×
  • Lajme
  • Lajme / Disa runde të pasuksesshme

    Lajçaku paralajmëron një takim tjetër për “çështjen e dinarit”: U ngushtua hendeku mes palëve, pres propozime

    Reporteri
    23 Prill 2024 | 15:06

    Emisari i BE-së, Miroslav Lajçak, ka bërë përmbledhjen rutinë të një jave punë me çështjet e Ballkanit Perëndimor, të cilën e nisi me një vizitë në Bosnjë e Hercegovinë.

    Për takimin e javës së kaluar të nivelit teknik mes Kosovës dhe Serbisë, Lajçak tha se ndihmoi për të ngushtuar hendekun mes palëve mbi “çështjen e dinarit”.

    Lajçak ka lajmëruar edhe për një takim tjetër mes zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi dhe kryenegociatorit serb, Petar Petkoviq. Ai tha se nga palët pret propozime konkrete që e çojnë përpara çështjen.

    “Nga Bosnja u ktheva në Bruksel për vazhdimin e përpjekjeve të Kosovës dhe Serbisë për të gjetur një mes në lidhje me të ashtuquajturën “çështje të dinarit”. Diskutuam një zgjidhje të mundshme të përkohshme për qytetarët e prekur nga vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës për operimin me para të gatshme dhe besoj se ia dolëm ta ngushtojmë boshllëkun. Në të njëjtën kohë, disa dallime mbeten dhe për këtë arsye do të pres sërish dy kryenegociatorët në Bruksel dhe pres që bisedimet tona të bazohen në ide shumë konkrete, të cilat do të na mundësonin të ecim përpara në interes të popullit”, ka shkruar Lajçak.

    Ai përmendi edhe pjesëmarrjen e tij në edicionin e parë të konferencës “Miqtë e Ballkanit” në Slloveni, e cila u organizua nga instituti i ish-presidentit slloven, Borut Pahor, i cili synon pozitën e Lajçakut pas përfundimit të mandatit të tij në gusht.

    Të enjten e kaluar, ka përfunduar pa ndonjë marrëveshje edhe rundi i katërt në përgjithësi mes kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, për çështjen e dinarit serb, përdorimi i të cilit u ndalua në Kosovë në shkurt.

    Pas takimit, Bislimi tha se pala serbe kishte shkuar në kryqendrën europiane pa ide për trajtimin e një propozimi fillestar që e kishte sjellë në tavolinë ndërmjetësi Lajçak.

    “Ky takim mund të quhet si takim i kotë, pa rezultat, dhe ndoshta si sukses i politikës penguese të palës serbe”, tha ai.

    Petkoviq, ndërkaq tha se bëri gjithçka për ta gjetur një zgjidhje dhe se kishte “një propozim konstruktiv” që sipas tij, Lajçak e vlerësoi si “shumë të mirë për vazhdimin e bisedimeve”. /Reporteri.net/

    Edhe një rund i pasuksesshëm në Bruksel për dinarin

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!