Enver Zymeri”.

    “Varësisht nevojës operative mund të ketë edhe rrugë të tjera në të cilat mund të ndërpritet qarkullimi përkohësisht”, ka njoftuar Policia.

    Për menaxhimin e qarkullimit dhe, nëse është e nevojshme, orientimin e automjeteve drejt rrugëve alternative, në terren do të angazhohen edhe njësitë policore të trafikut.

    Policia ka apeluar te qytetarët që të tregojnë kujdes të shtuar gjatë lëvizjes në kryeqytet dhe të respektojnë rregullat e trafikut.

    “Policia e Kosovës, falënderon organizatorët dhe qytetarët për bashkëpunimin dhe mirëkuptimin e treguar në vazhdimësi ndaj policisë dhe njëkohësisht apelon që të kenë kujdes të shtuar, të respektojnë ligjet dhe rregullat në trafikun rrugor në interes të sigurisë së përgjithshme”, thuhet në komunikatë.

    Kuvendi i Prizrenit miraton deklaratë kundër aktgjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Reporteri
    01 Tetor 2026 | 11:49

    Kuvendi i Komunës së Prizrenit ka miratuar unanimisht deklaratën lidhur me aktgjykimin e 16 shtatorit ndaj ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

    Sipas njoftimit të Komunës së Prizrenit, deklarata u miratua në mbledhjen e jashtëzakonshme të Kuvendit, të mbajtur më 1 tetor 2026, në prani të anëtarëve të Kuvendit, monitoruesve dhe përfaqësuesve të mediave.

    Në deklaratë, Kuvendi shpreh mospajtim të thellë me aktgjykimin e shkallës së parë të Dhomave të Specializuara të Kosovës, duke theksuar se përgjegjësia penale është individuale dhe nuk duhet të interpretohet si përgjegjësi kolektive e UÇK-së dhe luftës së saj.

    Kuvendi i Prizrenit gjithashtu ka shprehur solidaritet me Thaçin, Veselin, Krasniqin dhe Selimin, si dhe me familjet e tyre.

    Në deklaratë u bëhet thirrje qytetarëve që, pavarësisht dhimbjes dhe emocioneve, të ruajnë qetësinë, dinjitetin dhe unitetin, duke i shprehur qëndrimet në mënyrë paqësore dhe institucionale.

    Në fund, duke iu referuar formulimit “Në emër të popullit të Kosovës” gjatë shpalljes së aktgjykimit, Kuvendi i Komunës së Prizrenit ka përcjellë mesazhin: “JO NË EMRIN TIM!”

    Hashim Thaçit i vazhdohet paraburgimi në rastin kundër administrimit të drejtësisë

    Reporteri
    01 Tetor 2026 | 11:46

    Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, ia kanë vazhduar masën e paraburgimit ish-presidentit Hashim Thaçi në rastin ku bashkë me Bashkim Smakajn, Isni Kilajn, Fadil Fazliun dhe Hajredin Kuçin, ngarkohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë.

    Vendimi është marrë nga gjykatësi i vetëm i këtij rasti, Christopher Gosnell më 30 shtator 2026, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    Sipas vendimit, gjykatësi konstatoi se vazhdojnë të ekzistojnë rreziqet që Thaçi mund të pengojë ecurinë e procesit apo të kryejë vepra penale të tjera.

    Po ashtu, për vazhdimin e paraburgimit, Specialja bën të ditur se gjykatësi mori parasysh edhe faktin që Thaçi u shpall fajtor dhe u dënua në gjykimin për krime lufte.

    “Gjykatësi mori parasysh gjithashtu edhe shpalljen fajtor dhe dënimin e Thaçit në çështjen gjyqësore KSC-BC-2020-06 kohët e fundit dhe konstatoi se ato nuk e ndryshonin nevojën për rishikime periodike të paraburgimit të tij në çështjen aktuale, që në parim vlerësohet në bazë të faktorëve në lidhje me këtë çështje”, thekson Specialja.

