×
  • Lajme
  • Lajme / Raporti për të Drejtat e Njeriut

    Opozita kritikon pushtetin: Raporti i DASH-it vulosi paaftësinë e qeverisë Kurti, duhet të japë dorëheqje

    Reporteri
    23 Prill 2024 | 17:16

    Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit për të Drejtat e Njeriut për vitin 2023 i publikuar të hënën e 22 prillit, thotë se nuk pati ndryshime domethënëse gjatë vitit 2023 për situatën e të drejtave të njeriut në Kosovë, por janë përmendur problemet serioze me pavarësinë e gjyqësorit, kufizimet serioze ndaj lirisë së shprehjes dhe lirisë së mediave, përfshirë edhe nëpërmjet dhunës apo kërcënimeve ndaj gazetarëve, korrupsioni serioz i qeverisë, dhuna e gjerë me baza gjinore, përfshirë dhuna në familje, apo ndaj partnerëve; si dhe krimet e dhunshme, apo kërcënimet për dhunë ndaj pakicave etnike dhe komunitetet e tjera.

    Sipas këtij Raporti të publikuar ditën e djeshme, thuhet se qeveria e Kosovës ndërmori hapa të besueshëm, por jo të vazhdueshëm për të identifikuar, hetuar, akuzuar dhe ndëshkuar zyrtarët që mund të kenë abuzuar me të drejtat e njeriut, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    Lidhur më këto gjetje të Raportit të DASH-it, opozita ka pasur kritika ndaj pushtetit aktual.

    Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri ka thënë se Raporti i DASH-it ka konfirmuar atë që kjo parti e thonë vazhdimisht “në qeverinë Kurti ka korrupsion serioz”.

    Tahiri përmes një postimi në Facebook ka thënë se Partia Demokratike e Kosovës tash e sa kohë ka ngritur shqetësimin për skandalet e kësaj qeverie.

    “Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit e vërtetoi atë që jemi duke e thënë vazhdimisht ne si Parti Demokratike – në Qeverinë Kurti ka korrupsion serioz qeveritar.
    Tash e sa kohë, ne e kemi ngritur problemin e shumë skandaleve të korrupsionit të Qeverisë Kurti – prej skandalit të rezervave shtetërore e deri te kontratat njëburimore në vlerë prej mbi 200 milion eurove”, ka shkruar Tahiri në Facebook.

    Sipas tij, partia në pushtetit vazhdimisht ka refuzuar kërkesat e kësaj partie për themelimin e komisioneve hetimore, e që sipas tij kjo i shton edhe më shumë dyshimet për këto, siç i quan ai skandale të kësaj qeverie.

    “Fakti që Vetëvendosja në vazhdimësi ka refuzuar kërkesat tona për themelimin e komisioneve hetimore parlamentare, i shtonte dyshimet se sa thellë ishin zhytur në këto skandale. Tani, raporti i Departamentit të Shtetit vetëm se i vërtetoi këto dyshime”, shkroi shefi i grupit parlamentar të PDK-së në Facebook.

    Raporti i DASH-it, Tahiri: U vërtetua ajo që PDK thotë vazhdimisht se “në qeverinë Kurti ka korrupsion serioz”

    Pas publikimit të këtij Raporti ka edhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Kjo parti thotë se një gjë e tillë veçse i ka dhënë vulë paaftësisë së qeverisë Kurti.

    Në reagimin e LDK-së thuhet se kjo parti vazhdimisht ka tërhequr vërejtjen dhe ka denoncuar publikisht dyshimet për korrupsion të qeverisë Kurti, ndërsa kanë ftuar Prokurorinë e Kosovës që të trajtojë të gjitha shqetësimet që ata kanë ngritur.

    Raporti i DASH-it, LDK: I dha vulë paaftësisë së qeverisë Kurti, Kosova meriton qeverisje të pastër dhe të drejtë

    Për Avdullah Hotin gjetjet e DASH-it janë shqetësuese për institucionet e Republikës së Kosovës.

    Ish-kryeministri në një postim të bërë në Facebook ka thënë se në raport theksohet prezenca e korrupsionit serioz qeveritar, kufizimet e lirisë së shprehjes dhe medias, përfshirë dhunën dhe kërcënimet ndaj gazetarëve, pasi sipas tij, një gjë e tillë ka qenë e pritur, pas aferave me ambasadorin Martin Berishaj, rezervat shtetërore dhe aferat korruptive në KEK.

    Tutje, Hoti ka thënë se Raporti thekson një të vërtetë të hidhur dhe tregon se s’ka pasur reflektim as nga Qeveria dhe as nga presidentja e shtetit.

