×
  • Lajme
  • Raporto
  • Lajme

    I sëmurë e në kushte të rënda ekonomike, Afrim Ismajli kërkon ndihmë për një “dhomë të vogël me banjo”

    Reporteri
    21 Korrik 2025 | 19:35

    Afrim Ismajli nga Perani i Podujevës ka nevojë për ndihmë. Ai i është nënshtruar para një viti një operacioni nga tumori, e prej atëherë thotë se as nuk mund të ecë. Problem i ka dalë me banesën me qira ku jeton, e cila ndodhet në katin e katërt, teksa objekti nuk ka fare lift.

    Gazetarja e Reporteri.net, Leonora Kolukaj, e ka vizituar Ismajlin, i cili i ka rrëfyer për jetesën e vështirë. Familja e tij tre anëtarëshe varet vetëm nga pensioni i tij invalidor në shumë prej 120 euro, ku pothuajse e gjitha thotë se i shkon për barna.

    Ai ka kërkuar që kushdo që ka mundësi t’ia sigurojë një dhomë e banjo, ku do të mund të hynte e dilte me karrocën e tij.

    “Prej operimit jam dalë shumë ma keq. Edhe qe 13 muaj nuk mundem me ec, as me ba kurgjë. Për momentin jam në banesë me qira në katin e katërt, lift nuk ka. Qe pesë ditë jam tu nejt te baxhanaku se s’po kam ku rri. Kam nevojë për një dhomë të vogël dhe një banjo, që me mujt me hy e me dal. Kam shumë kontrolla në spital”, rrëfen Ismajli.

    Gruaja e tij nuk punon meqënesë i duhet të kujdeset për të nonstop, e djalin e ka të vogël.

    Jetesën thotë se e bëjnë duke kërkuar ndihmë, e duke u dhënë të tjerët.

    “Jetoj me një pension invalidor 120 euro. Gruaja jeme s’punon kërkund se duhet me më kqyr mua rregullisht. Edhe në pampersa jam. S’jamë në gjendje as me shku në banjo. E kam blloku edhe gruan. Djalin e kam të vogël, e kam në shkollë. Tre anëtarë jemi me 120 euro. Gati 120 euro po më shkojnë barna. Po jetojmë tu lyp, tu na ndihmu dikush. Nëse ka dikush mundësi me më ndihmu, pak a shumë a. Së paku një dhomë të vogël e një banjo me ma liru së paku deri të shërohna. Jam në hall të madh. Nuk po di ku me nejt”, thotë Ismajli.

    Ismajli thotë se do të pranonte të jetonte edhe në ndonjë kontejner.

    “Kjo gjendje është e vështirë. Ishalla Zoti kujt nuk ia çon.  Ju lutna o ju njerëz të mirë, nëse keni mundësi me më ndihmu.  Jam prej hallit tu kërku ndihmë. Shumë e vështirë o me lyp, po s’po kam ka me ia majt, s’po di çka me ba. Po halli njerin e detyron gjithçka me ba. Vec një kontejner me pas diku, edhe aty pranoj me hy me jetu. Vec me pas rrafsh”.

    Kushdo që ka mundësi ta ndihmojë Afrim Ismajlin, mund të kontaktojë në këtë numër: 044 440 213.

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!