Sekretari i përgjithshëm i Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi, thotë se ka qenë dëshira e tij që të mos inkuadrohet në asnjë nga pozitat në kuadër të ekzekutivit.
Kjo deklaratë e Sherifit vjen pas deputeti i NISMA Socialdemokrate, Haxhi Shala mbrëmë ka thënë se po të ishte vendosur në kryesi për votim ai nuk do ta miratonte emrin e Albulena Balajt-Halimit.
“Bilall Sherifi apo Zarifi Berisha do të përfaqësonin në mënyrë më të denjë NISMA-n si zëvendëskryeministër se Balaj-Halimaj”.
“Në takimin e parë që kemi pasur me kryetarin e partisë z. Fatmir Limaj, ku ishte i pranishëm edhe z. Haxhi Shala, dhe ku është diskutuar në parim për përfaqësimin e NISMËS Socialdemokrate në qeverinë e re të Kosovës, ua kam shprehur hapur qëndrimin tim se nuk do të angazhohem në asnjë nga pozitat në kuadër të ekzekutivit”, tha ai.
“Qëndrimi im lidhet me pikëpamjet që kam rreth kuadrove që duhet ta përfaqësojnë forcën tonë politike. Jam ithtar i hapjes së mundësive për kuadrot e reja profesionale, të atyre që janë ballafaquar me përditshmërinë e nevojave që kanë qytetarët tonë, sepse në këtë mënyrë do të hiqet logjika që kuadrot e reja duhet të vrapojnë për mbledhjen e votave, kurse përfaqësimin ta bëjnë “kuadrot e moçme”. Mendoj se është koha që kuadrot themeluese të partisë të shfrytëzojnë përvojën e tyre që të forcojnë NISMËN Socialdemokrate dhe kam bindjen e plotë se hapja rrugë për kuadrot e reja do të nxjerr në shesh kualitetet që kemi në mesin tonë. Në të kundërtën, do të shpërfaqim logjikën e ndrydhjes së kualiteteve të reja dhe do të binim në kundërshtim të plotë me frymën socialdemokrate’’, përfundon Sherifi.