    Gjykatësi vlerësoi se caktimi i paraburgimit vazhdon të mbetet i domosdoshëm dhe proporcional.

    Kujtojmë se në rastin për krime lufte, Specialja shpalli aktgjykimin më 16 shtator 2026, me të cilin Thaçi u dënua me 25 vjet burgim. Me aq vite burgim u dënua edhe Jakup Krasniqi. Ndërkaq, Kadri Veseli me 18 vjet burgim e Rexhep Selimi me 13.

    Në gjykimin për veprat penale kundër administrimit të dejtësisë, më 14 shtator 2026 ka përfunduar paraqitja e fjalëve përfundimtare nga palët në procedurë.

    Në seancën fillestare më 27 shkurt 2026, Hashim Thaçi, Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu, Isni Klilaj dhe Hajredin Kuçi, u deklaruan të pafajshëm për veprat penale që iu vihen në barrë.

    Po atë ditë (27 shkurt 2026), nisi dëshminë edhe dëshmitari i parë në këtë çështje gjyqësore, i cili ishte me masa mbrojtëse. Dëshmia e tij përfundoi më 2 mars 2026.

    Më 3 dhe 4 mars 2026 dëshmoi dëshmitari i dytë Koen Herlaar- ekspert i kriminalistikës në Institutin e Kriminalistikës së Holandës. Po më 4 mars nisi dëshminë dëshmitari i tretë, Chrisopher Kelly- hetues i forenzikës digjitale. Ky dëshmitar e përfundoi dëshminë më 5 mars. Ndërsa, si dëshmitare e mbrojtjes së Thaçit dëshmoi ekspertja e transkriptimit në fushën e kriminalistikës, Helen Fraser. Ajo dëshmoi mç 11 dhe 12 maj 2026.

    Ndryshe, Hashim Thaçi ndodhet në Qendrën e Paraburgimit në Hagë që nga nëntori i vitit 2020. Ai është duke u gjykuar për krime lufte, si dhe më 2024 i është ngritur aktakuza kundër administrimit të drejtësisë.

    Lidhur me rastin kundër administrimit të drejtësisë, Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu dhe Isni Kilaj u arrestuan më 5 dhjetor 2024 në Kosovë dhe u transferuan në objektin e paraburgimit në DhSK, më 6 dhjetor 2024 në bazë të aktakuzës së konfirmuar dhe fletarrestimeve të lëshuara nga Haga.

    Ndërsa, Thaçit i është dorëzuar fletarrestimi në objektin e paraburgimit në Hagë më 5 dhjetor 2024, gjithnjë sipas njoftimit të DhSK-së.

    Kurse, Hajredin Kuçit i është dorëzuar aktakuza e konfirmuar dhe fletëthirrja për t’u paraqitur para gjykatëses së procedurës paraprake për paraqitjen e parë, e cila u mbajt 9 dhjetor.

    Sipas aktakuzës, Thaçi individualisht dhe përmes veprimeve të përbashkëta me grupet; Grupi Fazliu (Fadil Fazliu dhe Fahri Fazliu), Grupin Smakaj (Bashkim Smakaj, Blerim Shala dhe Artan Behrami) si dhe Grupin Kilaj (Isni Kilaj dhe Vllaznim Kryeziu), kanë ndjekur një model të sjelljes për të penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare.

    Në aktakuzë thuhet se Thaçi ka udhëhequr dhe marrë pjesë në këto përpjekje përmes vizitave të tij në objektet e paraburgimit gjatë kohës sa ishte i paraburgosur në kuadër të gjykimit të tij për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

    Aty thuhet se anëtarët e Grupit Fazliu, Grupit Smakaj dhe Grupit Kilaj u koordinuan për të ndikuar në dëshmitarët e ZPS-së gjatë vizitave jo të priveligjuara të datave 2 korrik, 9 shtator dhe 6 tetor 2023.