    “Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit është shqetësues për institucionet e Republikës së Kosovës. Raporti thekson për, prezencën e korrupsionit serioz qeveritar, probleme me pavarësinë gjyqësorit dhe me kufizime serioze për lirinë e shprehjes dhe lirinë e medias, duke përfshirë dhunën ose kërcënimet me dhunë ndaj gazetarëve. Kjo ka qenë e pritur pas aferave, sikur ajo e Ambasadorit Berishaj, me rezerva shtetërore, aferat korruptive në KEK dhe tani me ambalazhuesit e ujit. Në vend që të kërkojnë drejtësi, bartësit e instirucioneve dalin në mbrojtje publikisht ndaj personave të dyshuar. E kanë bërë normë sulmin ndaj Gjykatës Kushtetuese, Kryeprokurorit të shtetit dhe shantazhimin e kërcënimet ndaj gazetarëve dhe mediave.
    Raporti i DASH është një e vërtetë e hidhur që e kemi përmendur disa herë. Nuk ka pasur asnjë reflektim nga qeveria dhe më e rëndësishmja nga Presidentja e shtetit, e cila ka mandat kushtetues t’i mbrojë institucionet e pavarura. Kjo qeveri ka tendencë për të imponuar një sistem diktatorial, në mënyrë që Kryeministri të kontrolloj gjithçka: qeverinë, gjyqësinë, kuvendin, presidencën dhe mediat”, ka shkruar Hoti në postimin e bërë në Facebook.

    Hoti: Raporti i DASH shqetësues për Kosovën, Qeveria Kurti me tendencë për diktaturë

    Kritika ndaj pushtetit lidhur me Raportin e DASH-it ka pasur edhe deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi. Sipas saj, ky raport ishte një shuplakë e rëndë për Kosovën.

    Derisa për korrupsionin që theksohet aty, Krasniqi ka thënë se tanimë nuk është lajm për pushtetin pasi siç thotë ajo, eksponentët kryesor të qeverisë i dalin në mbrojtje atyre që janë të pandehur para gjykatës për afera korruptive.

    Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj ka thënë se Raporti i DASH-it ishte goditja më e fuqishme dhe se nënkupton që kjo qeveri duhet të japë dorëheqje.

    “Vetëmashtrimi i Qeverisë duke krijuar tituj bombastik për fitoret e paqena kundër Serbisë e në raste të caktuara edhe kundër komunitetit ndërkombëtar, janë gënjeshtrat të cilave Qeveria ka filluar t’ju besojë edhe vetë. Raporti i Departmentit Amerikan të Shtetit për Kosovën është goditja më e fuqishme që demistifikon këtë kurs të mashtrimit”, ka shkruar mes tjerash Haradinaj në Facebook.

    Në Raportin për Kosovën të publikuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit përmendet edhe ushtrimi i presionit dhe frikësimi i serbëve në veri nga ana e Listës Serbe.

    Aty thuhet se Qeveria serbe vazhdoi të operojë struktura të paligjshme paralele qeveritare në zonat me shumicë serbe të Kosovës dhe në zonat e banuara kryesisht nga komuniteti goran i Kosovës duke i përdorur këto struktura për të ndikuar te ky komunitet dhe përfaqësuesit e tyre politikë.

    Në raport përmenden zgjedhjet e vitit 2021, ku siç thuhet është evidentuar presion dhe frikësim tek komunitetet pakicë për të mbështetur Listën Serbe dhe partitë e rreshtuara me të.

    “Qeveria serbe vazhdoi të operojë struktura të paligjshme paralele qeveritare në zonat me shumicë serbe të Kosovës dhe në zonat e banuara kryesisht nga komuniteti goran i Kosovës. Qeveria serbe shpesh i përdorte këto struktura për të ndikuar në komunitetet serbe dhe gorane të Kosovës dhe përfaqësuesit e tyre politikë.

    “Vendi zhvilloi zgjedhjet parlamentare në shkurt 2021. Vëzhguesit ndërkombëtarë i konsideruan kryesisht zgjedhjet të drejta dhe pa abuzime dhe parregullsi. Vëzhguesit ndërkombëtarë dhe të pavarur, si dhe përfaqësuesit e grupeve të pakicave etnike raportuan shqetësime në lidhje me mungesën e konkurrencës në zonat serbe të Kosovës dhe vunë në dukje presion dhe frikësim brenda komuniteteve pakicë etnike për të mbështetur partitë e rreshtuara me Listën Srpska, një parti e lidhur ngushtë me qeverinë serbe.

    “Perspektivat për partitë opozitare në zonat serbe të Kosovës mbetën të kufizuara, megjithatë, për shkak të presionit të raportuar dhe taktikave të frikësimit për të ndikuar tek serbët e Kosovës që të mbështesin Listën Serbe”, thuhet në raport./Reporteri.net/

    Raporti për Kosovën, DASH përmend ushtrimin e presionit dhe frikësimin e serbëve në veri nga ana e Listës Serbe

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!