×
  • Lajme
  • Ekonomi

    Kurti pasi Kosova fitoi rastin kundër IuteCredit në Arbitrazh: I shpëtuam mbi 30 milionë Euro

    Reporteri
    18 Nëntor 2022 | 22:04

    Kryeministri Albin Kurti është lajmëruar në Facebook pasi Kosova fitoi rastin në Gjykatën e Arbitrazhit kundër Iute Credit.

    Kurti ka thënë se si pasojë e kësaj fitore, Ministria e Drejtësisë, i ka shpëtuar buxhetit të taksapaguesve mbi 30 milionë Euro, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    “Ministria e Drejtësisë, së bashku me Avokaturën Shtetërore, janë siguruar që Kosova të përfaqësohet dhe mbrohet denjësisht gjatë gjitha fazave të procedurës në arbitrazh, duke ia përkushtuar të gjitha resurset e nevojshme ekipit mbrojtës për ta bërë të mundur këtë rezultat. Si pasojë e kësaj fitore, Ministria e Drejtësisë, i ka shpëtuar buxhetit të taksapaguesve mbi 30 milionë Euro”, ka shkruar Kurti.

    Postimi i plotë:

    Republika e Kosoves shënon fitoren e radhës në arbitrazhin ndërkombëtar, duke vërtetuar ligjshmërinë e veprimeve institucionale ndaj investitorëve. Republika jonë ka krijuar ambient të përshtatshëm për investime të huaja dhe marrëdhënieve me investitorë i qaset me përkushtim e seriozitet të plotë.

    Kompania mikrofinanciare IuteCredit kishte paditur shtetin e Kosovës në arbitrazh me pretendimin që revokimi i licencës nga Banka Qendrore e Kosovës ishte arbitrar dhe i paligjshëm, pretendime këto që u hodhen poshtë në tërësi nga Tribunali i Arbitrazhit.
    Paneli i arbitrave vërtetoi që institucionet tona nuk kanë shkelur ndonjë nga obligimet e parapara sipas Ligjit për Investime të Huaja, duke konfirmuar ligjshmërinë e tyre.

    Ministria e Drejtësisë, së bashku me Avokaturën Shtetërore, janë siguruar që Kosova të përfaqësohet dhe mbrohet denjësisht gjatë gjitha fazave të procedurës në arbitrazh, duke ia përkushtuar të gjitha resurset e nevojshme ekipit mbrojtës për ta bërë të mundur këtë rezultat.

    Si pasojë e kësaj fitore, Ministria e Drejtësisë, i ka shpëtuar buxhetit të taksapaguesve mbi 30 milionë Euro.

    Gjatë këtij mandati qeverisës, kjo është fitorja e dytë e Kosovës në arbitrazhin e investimeve, pas rastit Selmani në padinë ndaj shtetit me vlerë të pretenduar rreth 65 milionë Euro.

    Falenderoj Ministrinë e Drejtësisë, Avokaturën Shtetërore në kuadër të Ministrisë si dhe ekipin përfaqësues të Squire Patton Boggs, për fitoren e Republikës së Kosovës.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!