Oda Ekonomike Amerikane, në Kosovë, dhe Oda Ekonomike Amerikane, në Serbi, kanë dalë me një deklaratë të përbashkët për marrëveshjen, mbi normalizimin ekonomik, nënshkruar nga Kosova dhe Serbia në Uashington më 4 shtator.
Të dy odat thonë se do të punojnë së bashku për të konsultuar anëtarësitë për të identifikuar barrierat e pazgjidhura në tregti dhe për të ofruar rekomandimet konkrete për zgjidhjen e tyre, shkruan Reporteri.net.
Deklarata e plotë:
Në vijim të marrëveshjes së ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbi normalizimin ekonomik, të nënshkruar në Uashington më 4 shtator, udhëheqësit e Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë dhe Odës Ekonomike Amerikane në Serbi mbajtën një takim virtual për të diskutuar fuqizimin e bashkëpunimit dhe përpjekjet e përbashkëta për të përkrahur zbatimin e aspekteve ekonomike të marrëveshjes së nënshkruar.
Të dyja Odat Amerikane do të punojnë së bashku për të konsultuar anëtarësitë për të identifikuar barrierat e pazgjidhura në tregti dhe për të ofruar rekomandimet konkrete për zgjidhjen e tyre, si dhe për të sugjeruar masat për operacionalizimin e rajonit “mini-Schengen”. Po ashtu, të dyja Odat Amerikane janë dakorduar të promovojnë bashkërisht para kompanive amerikane mundësitë e investimeve në tërë rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Në fund, Odat Amerikane do të punojnë së bashku për organizimin e forumeve investive dhe ngritjen e vetëdijes së komunitetit të biznesit lidhur me mundësitë e financimit nga Korporata Ndërkombëtare Zhvillimore Financiare e Shteteve të Bashkuara (DFC), banka EXIM dhe agjencitë e tjera të SHBA-së.