Mbrojtja e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ka kritikuar ashpër teorinë e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) në rastin ku ai dhe të akuzuarit e tjerë përballen me akuza për vepra që lidhen me pengimin e drejtësisë.
Gjatë parashtrimeve të saj, avokatja Sophie Menegon e ka cilësuar si “marrëzi nga pikëpamja ligjore” teorinë e ZPS-së për përgjegjësinë penale, duke argumentuar se Prokuroria nuk ka paraqitur jurisprudencë apo prova konkrete që do ta mbështesnin këtë teori.
“Teoria e ZPS-së e kontaktimit është edhe më e paqartë kur kombinohet me format e tjera të përgjegjësisë penale. ZPS-ja argumenton se të akuzuarit akuzohen për pajtim se kanë tentuar ose janë nxitur të tentojnë. Kjo është një marrëzi nga pikëpamja ligjore”, ka thënë Menegon.
Ajo ka argumentuar se për të dënuar një person për një vepër penale duhet të ekzistojë edhe një veprim konkret që e mbështet atë vepër.
Sipas Menegon, ZPS-ja nuk ka sjellë asnjë rast nga jurisprudenca që do ta mbështeste konceptin e saj dhe nuk ka shpjeguar mjaftueshëm se ku bazohen provat për format e përgjegjësisë penale që pretendohen.
Mbrojtja ka ngritur pikëpyetje edhe për veprimet që ZPS-ja i lidh me vizitat në qendrën e paraburgimit, duke argumentuar se disa prej tyre kanë ndodhur para se të ekzistonte grupi apo marrëveshja e pretenduar.
“Çfarë i mungon ZPS-së janë pikërisht provat për veprimtari të tilla. ZPS-ja përpiqet ta anashkalojë këtë duke përmendur disa veprime që kanë ndodhur përpara vizitave, por nuk shpjegon se si kjo sjellje mund të jetë relevante për elementët të cilët duhen vërtetuar”, ka deklaruar ajo.
“Një sjellje përpara vizitave, si mund të jetë vepër penale e një grupi, i cili ende nuk ekzistonte në atë kohë? Si mund të jetë një akt i konsiderueshëm për zbatimin e një marrëveshjeje, një marrëveshje që nuk ishte formësuar ende?”, ka shtuar Menegon.
Ajo ka kundërshtuar edhe përpjekjet e ZPS-së për t’i lidhur mesazhet dhe takimet pas vizitave në paraburgim me një komplot të pretenduar për ndikim te dëshmitarët.
Sipas mbrojtjes, nuk ekziston provë që i lidh këto komunikime apo takime me teorinë e Prokurorisë për ndikim ndaj dëshmitarëve.
Një pjesë e rëndësishme e argumentimit të mbrojtjes është fokusuar edhe te incizimet e fshehta të bëra në qendrën e paraburgimit dhe transkriptet e tyre.
Menegon ka vënë në pikëpyetje besueshmërinë e këtyre materialeve, duke argumentuar se regjistrimet janë bërë në kushte që e kanë vështirësuar ndjeshëm identifikimin dhe transkriptimin e saktë të bisedave.
Sipas saj, personat e regjistruar nuk e dinin se po incizoheshin, kanë folur njëkohësisht, kanë qenë larg mikrofonave dhe në prapavijë ka pasur zhurmë.
“Folësit nuk e dinin që po regjistroheshin, dhe kanë folur ose njëkohësisht, ose njëri pas tjetrit. Ishin shumë larg mikrofonave të fshehtë, ka shumë zhurmë në sfond dhe audioja ka një cilësi shumë të dobët”, ka thënë Menegon.
Ajo është mbështetur edhe në ekspertizën e ekspertes së transkriptimit në fushën e kriminalistikës, Helen Fraser, sipas së cilës një pjesë e regjistrimeve është e padëgjueshme.
Menegon ka theksuar se ZPS-ja e ka kundërshtuar këtë vlerësim, por, sipas saj, nuk ka paraqitur ekspertizë tjetër për ta kundërshtuar atë.
“Transkriptet që ka përgatitur vetë ZPS-ja kanë me mijëra herë fjalën ‘të padëgjueshme’. Iu desh ZPS-së më shumë se dy vjet e gjysmë të transkriptonte këtë audio. E ka rishikuar disa herë punën e vet. Kjo tregon që vetë ZPS-ja nuk ishte e sigurt në fjalët që kishte shkruar në transkript”, ka deklaruar avokatja.
Mbrojtja ka ngritur kështu pikëpyetje mbi besueshmërinë e provave audio dhe mënyrën se si ato mund të përdoren për të nxjerrë përfundime faktike në rastin ndaj Thaçit dhe të tjerëve.