×
  • Lajme
  • Pa kategori

    Haradinaj takohet me ambasadorin amerikan në Gjermani, i thotë “JO” për këmbim të territoreve

    Reporteri
    29 Prill 2019 | 17:13

    Kryeministri Ramush Haradinaj ka zhvilluar takim me ambasadorin e ShBA-ve në Gjermani Richard Grenell të cilit thotë t’i ketë thënë se Qeveria e vendit kundërshton fuqishëm idenë e këmbimit të territoreve, duke e cilësuar si opcion të rrezikshëm dhe që do ta destabilizonte jo vetëm vendin por edhe rajonin.


    “Në kuadër të vizitës zyrtare në Berlin, sot zhvillova një takim me Ambasadorin e ShBA-ve në Gjermani Richard Grenell, të cilit i shpreha përkushtimin e Kosovës për procesin e dialogut me Serbinë, për konsolidimin e ekipit negociator të vendit dhe për zbatimin e marrëveshjeve ekzistuese, bazuar në ligjet dhe kushtetutën e vendit dhe se Kosova është e gatshme për tregti të lirë me Serbinë, si pjesë e një marrëveshje që rezulton me njohje reciproke.
    Theksova gjithashtu se Qeveria e vendit kundërshton fuqishëm idenë e këmbimit të territoreve, duke e cilësuar si opcion të rrezikshëm dhe që do ta destabilizonte jo vetëm vendin por edhe rajonin”, ka shkruar Haradinaj në Facebook, shkruan Reporteri.net.

    Më tej thotë t’i ketë folur edhe për siç pohon progresin në sundim të ligjit.

    “Ambasadorit Grenell i tregova për progresin e arritur në vend në fushën e sundimit të rendit dhe ligjit dhe për përkushtimin e Kosovës për marrëdhënie të mira ndërfqinjësore, gjithmonë në partneritet me aleatët tanë dhe me aspiratat tona për rrugën euro-atlantike.
    Roli i ShBA-ve në proceset e mëtejme politike të vendit është i domosdoshëm!”, ka shkruar Haradinaj.

    Kujtojmë se Haradinaj nuk takoi sot në Berlin shefen për Politikë të Jashtme të BE-së, Federica Mogherini, gjë që e bën presidenti Thaçi e ministri Pacolli.

    Kujtojmë se udhëheqësit shtetërorë të gjashtë vendeve të Ballkanit, të hënën, do të priten në Berlin nga kancelaria gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez Emmanuel Macron. Në mesin e tyre do të jenë edhe presidenti i Kosovës Hashim Thaçi e Kryeministri Ramush Haradinaj.

    Sipas agjendës të siguruar nga Reporteri.net nuk parashihet ndonjë takim të veçantë, sy me sy, mes liderëve kosovarë Thaçi e Haradinaj, me nikoqirët Merkel dhe Macron.

    /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!