Prokuroria Themelore në Prishtinë ka autorizuar Policinë e Kosovës që të grumbullojë provat dhe informatat e nevojshme për hetimet rreth objektit gjoja të përkohshëm që kishte nisur të ndërtohet në lagjen Arbëria në kryeqytet. Ndërtimi i objektit, në zonën ku parashihet për çerdhe u ndërpre një ditë pasi Gazeta Online Reporteri.net, më 9 maj 2024, publikoi hulumtimin rreth këtij rasti.
Se për këtë rast tashmë është aktivizuar edhe Prokurori e Shtetit ka konfirmuar për Gazetën Reporteri zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj.
“…Deri në sigurimin e informatave, ju njoftojmë se Prokurori i Shtetit ka autorizuar policinë për grumbullimin e provave dhe informatave lidhur me këtë çështje”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për Reporteri.net.
Pak ditë pas hulumtimit të publikuar nga Gazeta Reporteri, Drejtoria e Inspekcionit më 22 maj ka nisur rrënimin e objektit në fjalë. Drejtori i Inspekcionit, Florian Dushi, kishte deklaruar se vazhdimisht do ta bëjnë përcjelljen e rrënimit deri në përmbarimin e plotë të aktvendimit për rrënim.
“Pas pranimit të ankesave dhe inspektimeve në terren nga ana e Inspektoratit të Kryeqytetit, ka filluar rrënimi dhe evitimi i tejkalimeve të lejes ndërtimore të bëra nga ana e palës konform vendimit të Inspektoratit të Kryeqytetit në një ndërtim në lagjen Arbëria. Inspektorati i Kryeqytetit vazhdimisht do të bëjë përcjelljen e rrënimit deri në përmbarimin e plotë të aktvendimit për rrënim të lëshuar nga inspektorët kompetent të kryeqytetit”, njoftoi Dushi me 21 maj 2024.
Punimet e Inspekcionit për rrënimin e këtij objekti në Arbëri kanë vazhduar edhe të martën. Ekipi i Gazetës Online Reporteri.net ka parë në terren punëtorët duke punuar me ekskavatorë.
Kujtojmë se më 10 maj, nga Komuna e Prishtinës njoftuan se pas interesimit dhe hulumtimit të Gazetës Online Reporteri.net, është marrë vendim që të ndalohen punimet ndërtimore në objektin në fjalë në lagjen “Arberia 3”, në Prishtinë.
Kjo pasi objekti i cili ishte pajisur me leje për ndërtim të përkohshëm, po ndërtohej me beton dhe armaturë, në mospërputhje me projektin e miratuar sa i përket llojeve të materialeve të përdorura.
Sipas dokumentit të siguruar nga Gazeta Online Reporteri.net, leja për ndërtimin e këtij objekti të përkohshëm është lëshuar më 31 korrik 2023, nga Drejtoria e Urbanizmit në Komunën e Prishtinës e cila udhëhiqet nga drejtori, Arbër Sadiki – gati një vit pasi Kuvendi Komunal i Prishtinës [më 25 nëntor 2022], kishte shfuqizuar Rregulloren për procedurën e ndërtimit të objekteve me karakter të përkohshëm për persona fizikë dhe juridik.
Komuna njoftoi se pronari i tokës kërkesën për caktimin e kushteve ndërtimore e ka parashtruar më 28 korrik 2022 dhe Drejtoria e Urbanizimit ka caktuar kushtet ndërtimore për hartimin e dokumentacionit ndërtimor për ndërtimin e objektit me karakter të përkohshëm me destinim zyrë administrative.