Bota po hyn në një periudhë të re të rrezikut bërthamor, ndërsa tri fuqitë kryesore, Shtetet e Bashkuara, Rusia dhe Kina, po modernizojnë ose zgjerojnë arsenalet e tyre dhe po tregojnë gjithnjë e më pak gatishmëri për marrëveshje të reja për kontrollin e armëve.
Një analizë e The Economist, vë në pah një ndryshim të rëndësishëm krahasuar me periudhën e Luftës së Ftohtë: frika nga shkatërrimi bërthamor, e cila dikur i detyronte fuqitë rivale të kërkonin kompromis, duket se po humbet forcën e saj si faktor frenues, shkruan Reporteri.net.
Gjatë Luftës së Ftohtë, rreziku i një katastrofe bërthamore ndikoi disa herë drejtpërdrejt në vendimet e liderëve amerikanë dhe sovjetikë. Një nga rastet më të njohura ishte Kriza e Raketave në Kubë më 1962, kur John F. Kennedy dhe Nikita Khrushchev shmangën një përshkallëzim që mund të çonte në konflikt bërthamor.
Një tjetër moment vendimtar ishte takimi i Ronald Reaganit dhe Mikhail Gorbachevit në Reykjavik më 1986. Megjithëse samiti përfundoi pa marrëveshjen e synuar, ai konsiderohet se krijoi terrenin për marrëveshjet e mëvonshme që eliminuan kategori të tëra armësh bërthamore.
SHBA, Rusia dhe Kina në një realitet të ri
Sipas analizës, situata sot është ndryshe. SHBA-ja, Rusia dhe Kina po investojnë në zgjerimin ose modernizimin e kapaciteteve bërthamore, ndërkohë që disa marrëveshje të kontrollit të armëve kanë skaduar dhe negociatat për marrëveshje të reja po hasin në pengesa.
Presidenti amerikan Donald Trump e ka përshkruar prej kohësh një luftë bërthamore si katastrofike, por pikëpamjet e tij mbi mënyrën e menaxhimit të arsenaleve bërthamore kanë ndryshuar në periudha të ndryshme. Gjatë fushatës së vitit 2016, ai kishte ngritur edhe mundësinë që Japonia të zotëronte armë bërthamore për t’u mbrojtur nga Koreja e Veriut.
Në mandatin e tij të dytë, administrata e Trumpit po kërkon gjithashtu të zgjerojë bashkëpunimin bërthamor civil me partnerë si Arabia Saudite dhe Koreja e Jugut. Në të njëjtën kohë, Trump ka promovuar projektin e mbrojtjes raketore të quajtur “Golden Dome”, i cili synon të krijojë një sistem të avancuar për mbrojtjen e territorit amerikan nga sulmet me raketa.
Kina nuk pranon negociata trepalëshe
Presidenti kinez Xi Jinping është deklaruar publikisht kundër luftës bërthamore. Megjithatë, Pekini ka refuzuar kërkesat amerikane për t’iu bashkuar negociatave trepalëshe SHBA-Rusi-Kinë për kontrollin e armëve bërthamore.
Argumenti i zyrtarëve kinezë është se arsenali i tyre, megjithëse në rritje, vazhdon të jetë dukshëm më i vogël se arsenalet e dy fuqive të tjera kryesore bërthamore.
Në të njëjtën kohë, analiza vëren se Kina është më pak e gatshme se në të kaluarën të mbështesë presionin ndërkombëtar ndaj vendeve si Koreja e Veriut dhe Irani për shkak të ambicieve të tyre bërthamore.
Rusia dhe kërcënimi bërthamor
Një pjesë e rëndësishme e analizës i kushtohet Rusisë së Vladimir Putinit dhe përdorimit të retorikës bërthamore si instrument presioni në politikën ndërkombëtare.
The Economist argumenton se, ndryshe nga periudha e fundit e Bashkimit Sovjetik kur udhëheqja sovjetike kërkonte reduktimin e arsenaleve, Rusia e sotme përdor kërcënimet bërthamore si pjesë të strategjisë së saj të frikësimit dhe presionit ndaj vendeve të tjera.
Kjo e bën situatën veçanërisht shqetësuese në një kohë kur mekanizmat ndërkombëtarë të kontrollit të armëve janë dobësuar.
Analiza arrin në përfundimin se problemi nuk është vetëm numri i armëve bërthamore, por edhe ndryshimi i mënyrës se si fuqitë e mëdha e perceptojnë rrezikun.
Frika nga shkatërrimi reciprok, e cila për dekada shërbeu si një prej mekanizmave kryesorë frenues, po konkurron gjithnjë e më shumë me ambiciet gjeopolitike, rivalitetin mes fuqive dhe interesat politike të brendshme.
Nëse ky trend vazhdon, paralajmëron analiza, rreziku është që normalizimi gradual i kërcënimeve bërthamore ta bëjë më të vështirë kontrollimin e një arsenali që ka potencialin për pasoja katastrofike globale.