×
  • Lajme
  • Lajme / Kritika ndaj pushtetit

    Raporti i DASH-it, LDK: I dha vulë paaftësisë së qeverisë Kurti, Kosova meriton qeverisje të pastër dhe të drejtë

    Reporteri
    23 Prill 2024 | 13:56

    Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar pas Raportit për Kosovën të publikuar dje nga Departamenti Amerikan i Shtetit, shkruan Reporteri.net.

    Sipas tyre, ky raport është konfirmim i shqetësimeve që kjo parti ka ngritur në vazhdimësi, dhe se i dha vulën paaftësisë së Qeverisë Kurti.

    “Lidhja Demokratike e Kosovës ka pranuar me shqetësim raportin e fundit të Departamentit amerikan të shtetit, për Kosovën për vitin 2023. Ky raport është konfirmim i të gjitha shqetësimeve tona të cilat janë ngritur në vazhdimësi. Raporti në fjalë i dha vulë paaftësisë së Qeverisë dhe korrupsionit, siç është cekur edhe në raport “korrupsionit serioz të Qeverisë”, thuhet në postimin e LDK-së në Facebook.

    Në reagimin e LDK-së thuhet se kjo parti vazhdimisht ka tërhequr vërejtjen dhe ka denoncuar publikisht dyshimet për korrupsion të qeverisë Kurti, ndërsa kanë ftuar Prokurorinë e Kosovës që të trajtojë të gjitha shqetësimet që ata kanë ngritur.

    “LDK, në vazhdimësi ka tërhequr vëmendjen dhe ka denoncuar publikisht dyshimet për korrupsion nga Qeveria, duke përfshirë edhe qindra tenderë sekretë që kjo qeveri ka nënshkruar, në vlerë prej mbi 240 milionë euro. Pra ka propagandë dhe nuk ka luftë kundër korrupsionit siç pretendon Qeveria e Kosovës, gjë të cilën e vërtetoi dhe raporti DASH-it.

    “Lidhja Demokratike e Kosovës, fton Prokurorinë e Kosovës që të trajtojë të gjitha shqetësimet e ngritura deri më sot. Kërkojmë që prokuroria të zbatojë ligjin pa asnjë pengesë dhe të hetojë me seriozitet të gjitha dyshimet për korrupsion dhe papërgjegjshmëri qeveritare”, thuhet në reagim.

    “LDK është e përkushtuar të vazhdojë të ngris zë në mbrojtje të institucioneve tona, nga korrupsioni që ka instaluar kjo Qeveri. LDK po ashtu do të shfrytëzojë të gjithë mekanizmat institucional që përgjegjësit për veprat e tyre të jenë para ligjit. Kosova meriton një qeverisje të pastër dhe të drejtë për të gjithë qytetarët e saj, dhe ne jemi të vendosur të punojmë drejt këtij qëllimi”./Reporteri.net/

    Korrupsion serioz i qeverisë dhe probleme me pavarësinë e gjyqësorit, këto janë gjetjet e raportit të Departamentit të Shtetit për Kosovën

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!