×
  • Lajme
  • Lajme / Faza finale

    Ambasadori britanik në Serbi: Mbështesim anëtarësimin e Kosovës në KiE

    Reporteri
    20 Prill 2024 | 17:56

    Ambasadori i Britanisë së Madhe në Serbi, Edward Ferguson, ka thënë se Londra e mbështet anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe në organizatat tjera ndërkombëtare.

    “Sikurse shumë vende të Bashkimit Evropian, evropiane dhe vende të tjera, ne e konsiderojmë Kosovën shtet të pavarur. Britania e Madhe dëshiron që ta shohë Kosovën në KiE dhe organizatat e tjera, kur kushtet të jenë të pjekura për këtë”, ka thënë Ferguson për mediat në Serbi.

    Ferguson ka thënë se dëshiron që të shohë progres në formimin e Asociacionit.

    “Në të njëjtën kohë, duam të shohim progres në formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Kjo duhej të ndodhte kohë më parë, sepse është obligim nga Marrëveshja e Brukselit”, ka thënë ai.

    Gjithashtu, ambasadori britanik në Beograd ka theksuar se është me rëndësi që të zbatohet edhe Marrëveshja e Ohrit.

    Me 131 vota pro, 29 kundër dhe 11 mbetën abstenime, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës votoi të martën raportin e Dora Bakoyanis që fton KiE-në të pranojë Kosovën si anëtare të saj, duke shënuar një hap tejet të rëndësishëm drejt anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë.

    Pas kalimit në Asamble, Kosova tani pret rezultatin e votimit në Këshillin e Ministrave të Jashtëm për t’u bërë anëtare e plotë në KiE. /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!