    Si rrjedhojë, ndaj Thaçit rëndojnë tri akuza për pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare, tri për shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe katër akuza për mosbindje ndaj gjykatës.

    Ndërsa, Kilaj, Smakaj dhe Fazliu akuzohen për tentativë të pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe mosbindje ndaj gjykatës. Kurse, Kuçi i ka dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës.

    Hoxhaj largohet nga Komisioni për Arsim, kërkon ndryshimin e Ligjit për Specialen

    Reporteri
    01 Tetor 2026 | 10:57

    Kryetari i Komisionit për Arsim, Shkencë dhe Teknologji, Enver Hoxhaj, e ka lëshuar mbledhjen e këtij komisioni, në përputhje me vendimin e Grupit Parlamentar të PDK-së për të bojkotuar punën e komisioneve parlamentare deri në procedimin e ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara.

    Hoxhaj, i cili drejton komisionin në emër të PDK-së, para largimit u bëri thirrje deputetëve dhe subjekteve politike që të angazhohen për ndryshimin e ligjit për Gjykatën Speciale.

    Ai tha se nuk do të marrë pjesë në diskutimet për fushëveprimin e komisionit, duke ua lënë anëtarëve të tjerë vazhdimin e mbledhjes.

    “Unë nuk do të propozoj asgjë për fushëveprimin e komisionit. Kam dashur të jem fer me juve dhe konkret vetëm se i takon kushtëzimit të komisionit. Unë e lëshoj këtë mbledhje. I ftoj kolegët dhe të gjitha subjektet politike që ta amandamentojnë ligjin për Gjykatën Speciale. Kolegët e tjerë çfarëdo që keni prej sugjerimeve sa i takon fushëveprimit të këtij komisioni besoj që mund t’i vazhdoni”, tha ai.

    Pas largimit të Hoxhajt, mbledhjen e ka udhëhequr nënkryetarja e komisionit, Arjeta Fejza.

    Ajo tha se situata aktuale politike dhe institucionale po ndikon edhe në punën e komisionit, duke theksuar se për çështjen e Ligjit për Dhomat e Specializuara tashmë ka diskutime ndërmjet subjekteve politike, si dhe qëndrime të Qeverisë.

    “Sa i përket çështjes së ligjit, tashmë ka një diskutim i cili është duke u bërë nga subjektet politike, ka një qëndrim edhe të ministrisë dhe të kryeministrit në këtë proces. Në anën tjetër, ne si komision, siç u përmend edhe nga parafolësit, kemi çështje të cilat konkretisht e afektojnë mënyrën se si do të funksionojë arsimi në dritë të tij. Andaj pajtohem që ne nuk jemi në rrethana normale për të funksionuar. Uroj që sa më shpejt të konsolidohen të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës, edhe ne vërtet mund të vazhdojmë me punën tonë edhe si komision edhe si kuvend, më konkretisht si komision për arsim për të trajtuar të gjitha çështjet që bien mbi fushëveprimtarinë tonë”, tha Fejza.

    Pavarësisht largimit të Hoxhajt, mbledhja vazhdoi me anëtarët e tjerë të komisionit.

    Ata votuan unanimisht për konstituimin e Komisionit për Arsim, Shkencë dhe Teknologji, si dhe për fushëveprimin e tij.

    PDK-ja largohet nga Komisioni për AKI-në, kërkon procedimin e Ligjit për Specialen

    Reporteri
    01 Tetor 2026 | 10:32

    Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës janë larguar nga mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), menjëherë pas konstituimit të tij.

    Ata kanë bërë të ditur se vendimi për t’u larguar lidhet me kërkesën e PDK-së që në Kuvend të procedohet sa më shpejt plotësim-ndryshimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës.

