×
  • Lajme
  • Lajme / U sekuestrua shumë armatim

    Gjithçka që ndodhi dje në sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit ku mbeti i vrarë një polic i Kosovës

    Reporteri
    25 Shtator 2023 | 7:46

    Policia e Kosovës në orët e para të mëngjesit të dielës, konkretisht rreth orës 03:00 në fshatin Bajnskë është sulmuar me arsenal armësh, përfshirë këtu edhe me granata dore dhe zollë nga terroristët serbë ku si pasojë e gjuajtjeve një polic është vrarë dhe një tjetër është plagosur, shkruan Reporteri.net.

    Si nisi sulmi terrorist në Banjskë

    Policia ka njoftuar se gjatë realizimit të detyrave policore, rreth orës 02:34 në Mitrovicë Veri, njësia për ndërhyrje të shpejtë e policisë kufitare ka vërejtur se në hyrje të fshatit Bajnskë, në urë janë vendosur dy mjetet të rënda kamion (pa targa) dhe hyrja në këtë fshat përmes urës nuk mund të bëhet, pasi e njëjta është bllokuar.

    “Njësitë e rendit të Stacionit Policor Zveqan, pas pranimit të informacionit i janë përgjigjur rastit dhe janë nisur me tri njësi në drejtim të lokacionit dhe posa kanë mbërri në afërsi të vendit ku është raportuar bllokada, njësitë policore kanë hasur në rezistencë ku nga disa pozicione të ndryshme janë gjuajtur me arsenal armësh të zjarrit, përfshirë këtu edhe me granata dore dhe zollë, ku si pasojë e gjuajtjeve janë qëlluar me armë zjarri dy zyrtarë policorë”, njoftoi Policia.

    Situata vazhdimisht ishte e tensionuar si pasojë e të shtënave me armë mes grupit të armatosur dhe policisë.

    Autoritetet e Kosovës thanë se personat e maskuar rreth 30 sosh ishin vendosur brenda dhe përreth Manastirit të Banjskës.

    Tre terroristë serbë të vrarë, gjashtë të arrestuar 

    Policia e Kosovës në njoftimin e fundit për sulmin terrorist në Banjskë ku ka bërë të ditur se tre terroristë serbë janë vrarë, kurse dy terroristë dhe katër të tjerë të përfshirë në sulm i kanë arrestuar.

    Policia thotë se situata vazhdon të jetë e tensionuar, por se e kanë nën kontroll, shkruan Reporteri.net.

    “Deri më tani sipas informacioneve nga terreni tre sulmues janë vrarë, janë arrestuar dy sulmues dhe katër persona të dyshuar të cilët ishin hasur nën posedim ilegal të radiolidhjeve, e të cilët dyshohet se ndërlidhen me grup terroristë.
    Në orët e vona intensiteti i sulmeve ndaj zyrtarëve policorë ka rënë, por situata e sigurisë ende vazhdon të jetë e tensionuar, përderisa njësitet policore gjatë kontrollit në disa lokacione, objekte banimi dhe në disa automjete që janë përdorur nga grupi terrorist për bllokim të rrugëve, përfshirë automjetet që kanë qenë përreth manastirit në Banjskë, janë gjetur të mbushura përplot me arsenal armësh. Sipas informacioneve fillestare bëhet fjalë për gjetjen e dhjetëra, qindra armëve të llojeve dhe kalibrave të ndryshëm, uniforma dhe pajisje logjistike, përfshirë armë ushtarake të kalibrit të rëndë si granata, zolla, mitralozë, kallashnikov etj. etj. Policia e Kosovës nën udhëheqjen e prokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, në bashkë koordinim edhe me EULEX-in dhe KFOR-in, kanë hyrë në objektet përcjellëse të manastirit të Banjskës, për realizim të detyrave zyrtare”, ka njoftuar Policia.

    Prokuroria Speciale: Gjashtë të arrestuarit në veri dyshohen për terrorizëm, sekuestruam shumë armatim

    Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka njoftuar se janë ndaluar gjashtë persona në sulmin terrorist që ka ndodhur në fshatin Banjskë të komunës së Zveçanit.

