×
  • Lajme
  • Botë / Botë

    Mund të nevojiten 14 vjet për ta pastruar Gazën nga mbeturinat, thotë një zyrtar i OKB-së

    Reporteri
    26 Prill 2024 | 13:27

    Mund të nevojiten rreth 14 vjet për ta pastruar Rripin e Gazës nga mbeturinat, përfshirë mjetet e pashpërthyera, që janë lënë nga lufta shkatërruese e Izraelit, tha të premten një zyrtar i Kombeve të Bashkuara.

    Lufta tokësore dhe ajrore e Izraelit kundër Hamasit – grupit të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet te Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – e ka rrënuar shumicën e territorit të vogël bregdetar me 2.3 milionë banorë, duke i lënë shumicën e civilëve të pastrehë, të uritur dhe të rrezikuar nga sëmundjet.

    Pehr Lodhammar, zyrtar i lartë i OKB-së për veprim kundër minave (UNMAS), tha të premten në Gjenevë se lufta e ka mbushur me 37 miliardë tonë mbeturina territorin e mbipopulluar palestinez.

    Ai tha se, edhe pse nuk është e mundur të dihet numri i saktë i mjeteve të pashpërthyera në Gazë, është parashikuar se mund të nevojiten 14 vjet sipas kushteve të caktuara për t’i hequr mbeturinat, përfshirë dhe gërmadhat e ndërtesave të rrënuara.

    “Ne e dimë se ekziston një shkallë e dështimit prej 10 për qind të municioneve tokësore që po shkrepen dhe nuk po shpërthejnë”, tha ai.

    “Po flasim për rreth 14 vjet punë me 100 traktorë”, shtoi ai.

    Lufta e Izraelit në Gazë kundër Hamasit nisi pasi pjesëtarët e këtij grupi i vranë rreth 1.200 njerëz, kryesisht civilë, dhe i rrëmbyen rreth 250 të tjerë gjatë atij sulmi në jug të Izraelit.

    Më shumë se 34.000 palestinezë janë vrarë, prej të cilëve dy e treta fëmijë dhe gra, si pasojë e luftës izraelite në Gazë prej atëherë, sipas zyrtarëve shëndetësorë palestinezë./Radio Evropa e Lirë

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!