Lëvizja Vetëvendosje përmes një postimi në Facebook ka thënë se është pezulluar kontrata korruptive “Digjitalizimi i proceseve edukativo-arsimore” e Komunës së Prishtinës, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Sipas tyre, u dëshmua edhe njëherë që qeverisja e Prishtinës qëllim kryesor ka pasurimin e bashkëpunëtorëve dhe miqve.
Postimi i plotë:
PEZULLOHET KONTRATA KORRUPTIVE E KOMUNËS SË PRISHTINËS
Pas denoncimit të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, u ndalua edhe një tentativë e pushtetit komunal për ta keqpërdorur buxhetin e Prishtinës.
Pas alarmit tonë për kontratën e dyshimtë dhe abuzive për “Digjitalizimin e proceseve edukativo-arsimore”, ku fitues u shpall oferta më e lartë dhe pronarja e kompanisë doli të jetë bashkëpunëtore e Kryetarit Përparim Rama e mbështetëse e madhe e Lumir Abdixhikut, dhe pas ankesave të operatorëve tjerë konkurues, Organi Shqyrtues i Prokurimit ka vendosur PEZULLIMIN e këtij aktiviteti.
U dëshmua edhe njëherë që kjo qeverisje në kryeqytet, me të gjitha format dhe në secilin rast, qëllim kryesor e ka pasurimin e bashkëpunëtorëve dhe miqve, gjithmonë në dëm të pasurisë publike të qytetarëve të Prishtinës.