Të martën, Apple pritet të shpallë versionet më të reja të iPhone, Apple Watch dhe AirPods në ngjarjen e saj vjetore të harduerit. Aktiviteti, që Apple e ka paralajmëruar me shprehjen “awe dropping”, do të nisë nga selia e kompanisë në Cupertino, Kaliforni, në orën 13:00 sipas kohës lokale të Lindjes së SHBA.
Edhe pse ngjarja e iPhone-it është gjithmonë më e rëndësishmja e vitit për Apple, këtë vit presioni për të impresionuar me pajisjet e reja është veçanërisht i madh.
Shitjet e kompanisë kanë qenë të luhatshme prej vitesh, iPhone ka mbetur prapa konkurrentëve në fushën e inteligjencës artificiale dhe Apple është përfshirë në mes të luftërave tregtare të presidentit Donald Trump. Duke marrë parasysh këto sfida, një përditësim i thjeshtë në opsionet e ngjyrave të iPhone-it apo në kapacitetet e kamerës, pothuajse me siguri nuk do të mjaftonte për të kënaqur përdoruesit ose aksionarët.
Aksionet e Apple kishin rënë rreth 2.5% që nga fillimi i këtij viti, deri në mbylljen e tregut të hënën në mbrëmje, duke mbetur kryesisht jashtë valës së madhe të rritjes që ka përfshirë tregun – veçanërisht teknologjinë e madhe – që nga pranvera.
Apple, si zakonisht, ka qenë e rezervuar për planet e saj për këtë aktivitet. Por raportohet se kompania shpreson që një model i ri dhe më i hollë i iPhone — potencialisht i quajtur “iPhone Air” — të jetë i mjaftueshëm për të nxitur një rritje të fortë të shitjeve, duke u ofruar konsumatorëve më shumë opsione përveç lëshimit të modeleve kryesore iPhone 17.
Thuhet se Apple do të shpallë katër modele të iPhone 17: iPhone 17, iPhone 17 Pro, iPhone 17 Pro Max dhe iPhone 17 Air.
Nga këto katër modele të pritshme, iPhone 17 Air ka gjasa të jetë tërheqja kryesore. Do të ishte hera e parë që Apple shton një pajisje më të hollë në linjën e saj, megjithëse kjo mund të vijë në kurriz të jetëgjatësisë së baterisë dhe kamerës, sipas Bloomberg. Raporti thotë se ekrani i tij pritet të jetë më i madh se ai i iPhone 17 të zakonshëm, por më i vogël se ai i Pro Max-it me përmasa të mëdha.
Modeli Air mund t’i ofrojë Apple-it një alternativë të re mes pajisjeve bazë dhe atyre të nivelit të lartë, pasi modelet Mini dhe Plus nuk arritën të gjenin popullaritet tek konsumatorët. Ndërkohë, marka “Air” do të ishte në përputhje me modelet në linjat e tjera të produkteve të Apple: MacBook Air dhe iPad Air.
Tarifat mund të detyrojnë rritjen e çmimeve të iPhone
Apple rrallëherë e rrit çmimin e produktit të saj më të rëndësishëm. Por këtë vit kjo mund të ndryshojë, me kompaninë që pret të pësojë një humbje prej 1.1 miliardë dollarësh për shkak të tarifave këtë tremujor.
Analistët e Morgan Stanley vlerësuan se Apple do ta rrisë çmimin e modelit iPhone Pro me 100 dollarë dhe do ta nxjerrë në treg iPhone Air me 100 dollarë më shumë se iPhone 16 Plus i nivelit të mesëm.
CNN/Reporteri.net/