    Deputetja Besa Kabashi-Ramaj tha se PDK-ja e konsideron funksionalizimin e komisioneve parlamentare të rëndësishëm, por sipas saj, në rrethanat aktuale çështja e Dhomave të Specializuara duhet të trajtohet me prioritet.

    “Konstituimi i institucioneve është shumë i rëndësishëm dhe prandaj edhe ishim pjesë e këtij komisioni. Mirëpo, pas konstituimit u larguam, sepse për momentin nuk ka prioritet më të madh për Republikën e Kosovës sesa procedimi i plotësim-ndryshimit të Ligjit për Specialen”, tha ajo.

    Në të njëjtën linjë u shpreh edhe deputeti Rrahman Rama. Ai deklaroi se PDK-ja nuk do të marrë pjesë në mbledhjet e komisioneve të tjera parlamentare deri në procedimin e këtij ligji.

    “Për ne është prioritet mbi prioritetet. Nuk do të marrim pjesë në asnjë komision pa u kryer ky ligj”, deklaroi Rama.

    Ai tha se PDK-ja pret që Qeveria ta përmbushë zotimin për ta proceduar projektligjin brenda kësaj jave, duke theksuar se partia kërkon që procedurat të nisin sa më shpejt.

    Rama foli edhe për takimet e paralajmëruara ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, për çështjen e zgjedhjes së presidentit.

    Sipas tij, para diskutimeve për këtë çështje, PDK-ja kërkon që të trajtohet Ligji për Dhomat e Specializuara, përfshirë mbikëqyrjen e procesit dhe sigurimin e përkrahjes financiare.

    “Për ne prioritet është që Ligji për Dhomat e Specializuara të ketë mbikëqyrje të procesit dhe përkrahje financiare. Pas kësaj mund të ulemi dhe të diskutojmë edhe për çështjet e tjera, përfshirë funksionalizimin sa më të shpejtë të institucioneve”, tha Rama./eo/

    Marshi për UÇK-në, transporti publik në Prishtinë falas nga ora 14:00 deri në 20:00

    Reporteri
    01 Tetor 2026 | 10:23

    Transporti publik në kryeqytet do të jetë pa pagesë sot, nga ora 14:00 deri në 20:00, me rastin e organizimit të marshit për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

    Sipas njoftimit, masa është marrë me qëllim të lehtësimit të lëvizjes së qytetarëve dhe pjesëmarrjes në marsh.

    Transporti publik do të jetë falas gjatë gjithë intervalit kohor prej gjashtë orësh.

    ​Sot protestë gjithëpopullore në Prishtinë, në mbështetje për ish-krerët e UÇK-së

    Reporteri
    01 Tetor 2026 | 8:04

    Sot në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, duke filluar nga ora 16:00 do të mbahet protestë gjithëpopullore në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët u dënuan me 81 vjet burgim nga Gjykata Speciale.

    Protesta është paralajmëruar nga platforma Liria ka Emër. Protesta po vazhdojnë tash e 15 ditë me radhë kundër vendimit të Speciales.

    Gjykata Speciale më 16 shtator i dënoi me gjithsej 81 vjet burgim ish-krerët e UÇK-së.

    Me 25 vjet burgim u dënua Hashim Thaçi, po me 25 vjet Jakup Krasniqi, 18 vjet Kadri Veseli dhe me 13 vjet Rexhep Selimi.

    Nga 1 Tetori 1997 te protesta e nesërme, historia e një date simbol të protestës shqiptare në Kosovë

    Endrit Thaçi me mesazh për babanë: Kosova të don, ti e din

    Reporteri
    30 Shtator 2026 | 17:01

    Endrit Thaçi, djali i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ka ndarë pamje nga protestat që po zhvillohen në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Përmes fotografisë së publikuar, Endrit Thaçi ka përcjellë enjë mesazh për babanë e tij, Hashim Thaçin.

    “Kosova të don, ti e din”, thuhet në mesazhin e tij.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!