Kohëve të fundit, në Prishtinë u mbajt një konferencë tjetër e Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës – një organizatë e themeluar nga një ish-ministër i shëndetësisë, i cili, pas një mandati të dështuar e pa ndonjë rezultat të prekshëm, u rikthye në skenë me një ide të re: krijimin e një “kolegj” si kopje e modeleve amerikane. Por në thelb, kjo iniciativë nuk është asgjë tjetër veçse një tentativë për të mbuluar frustrimin personal nga dështimi i mëhershëm në udhëheqje publike, duke e veshur me petkun e një “misioni profesional”.
Kolegji i Kirurgëve të Kosovës, që në pamje të parë tingëllon si diçka e denjë për respekt, në praktikë është kthyer në një strukturë formale pa substancë, një lloj platforme vetëlavdërimi për disa individë që e shohin mjekësinë si mundësi për promovim personal dhe jo si mision njerëzor. Në vend të zhvillimit të vërtetë profesional e shkencor, kemi një përzierje të ligjëratave të përsëritura, fjalimeve pompoze dhe sesioneve fotografike që përfundojnë me darka e kokteje.
Në një vend si Kosova, ku sistemit shëndetësor i mungojnë pajisjet bazike, ku spitalet janë të rrënuara dhe ku pacientët shpesh udhëtojnë jashtë vendit për trajtime që duhet t’i marrin këtu, këto “konferenca shkencore” duken si një farsë e hidhur. Në vend që të trajtojnë plagët e vërteta të shëndetësisë – mungesën e profesionalizmit, abuzimet dhe mungesën e vizionit – ato shërbejnë vetëm për të krijuar përshtypjen se “po bëhet diçka”.
Por, a po bëhet me të vërtetë diçka?
A ka ndonjë rezultat konkret nga këto takime me emra të mëdhenj dhe premtime të mëdha?
A është përmirësuar ndonjë praktikë kirurgjikale, a është ngritur cilësia e trajtimit, a janë trajnuar vërtet mjekët e rinj nga këto “simpoziume”? Përgjigjja është e thjeshtë dhe e hidhur: jo.
Kosova nuk ka nevojë për konferenca luksoze që përfundojnë në albumet e Facebook-ut. Ka nevojë për diçka shumë më të thjeshtë e më të ndershme – për përkushtim të vërtetë ndaj pacientit dhe për solidaritet profesional me kolegët që punojnë në kushte të pamundura. Ka nevojë që kirurgët dhe mjekët shqiptarë që kanë bërë karrierë të suksesshme në perëndim të mos mjaftohen me një fjalim ceremonial, por të kthehen për disa javë apo muaj e të punojnë krah për krah me mjekët vendorë në QKUK e në spitalet rajonale. Ky është kontributi real. Kështu bëjnë shumë mjekë nga Amerika Latine apo Azia që, edhe pse jetojnë e punojnë në SHBA apo në Evropë, çdo vit gjejnë kohë për t’u kthyer në vendlindje, për të operuar pacientë, për të dhënë trajnime e për të lënë pas dije dhe përvojë.
Kjo është dashuri ndaj atdheut – jo fjalimet nga podiumet, jo shtrëngimet e duarve në sallat e konferencave.
Kosova ka nevojë për punë konkrete, për mbështetje reale, për investim në njerëz dhe në sistem, jo për sfilata akademike që i shërbejnë më shumë egos sesa pacientit.
Ministria e Shëndetësisë duhet të gjejë mënyra konkrete që kirurgët dhe mjekët që punojnë në klinika evropiane apo amerikane të kenë mundësi të shkëmbejnë përvoja profesionale me kolegët në Kosovë, përmes programeve të organizuara, jo spontane.
Ky bashkëpunim duhet të jetë pjesë e një projekti afatmesëm, deri në 10 vjet, që të ketë ndikim real në sistem. Një plan i tillë duhet të përmbysë praktikën e dërgimit të pacientëve jashtë vendit për trajtime që, me pak investim dhe organizim, mund të kryhen këtu, sidomos në kirurgjinë e fëmijëve dhe kardiokirurgji – dy fusha ku Kosova ende varet nga misionet humanitare të huaja.
Ky bashkëpunim mund të zhvillohet nëpërmjet një marrëveshjeje të drejtpërdrejtë midis Qeverisë dhe mjekëve shqiptarë në perëndim, në mënyrë që përvoja e tyre të instalohet në sistemin publik të shëndetësisë. Vetëm kështu mund të krijohet një sistem ku trajtimi cilësor të mos jetë privilegj për ata që kanë “dy lekë”, por e drejtë për çdo qytetar.
QKUK duhet të shndërrohet në një qendër referimi e trajnimi, që të jetë jo vetëm funksionale, por edhe fitimprurëse për shtetin, duke ndaluar rrjedhjen e milionave eurove që çdo vit dalin jashtë vendit për trajtime që mund të kryhen këtu.
Për fat të keq, deri më tani mungon çdo interesim serioz nga shteit i Kosoves për një vizion të tillë. Politikat tona shëndetësore mbeten të ngulitura në improvizime, në projekte afatshkurtra, në “evente” që duken mirë në media, por nuk lënë asnjë gjurmë në terren. Kjo është mizore dhe pa perspektivë. Një sistem që nuk investon në përgatitjen e kuadrove për sëmundjet specifike është sistem i destinuar të dështojë.
Në fund të ditës, pacienti kosovar ka nevojë për një bisturi të sigurt, jo për një mikrofon.
Ka nevojë për reforma të menduara, jo për ngjarje ceremonialë.
*Autori Dr.med. Ylli H. Mehmeti është mjek Radiolog me profesion.