Një avokat në SHBA, që ka të njëjtin emër me themeluesin e Facebookut, Mark Zuckerberg, ka paditur kompaninë Meta, duke pretenduar se platforma i ka pezulluar vazhdimisht llogarinë duke e akuzuar gabimisht për “imitim të një personi të famshëm”.
Mark S. Zuckerberg, avokat për çështjet e falimentimit në Indiana, thotë se llogaria e tij është bllokuar pesë herë gjatë tetë viteve të fundit, duke i shkaktuar humbje prej mijëra dollarësh në biznes. Ai thekson se ka 38 vite që ushtron profesionin e avokatit – që nga koha kur Mark E. Zuckerberg, sot një nga njerëzit më të pasur në botë, ishte ende fëmijë.
Meta njoftoi se e ka rikthyer llogarinë e avokatit dhe po merr masa që kjo situatë të mos përsëritet, raporton BBC.
“Nuk është për t’u tallur,” tha avokati për televizionin lokal WTHR në Indianapolis. “Jo kur ata të marrin paratë.”
Padia e paraqitur në Gjykatën Supreme të Marionit pretendon se Meta ka shkelur kontratën, pasi avokati kishte shpenzuar 11,000 dollarë për reklama që u hoqën padrejtësisht. “Është njësoj si të blesh një billboard buzë autostradës, të paguash për të, dhe më pas ata të mbulojnë reklamën me një batanije gjigante. Ti nuk përfiton asgjë nga ajo që ke paguar,” tha ai.
Zuckerberg ka treguar se i është dashur të dërgojë disa herë kartat e identitetit, kartat e kreditit dhe foto të fytyrës për të provuar se emri i tij është i vërtetë. “Unë jam Mark Steven, ai është Mark Elliot,” shpjegoi ai.
Llogaria e tij u mbyll sërish në maj të këtij viti dhe u rikthye vetëm pasi ai paraqiti padinë.
Meta deklaroi se: “E kemi rivendosur llogarinë e Mark Zuckerberg, pasi konstatuam se ishte mbyllur gabimisht. E vlerësojmë durimin e tij dhe po punojmë që ky problem të mos përsëritet.”
Avokati, i specializuar në ligjin e falimentimeve, ka hapur edhe një faqe interneti për të dokumentuar rastet e ngatërrimeve me emrin e tij, përfshirë edhe një episod kur u padit gabimisht nga shteti i Uashingtonit për abuzim.