×
  • Lajme
  • Raporto
  • Lajme

    Kushtetuesja ex-oficcio masë të përkohshme për Kuvendin: Nga 27 korriku deri më 8 gusht deputetët të mos marrin asnjë vendim

    Reporteri
    24 Korrik 2025 | 21:28

    Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka vendosur të caktojë masë të përkohshme ex officio, përmes së cilës ndalohen çdo vendim dhe veprim i deputetëve të Kuvendit të Kosovës në lidhje me Seancën Konstituive pas përfundimit të afatit 30-ditor të përcaktuar në Aktgjykimin KO124/25.

    Kjo masë hyn në fuqi më 27 korrik 2025 dhe do të zgjasë deri më 8 gusht 2025, ndërsa është vendosur pa kërkesë nga palët, duke u bazuar në kompetencën e Gjykatës sipas Kushtetutës dhe ligjeve përkatëse, raporton gazeta online Reporteri.net.

    Kështu Gjykata Kushtetuese ka vendosur që:

    “I. TË CAKTOJË ex officio masën e përkohshme përmes të cilës ndalohet çdo vendim dhe veprim i deputetëve të zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës lidhur me Seancën Konstituive pas përfundimit të afatit 30 (tridhjetë) ditor, sikurse është përcaktuar me paragrafin 2 të pikës II të dispozitivit të Aktgjykimit KO124/25;

    II. TË URDHËROJË që masa e përkohshme hyn në fuqi më 27 korrik 2025, në kohëzgjatje deri më 8 gusht 2025;

    III. T’UA KUMTOJË këtë Vendim palëve;

    IV. TË PUBLIKOJË këtë Vendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me nenin 20.4 të Ligjit;

    V. Ky Vendim hyn në fuqi më 27 korrik 2025”.

    Vendimi është ex-officio në lidhje me kërkesën e parashtruar nga deputetët e PDK-së dhe LDK-së për vlerësim e kushtetutshmërisë së “Vendimit të Kuvendit për votimin e Komisionit për votim të fshehtë, në kuadër të vazhdimit të seancës konstituive të Legjislaturës IX të Kuvendit, të mbajtur sipas transkriptit të datës 29 qershor 2025”

    Në pikën e 27 të këtij aktgjykimi, përcjell Reporteri.net, thuhet se “Gjykata konsideron që nëse nuk vendoset masa e përkohshme ex officio ndaj vendimeve dhe veprimeve të deputetëve të zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës pas datës 26 korrik 2025, çdo vendim dhe veprim i ndërmarrë pas kësaj date deri në vendimmarrjen e Gjykatës lidhur me kërkesat mund të shkaktojë dëme të pariparueshme për rendin kushtetues të Republikës së Kosovës dhe funksionimin e institucioneve kyçe në Republikën e Kosovës në kuptim të neneve 2 [Sovraniteti], 4 [Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushtetit] dhe 7 [Vlerat] të Kushtetutës.”

    Vendimi është marrë unanimisht nga shtatë gjyqtaret që aktualisht e përbëjnë Gjykatën Kushtetuese.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!