×
  • Lajme
  • Lajme / Video

    Deklasimi i Vuçiqit e pezullimi i Krasniqit – Dy ngjarjet kryesore që ia vlen t’i lexoni në detaje edhe një herë

    Reporteri
    23 Prill 2024 | 23:00

    Presidenti serb Aleksandar Vuçiq është deklasuar në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    Fillimisht ai është përballur me presidenten Vjosa Osmani që përmendi krimet e Serbisë të kryera në Kosovë.

    Përveç përballjes së tij me presidenten e Kosovës, Vuçiqi para syve kishte edhe katër heroinat, të mbijetuarat e masakrave dhe dhunimeve gjatë luftës në Kosovë.

    Mirëpo Vuçiqit nuk i ka shkuar fjala as me kryesuesen e seancës.

    Replikat e tij vend e pa vend dhe propaganda në fjalime janë disa prej momenteve që shkaktuan pakënaqësi.

    Madje pati edhe rrahje tavolinash kur u zu duke gënjyer.

    Përplasja me kryesuesen nga Malta nisi kur ai kërkoi replikë pas fjalimit të presidentes së Kosovës. “Oh Zot” dëgjohet duke thënë kryesuesja kur pa ngritjen e dorës nga Vuçiqi.

    Pak orë më vonë, ajo u detyrua ta rrihte tavolinën kundër insistimit të Vuçiqit.

    Kryesuesja nga Malta, Vanessa Frazier, tha se “Vjosa Osmani e Aleksandar Vuçiq janë pajtuar të flasin nga 3 minuta”. Vuçiqi tha se nuk ka pasur pajtim. Frazier më pas iu kundërpërgjigj: “Zëvendësja më tha se u dakordua me ty dhe nuk do të pranoj që ajo të duket se është gënjeshtare”.

    Në njërën pjesë të fjalimit Osmani i është drejtuar Vuçiqit “viktimat e regjimit që u shërbeve me aq besnikëri qëndrojnë këtu z. Vuçiq. Shfrytëzoje rastin dhe kërkoju falje. Tregoju të gjithëve nëse të ka mbetur ndonjë troh njerëzimi”.

    Pezullohet nga puna profesori i akuzuar për ngacmime seksuale

    Me rekomandimin e Këshillit të Etikës, Rektori i Universitetit të Prishtinës ka aprovuar vendimin për ta pezulluar nga detyra profesorin e Fakultetit të Edukimit, Xhevat Krasniqi, raporton gazeta online Reporteri.net.

    Në mbledhjen e së martës, Këshilli i Etikës kishte rekomanduar suspendimin e profesorit Xhevat Krasniqi, dhe dërgimin e rastit të tij në organet kompetente.

    “Mbi bazën e vendimit të Këshillit të Etikës dhe me rekomandimit drejtuar Rektoratit, Rektori i UP-së mori vendim për pezullimin nga puna të prof. Xhevat Krasniqi me efekt të menjëhershëm, sipas kornizës normative përkatëse, derisa të përfundojnë veprimet hetuese nga ana e prokurorisë së shtetit”, thuhet në vendimin e Rektorit Qerim Qerimi.

    Xhevat Krasniqi, profesor i rregullt pranë Fakultetin e Edukimit, është denoncuar nga 27 studente të Fakultetit të Mjekësisë për ngacmim seksual.

    Ato e kanë denoncuar për ngacmim seksual edhe në Policinë e Kosovës profesorin Xhevat Krasniqi.

    Sipas një ankueseje, profesori i Fakultetit të Edukimit po jepte edhe lëndën e Matematikës në Fakultetin e Mjekësisë, e aty thuhet se kishte “demonstruar me duar fjalën ‘masazh’.

    “Kam hyrë të konsultohem me profin në fjalë dhe për të shikuar se ku m’i ka hequr 0.5 pikë nga provimi, e le që përgjigjen nuk e mora, por dola e tronditur nga ajo zyrë me një përgjigje aspak adekuate, morale dhe joprofesionale”, ka thënë njëra nga studentet në ankesën e saj që është paraqitur në Këshill. “E këtu po i citoj fjalët e tij: ‘Unë jam i drejtë në vlerësim, e kështu jam i drejtë, kur dush të bëj masazh’, i cili ma ka demonstruar me duar fjalën ‘masazh’ dhe është afruar për të më përqafuar”, thuhet në ankesë./Reporteri.net/.

     

     

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!