×
  • Lajme
  • Lajme / Hetimet

    Problemet me SPAK-un, Rama heq Erion Veliajn nga fotoja me Ali Ahmetin

    Reporteri
    02 Maj 2024 | 23:12

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka hequr nga fotografia kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliajn, e cila ishte shkrepur pasi Ali Ahmeti u shpall qytetar nderi i kryeqytetit shqiptar.

    Heqja e Veliajt nga fotografia është bërë vetëm dy ditë pasi kryetari i Bashkisë së Tiranës u intervistua nga Prokuroria e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar – SPAK.

    Ndërkaq, në postimin e Erion Veliajt shihet fotografia e plotë e të njëjtit moment.

    Rreth orës 09:00 të së martës, Veliaj ishte paraqit në ambientet e SPAK me një dosje në dorë dhe kur doli pas dëshmisë, deklaroi para gazetarëve se kishte shkuar si ‘bashkëpunëtor’, pasi kishte kohë që e kishte kërkuar vetë një takim.

    Duke i quajtur hetuesit e SPAK si “dy kolegë hetues profesionistë dhe të disiplinuar”, Veliaj tha ndër të tjera se kishte patur një ezaurim total të çështjes së incineratorëve. Ai shtoi se ishin thënë edhe disa detaje të tjera, por u tregua i rezervuar me argumentin se për shkak të sekretit hetimor i ishte “kërkuar dashamirësisht që të mos i ndante me gazetarët”.

    I pyetur nga BIRN mbi cilësinë e marrjes në pyetje, kreu i SPAK, Altin Dumani dha një version tjetër të paraqitjes së Veliajt në Prokurorinë e Posaçme.

    “I është dërguar fletë-thirrje të mërkurën e javës së kaluar për t’u pyetur në cilësinë e deklaruesit si person që ka dijeni mbi rrethanat e çështjes së inceneratorit të Tiranës,” tha Dumani.

    Projekti koncesionar për inceneratorin e Tiranës u ka kushtuar taksapaguesve shqiptarë rreth 100 milionë euro – ndonëse punët mbetën përgjysmë dhe inceneratori nuk u ndërtua asnjëherë.

    Në dhjetor të vitit të kaluar, Gjykata e Posaçme caktoi 15 masa sigurie për zyrtarë dhe biznesmenë të përfshirë në këtë aferë, mes të cilëve edhe ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka, ish- deputeti socialist, Alqi Bllako dhe drejtori i Punëve Publike në Bashkinë e Tiranës, Taulant Tusha.

    Në gusht të vitit 2023, SPAK urdhëroi sekuestrimin e kompanisë së inceneratorit të Tiranës duke argumentuar se hetimet paraprake kishin nxjerrë pronarë fundorë të zinxhirit të maskuar në Holandë, biznesmenët Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, të cilët ishin në kërkim ndërkombëtar për korrupsion aktiv dhe pastrim parash për dy incineratorët e tjerë, Elbasanin dhe Fierin.

    Sipas hetimeve të kryera nga SPAK, projekti koncesionar i trajtimit të mbetjeve në Tiranë mori jetë pasi kryebashkiaku Veliaj i dërgoi qeverisë në janar të vitit 2016 një studim fizibiliteti të IFC-së për zgjerimin e “landfillit” të Sharrës bashkë me propozimin për mundësinë e përfshirjes së sektorit privat në fushën e menaxhimit dhe trajtimit të mbetjeve urbane në kryeqytet.

    Projekti u udhëhoq më pas nga Ministria e Mjedisit, ku u përfshinë edhe dy biznesmenët Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto përmes një oferte të pakërkuar.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!