×
  • Lajme
  • Lajme / Foto

    Presidentja Osmani organizoi pritje për përfaqësues të vendeve partnere të Kosovës pas seancës: Krenare që kemi kaq shumë miq e aleatë

    Reporteri
    23 Prill 2024 | 10:18

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka takuar përfaqësues të vendeve partnere pas takimit Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për Kosovën.

    Osmani përmes një postimi në X ka thënë se kjo ishte një mundësi e mirë për të diskutuar për rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit në institucionet euroatlantike.

    “E kënaqur që takohem me përfaqësues nga vendet partnere pas takimit të KS të OKB-së sot. Një mundësi e shkëlqyer për të festuar hapat e vazhdueshëm të Kosovës dhe për të diskutuar rrugën tonë të palëkundur drejt institucioneve euroatlantike. Kosova është krenare që ka kaq shumë miq dhe aleatë në krah të saj!”. Ka shkruar Osmani në X.

    Presidentja ka marrë pjesë të hënën në seancën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për Kosovën.

    Presidentja Osmani në këtë seancë të Këshillit të Sigurimit, ku të pranishme ishin edhe katër heroinat kosovare Fahrije Hoti, Vasfije Krasniqi, Elhame Muçolli dhe Shyrete Taihri e përballi Vuçiqin me krimet e luftës të kryera në Kosovë, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    Osmani para presidentit serb Alekandar Vuçiq ka treguar se Krasniqi ishte vetëm 16-vjeçare kur u dhuna nga forcat e Sllobodan Millosheviqit.

    “Sot me mua është edhe Vasfije Krasniqi Goodman, e cila ishte vetëm 16-vjeçare kur u dhunua jo vetëm një herë, por dy herë, nga forcat e Millosheviqit. Ata donin ta shkatërronin dhe t’ia vrisnin shpresën. Për këtë arsye ata pamëshirshëm zgjodhën një prej mjeteve më të rënda të luftës – dhunimin. “Do të vuash më shumë nëse të lëmë të gjallë”, i thanë ata asaj, teksa u lutej që ta vrisnin.

    Ani pse ka jetuar në horror, Vasvija lulëzoi për të nisur me vrull misionin e saj për të rritur ndërgjegjësimin globalisht për krimin brutal të dhunës seksuale në luftë dhe për t’u bërë e dërguara ime speciale mbi dhunën seksuale gjatë luftës. Sot, ajo punon ngushtë me partnerët në Ukrainë, Lindje të Mesme, kontinentin afrikan dhe gjetkë, duke ndarë ekspertizën e saj mbi qasjet më të përshtatshme për të mbështetur të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës. Ajo është e përkushtuar që të jetë afër të mbijetuarve në mbarë botën dhe është shndërruar në zërin e tyre derisa të vijë koha që ata të flasin vetë. Në këtë mision fisnik, asaj i bashkohet edhe Shyretja jonë”, tha ndër të tjera presidentja Osmani.

    Osmani ka thënë se më shumë se 1600 persona nga Kosova janë ende të zhdukur me forcë në varrezat masive në Serbi. Ani pse, siç tha ajo në Këshill të Sigurimit, është arritur marrëveshje në Bruksel për hapjen e arkivave, presidenti serb po vazhdon ta refuzojë atë. /Reporteri.net/

    Ballafaqimi në Këshillin e Sigurimit, presidentja Osmani e përballi Vuçiqin me krimet e luftës, presionin ndaj serbëve të Kosovës e sulmin në Banjskë

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!