Gjermania të martën bëri thirrje për armëpushim të menjëhershëm mes Armenisë dhe Azerbajxhanit pas përleshjeve më të ashpra mes këtyre vendeve në vitet e fundit.
Kancelarja gjermane, Angela Merkel, vendi i së cilës e mban presidencën e përkohshme të Bashkimit Evropian, ka folur në telefon me presidentët e Azerbajxhanit dhe Armenisë rreth konfliktit dhe ka bërë thirrje për një zgjidhje paqësore, tha zëdhënësi i qeverisë gjermane.
“Kancerlarja e ka nënvizuar nevojën urgjente për një armëpushim të menjëhershëm dhe kthim në tavolinën e bisedimeve”, tha zëdhënësi Steffen Seibert, duke shtuar se gjermani i përkrah përpjekjet diplomatike të Grupit të Minskut, të formuar nga OSBE-ja.
Marrëdhëniet mes Azerbajxhanit dhe Armenisë kanë qenë të tensionuara që nga viti 1991, kur ushtria armene e kishte pushtuar rajonin Nagorno-Karabakut, i cili nga komuniteti ndërkombëtar ende njihet zyrtarisht si pjesë e territorit të Azerbajxhanit.
Konflikti mes dy vendeve të Kaukazit u tensionua të dielën, kur palët filluan ta sulmojnë njëra-tjetrën me artileri të rëndë, me ç’rast pati viktima në mesin e trupave ushtarake por edhe në mesin e civilëve.