×
  • Lajme
  • Botë / Lufta në Gaza

    Netanyahu paralajmëron se do t’i kundërshtojë sanksionet amerikane ndaj ushtrisë izraelite

    Reporteri
    21 Prill 2024 | 23:34

    Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, tha të dielën se do të luftojë kundër vendosjes së sanksioneve ndaj çdo njësie ushtarake izraelite, për shkelje të dyshuara të të drejtave të njeriut.

    Reagimi vjen pas njoftimeve në media se Uashingtoni po planifikonte një hap të tillë.

    Faqja e lajmeve në internet ‘Axios’ njoftoi të shtunën se Uashingtoni po planifikonte të vendoste sanksione ndaj batalionit izraelit “Netzah Yehuda”, i cili ka vepruar në Bregun Perëndimor të pushtuar, megjithëse ushtria izraelite tha se nuk ishte në dijeni të ndonjë mase të tillë.

    Të premten, Shtetet e Bashkuara njoftuan një sërë sanksionesh që lidhen me kolonët izraelitë në Bregun Perëndimor, çka sinjalizon zhgënjimin në rritje të Uashingtonit në lidhje me politikat e kryeministrit Netanyahu, koalicioni qeverisës i të cilit varet nga partitë e kolonëve.

    “Nëse dikush mendon se mund të vendosë sanksione ndaj një njësie të ushtrisë izraelite, unë do ta luftoj atë me të gjithë fuqinë time”, tha Netanyahu në një deklaratë.

    Ministri izraelit i kabinetit të luftës, Benny Gantz, ish-shef i forcave të armatosura, tha në një deklaratë të dielën se kishte folur me Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken, dhe i kishte kërkuar që ta rishqyrtonte çështjen.

    Gantz tha se sanksione të tilla do ishin gabim sepse do të dëmtonin legjitimitetin e Izraelit gjatë një kohe lufte dhe se ato ishin të pajustifikuara sepse Izraeli ka një sistem të pavarur drejtësie dhe një ushtri që respekton të drejtën ndërkombëtare.

    Departamenti i Shtetit refuzoi të fliste përtej komenteve të bëra të premten nga Sekretari Blinken.

    Sekretari Blinken tha të premten se kishte marrë “vendime” në lidhje me akuzat se Izraeli ka shkelur një sërë ligjesh amerikane që ndalojnë ofrimin e ndihmës ushtarake për individë ose njësi të forcave të sigurisë që kryejnë shkelje të rënda të të drejtave të njeriut.

    Në fillim të kësaj jave, organizata e lajmeve investigative “Pro Publica” njoftoi se një panel i posaçëm i Departamentit të Shtetit i kishte rekomanduar Blinkenit muaj më parë që njësi të shumta ushtarake dhe policore izraelite të skualifikoheshin nga marrja e ndihmës amerikane, pas akuzave për shkelje të të drejtave të njeriut.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!