×
  • Lajme
  • Lajme / Agresioni ndaj Kosovës

    Ministri Maqedonci në ministerialin në Budapest: Përgjegjësit e sulmit terrorist në Banjskë janë ende të lirë dhe të pandëshkuar

    Reporteri
    26 Prill 2024 | 12:11

    Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka marrë pjesë në ministerialin e Bashkëpunimit të Mbrojtjes së Evropës Qendrore (Central European Defense Cooperation, CEDC) dhe vendeve partnere të Ballkanit Perëndimor (ËB), që u zhvillua në Budapest të Hungarisë.

    Ai tha se aty ka rikonfirmuar orientimin strategjik të Kosovës për anëtarësim në BE dhe NATO.

    “Kërkova përkrahjen e vendeve pjesëmarrëse në këtë format për realizimin e këtyre aspiratave të vendit tonë për të mundësuar kontribut tonë më të madh për paqen dhe sigurinë në rajon dhe në botë”.

    Maqedonci edhe këtu ka përmendur faktin se përgjegjësit e sulmit terrorist të Banjkës janë ende të lirë.

    “Gjithashtu ritheksova faktin që përgjegjësit e sulmit terrorist të 24 Shtatorit në Banjskë të Zubin Potokut vazhdojnë të jenë të lirë dhe të pandëshkuar për aktin e kryer”.

    Maqedonci ka folur edhe për Ukrainën dhe ndihmën që Kosova i ka dhënë asaj bazuar në kapacitetet që ka.

    “Në adresimin tim ritheksova gjithashtu rëndësinë e mbështetjes së Ukrainës në luftën e saj të drejtë për ruajtjen e sovranitetit dhe mbrojtjen e integritetit territorial, ndërsa njëkohësisht i informova të pranishmit për kontributin e vendit në mbështetje të Ukrainës, konform kapaciteteve dhe resurseve të vendit tonë”.

    Kujtojmë se më 24 shtator të vitit të kaluar, një pjesëtar i Policisë së Kosovës mbeti i vrarë kur persona të armatosur, rreth 30 sosh, sulmuan njësitet policore në fshatin Banjskë – zonë e banuar me shumicë serbe në veri të vendit.

    Policia e Kosovës pasi mori nën kontroll Manastirin në fshatin Banjskë gjeti një sasi të madhe armatimi dhe mjetesh ushtarake, në mesin e tyre edhe automjete me mbishkrimin KFOR.

    Përgjegjësinë për organizimin e grupit të armatosur e pati marrë Milan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve të Kosovës. Ai u lirua nga Gjykata e Lartë e Serbisë, një ditë pasi u ndalua nën dyshimet se ka kryer një sërë veprash – përfshirë trafikim armësh dhe krime kundër sigurisë së përgjithshme.

    Radoiçiq, ndodhet tashmë në sistemin e organizatës më të madhe ndërkombëtare të policisë, INTERPOL për urdhërarrest. /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!