    Prokuroria njofton se nga aksioni i sotëm i Policisë së Kosovës, janë sekuestruar automjete të mbushura me sasi të konsiderueshme të armatimit të llojeve të ndryshme, shkruan Reporteri.net.

    “Prokuroria Speciale, gjithashtu njofton se gjatë aksionit të sotëm të Policisë së Kosovës, janë ndaluar gjashtë (6) persona të përfshirë në sulmin ndaj Policisë së Kosovës, për veprat penale “Veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës’’ nga neni 126 lidhur me ‘’Sulm kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës’’ nga neni 114, ‘’Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës’’ nga neni 138 lidhur me nenin 129 dhe ‘’Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’’ nga neni 366 paragrafi 1 të KPRK-së. Po ashtu, nga aksioni i Policisë së Kosovës, janë sekuestruar automjete të mbushura me sasi të konsiderueshme të armatimit të llojeve të ndryshme”, ka thënë Prokuroria.

    Prokuroria Speciale e Kosovës tha se gjashtë personat e arrestuar, të cilëve u është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh, dyshohen për “vepra të rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”, “sulm kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës”, “përgatitje të veprave terroriste” dhe “armëmbajtje pa leje”.

    Presidentja Osmani: Të gjithë jemi me Policinë e Kosovës, terroristët s’na zmbrapsin

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka falënderuar Policinë e Kosovës për punën e bërë në mbrojtje të integritetit dhe sovranitetit të Republikës së Kosovës.

    Osmani përmes një postimi në Facebook ka thënë se të gjithë janë në krah të Policisë së Kosovës dhe kanë një mesazh, se terroristët nuk mund ta zmbrapsin Kosovën, por vetëm mund ta forcojnë vendoshmërinë e Kosovës.

    Kurti: Operacioni policor në veri po vazhdon, janë konfiskuar qindra armë e municione

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mbrëmë në orët e vona ka deklaruar se po vazhdon operacioni policor në veri, derisa ka shtuar se Policia e Kosovës mbetet në bashkëpunim të ngushtë me KFOR-in e EULEX-in.

    Kurti ka shkruar në Twitter se në operacionin e së dielës, Policia ka konfiskuar qindra armë e municione, duke përfshirë pajisje të rënda si mitralozë, granata e të tjera.

    Sveçla: Sulmi i mbështetur nga Vuçiqi, disa nga të identifikuarit pjesë e Mbrojtjes Civile, u gjeten edhe dokumentacione ruse

    Edhe ministri Xhelal Sveçka ka njoftuar mbrëmë se aksioni për zbulimin dhe ndjekjen e terroristëve në Banjskë po vazhdon.

    Ai ka thënë se secili individ që ka marrë pjesë në këtë sulm do të jetë subjekt i përndjekjes nga organet e rendit, shkruan Reporteri.net.

    “Një aktivitet e i përmasave të tilla nuk do të mund të bëhej pa shtetin e Serbisë, të Vuçiqit dhe njerëzve të tij”, ka deklaruar ai.

    Borrell foli në telefon me Kurtin dhe Vuçiqin për sulmin terrorist në veri: Sulmuesit të dorëzohen menjëherë, pelegrinët të lirohen

    Pas sulmit terrorist kundër policëve të Policisë së Kosovës, përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell ka folur me kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.

    Borrell përsëriti thirrjen e tij për sulmuesit që të dorëzohen menjëherë dhe lirimin e pelegrinëve në Manastirin e Banjskës, që ata të largohen të sigurt.

    Për sulmin terroristë ndaj Policisë së Kosovë në Veri kanë reaguar edhe shumë shtete, si dhe partitë opozitare, ku krerët e këtyre të fundit kanë vizituar policin e plagosur që po shërohet në QKUK.

    Para stacionit policor qendër është nderuar polici i vrarë, Afrim Bunjaku, ku janë ndezur qirinj, ku i pranishëm ishte edhe ambasadori amerikan Hovenier, kryeministri Kurti, ministra e qytetarë.

    Polici i vrarë në sulmin terrorist dje në veri, Afrim Bunjaku, sipas njoftimit pritet të varroset sot në ora 16:00  në fshatin e tij në Samadrexhë të Vushtrrisë. /Reporteri.net/.

     

     

     

     

     

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!