×
  • Lajme
  • Lajme / Kritika ndaj pushtetit

    Haradinaj: Raporti i DASH-it goditja më e fuqishme, duhet t’i shërbejë Qeverisë që të japë dorëheqje

    Reporteri
    23 Prill 2024 | 15:35

    Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka kritikuar Qeverinë Kurti, pas raportit të DASH-it të publikuar ditën e djeshme.

    Ai përmes një postimi në Facebook, ka thënë se qeveria ka mashtruar veten duke krijuar tituj bombastik për fitore të paqena kundër Serbisë por edhe ndërkombëtarëve.

    “Vetëmashtrimi i Qeverisë duke krijuar tituj bombastik për fitoret e paqena kundër Serbisë e në raste të caktuara edhe kundër komunitetit ndërkombëtar, janë gënjeshtrat të cilave Qeveria ka filluar t’ju besojë edhe vetë. Raporti i Departmentit Amerikan të Shtetit për Kosovën është goditja më e fuqishme që demistifikon këtë kurs të mashtrimit”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

    Haradinaj ka theksuar se raporti i DASH-it është goditja më e fuqishme ndaj Qeverisë dhe të gjithë jemi të shqetësuar.

    Ai ka shtuar se ky raport duhet t’i shërbejë Qeverisë që të japë dorëheqje.

    “Nuk besoj që ka qytetar të këtij vendi që sot nuk është i shqetësuar me gjetjet e këtij raporti në fushën e sundimit të ligjit, luftën kundër korrupsionit, lirinë e shprehjes, lirisë së mediave si dhe të drejtave të njeriut e plot fusha të tjera.

    Raporti i DASH-it është për vitin 2023 dhe nuk ka arritur të evidentojë edhe plot dështime të tjera, përfshirë këtu edhe qindra kontrata njëburimore në vlerë prej qindra milionë eurosh. Në një situatë normale ky raport i DASH-it do të duhej t’i shërbente Qeverisë për vetëreflektim, që nënkupton dorëheqjen e saj”, thuhet në reagimin e Haradinajt.

    Raporti i Departamentit të Shtetit për të Drejtat e Njeriut thotë se nuk pati ndryshime domethënëse gjatë vitit 2023 për situatën e të drejtave të njeriut në Kosovë.

    Ndër raportimet më të rëndësishme në lidhje me të drejtat e njeriut ishin problemet serioze me pavarësinë e gjyqësorit; kufizimet serioze ndaj lirisë së shprehjes dhe lirisë së mediave, përfshirë edhe nëpërmjet dhunës apo kërcënimeve ndaj gazetarëve; korrupsioni serioz i qeverisë; dhuna e gjerë me baza gjinore, përfshirë dhuna në familje, apo ndaj partnerëve; si dhe krimet e dhunshme, apo kërcënimet për dhunë ndaj pakicave etnike dhe komunitetet e tjera, raporton Zëri i Amerikës.

    Raporti i Departamentit të Shtetit thotë se qeveria e Kosovës ndërmori hapa të besueshëm, por jo të vazhdueshëm për të identifikuar, hetuar, akuzuar dhe ndëshkuar zyrtarët që mund të kenë abuzuar me të drejtat e njeriut.

    Korrupsion serioz i qeverisë dhe probleme me pavarësinë e gjyqësorit, këto janë gjetjet e raportit të Departamentit të Shtetit për Kosovën

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!