×
  • Lajme
  • Raporto
  • Lajme

    Brenda katër muajve, gruaja e Liburn Aliut u rehatua me dy puna të shtetit

    Reporteri
    05 Dhjetor 2024 | 14:24

    Bashkëshortja e Ministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, Lumnije Aliu është bërë me dy pozita shtetërore, njërën si shërbyese civile dhe tjetrën si anëtare bordi. Krejt kjo në diferencë kohore prej katër muajsh. Ajo nga sot do të jetë edhe anëtare e Bordit të Operatorit të Sistemit të Transmisionit KOSTT-it, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    Kuvendi i Kosovës në seancën e sotme e ka emëruar Lumnije Aliun si anëtare të Bordit të Operatorit të Sistemit të Transmisionit KOSTT-it, ku do të ketë mandat 4-vjeçar. Zgjedhja e saj në këtë pozitë u bë me votat e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje – partisë në pushtet.

    Përpos kësaj pozite, Lumnije Aliu mban edhe një pozitë tjetër shtetërore.

    Gazeta online Reporteri.net, në gusht të këtij viti, raportoi se Lumnije Aliu është emëruar në pozitën e Ekspertit për Transparencë dhe Qasje në Dokumente Publike në Agjencinë për Informim dhe Privatësi (AIP).

    Njoftimi se gruaja e Ministrit Aliu është përzgjedhur për këtë pozitë ishte bërë nga Njësia e Menaxhimit të Burimeve Njerëzore e AIP-it n më 8 korrik. Aliu, sipas dokumentit që kishte siguruar gazeta online Reporteri.net,  thuhej se ka dalë kandidatja më e suksesshme në këtë konkurs.

    Bazuar në disa deklarime të më hershme të pasurisë së Liburn Aliut, para se ai të kishte postin ministror, gruaja e tij deklaronte se ishte e punësuar në kompani private që lidheshin me lëminë e inxhinierisë dhe projektimeve.

    Gruaja e Liburn Aliut rehatohet në punë të shtetit

    Rehatimi i familjarëve të figurave të LVV-së në institucionet e shtetit, përmes punësimeve e avancimeve në detyrë, është rritur dukshëm në muajt e fundit,  ndërkohë që vendi po përgatitet për zgjedhjet e rregullta parlamentare të cilat janë caktuar të mbahen, më 9 shkurt 2025.

    Gjatë ditës së sotme, përpos Lumnije Aliut, si anëtar Bordi në KOSTT është rehatuar edhe Gëzim Tosuni, nipi i zëvendëskryeministrit të parë të Kosovës, Besnik Bislimit.

    “Kushërinjtë janë për te shtëpia, familja është te shtëpia. Kur të bahet ministër dikush, a zëvendësministër, deputet a kryeministër duhet me u bë vetëm ai person, jo me shku me krejt fisin aty. Fisi është për dasmë, për gazmend privat…“, është një nga deklaratat më të famshme të Kryeministrit Kurti, kur si opozitar kritikonte nepotizmin në institucionet publike. /Reporteri.net/.

    Me votat e VV-së, gruaja e Liburn Aliut dhe nipi i Besnik Bislimit emërohen në Bordin e Drejtorëve të KOSTT

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!