×
  • Lajme
  • Lajme / Takimi mes kryenegociatorëve

    Edhe një rund i pasuksesshëm në Bruksel për dinarin

    Reporteri
    18 Prill 2024 | 14:54

    Ka përfunduar pa ndonjë marrëveshje të enjten edhe rundi i ri dhe i katërt në përgjithësi mes kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, për çështjen e dinarit serb, përdorimi i të cilit u ndalua në Kosovë në shkurt.

    Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, tha pas takimit se pala serbe nuk ka ardhur me ide se si të trajtohet propozimi fillestar i të dërguarit të Bashkimit Evropian, Mirosllav Lajçak, “por ata kanë paraqitur propozimin e tyre”.

    Kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq, tha se Beogradi “bëri gjithçka për të gjetur një zgjidhje”.

    “Ne dolëm me një propozim konstruktiv dhe ai propozim u vlerësua nga Brukseli, pra Lajçak, si një bazë shumë e mirë për vazhdimin e bisedimeve”, tha ai.

    Duke iu drejtuar mediave pas takimi, Petkoviq bëri të ditur se javën e ardhshme do të mbahet një rund tjetër bisedimesh.

    “Në anën tjetër, kemi Prishtinën, e cila ka ardhur në Bruksel pa komentuar idetë e BE-së dhe kjo tregon qartë se pala tjetër nuk dëshiron të pajtohet për asgjë”, sipas tij.

    I dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun, Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, u takua ndaras me kryenegociatorin Petkoviq, dhe me kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimi.

    Për dallim nga takimet e kaluara, të enjten nuk kishte takim trepalësh mes tyre.

    Lajçak kishte thënë ditë më parë se në takimin e kësaj së enjte synohej gjetja “e një zgjidhjeje të përkohshme” për personat e prekur nga vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës.

    Më 1 shkurt në Kosovë hyri në fuqi një rregullore e BQK-së, e cila ndalon përdorimin e dinarit serb për kryerjen e pagesave.

    Për çështjen e dinarit serb, delegacionet e Kosovës dhe Serbisë kanë zhvilluar edhe takime në të kaluarën, të cilat kanë përfunduar pa ndonjë përparim.

    Rundi i fundit i bisedime për këtë çështje mes kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi, dhe atij të Serbisë, Petar Petkoviq, nën ndërmjetësimin e BE-së, u zhvillua më 4 prill. Pas atij takimi, Bislimi deklaroi se palët ende kanë “dallime të mëdha”, ndërkaq Petkoviq tha se Kosova nuk tregoi “vullnet të mjaftueshëm” për të arritur një marrëveshje për këtë çështje./Radio Evropa e Lirë

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!