×
  • Lajme
  • Lajme

    Hovenier pas diskutimit për Asociacionin: Vazhdojmë të avokojmë për zbatimin e të gjitha zotimeve të dialogut

    Reporteri
    31 Janar 2023 | 12:57
    Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier.

    Ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Jeffrey Hovenier, është deklaruar pas përfundimit të takimit rreth Asociacionit në Ambasadën Amerikane.

    Hovenier ka shkruar se SHBA-ja do të vazhdojë të avokojë për zbatimin e të gjitha zotimeve të dialogut, shkruan Reporteri.net.

    “Sot mbajtëm një diskutim në ambasadën amerikane në Prishtinë për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe. Mirënjohës ndaj palëve të ndryshme të interesuara të pranishëm për ndarjen e pikëpamjeve dhe ekspertizës së tyre. Ne vazhdojmë të avokojmë për zbatimin e të gjitha zotimeve të Dialogut”, ka shkruar Hovenier.

     

    Në takim morën pjesë përfaqësues nga Kryeministria e Presidenca, përfaqësues të partive opozitare, diplomatë e pjesëtarë të shoqërisë civile.

    Aty nuk ishte prezent kryeministri i vendit, Albin Kurti. Kurti gjatë javës së kaluar tha se nuk ka marrë ftesë për takim, gjersa sot nuk komentoi shumë, por tha se kabineti i tij është prezent aty.

    Kujtojmë se gjatë ditës së djeshme Fondacioni “Friedrich-Ebert-Stiftung” dhe “Instituti Evropian për Paqe” kanë publikuar draft-statutin për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

    Sipas këtij draft-statuti, Asociacioni do të formohet në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Drafti në fjalë që i ka 18 nene, përgjithësisht është i ngjashëm me atë të mëparshmin që ishte rishfaqur në publik muaj më parë. Veç se në këtë draftin e ri, Asociacioni është riemërtuar në “Asociacioni i Komunave në të cilat komuniteti serb kosovar është shumicë”.

    Po dje, përmes një teksti autorial, Derek Chollet, Këshilltar i Departamentit amerikan të Shtetit dhe Gabriel Escobar, i dërguar i Posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, i kanë bërë thirrje përsëri Kosovës për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

    Chollet dhe Escobar kanë thënë gjithashtu se ndër qëllimet më të rëndësishme të Amerikës në Ballkanin Perëndimor është që të ndihmojnë në krijimin e kushteve “për marrëdhënie të shëndetshme, paqësore dhe të qëndrueshme ndërmjet Serbisë dhe Kosovës”.

    “Gjatë javëve të shkuara, së bashku me Francën, Gjermaninë, Italinë dhe BE-në, kemi udhëtuar në Beograd dhe Prishtinë për të inkurajuar të dyja palët që të pranojnë propozimin e BE-së për të dy vendet që të normalizojnë marrëdhëniet, të ndërprejnë ciklin e krizave dhe konfrontimit, dhe të çojnë përpara me vendosmëri integrimin e tyre evropian. Kjo është mundësi historike që ne besojmë të dy palët duhet ta shfrytëzojnë”, thuhet ndër të tjera në tekstin e tyre. /Reporteri.net/.

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!