×
  • Lajme
  • Lajme

    Escobar: Për euro-integrim, Kosova duhet t’u japë më shumë autonomi serbëve në veri

    Reporteri
    07 Qershor 2023 | 17:07
    Zv/ndihmës sekretari amerikan i Shtetit, Gabriel Escobar

    Kosova duhet t’u japë autonomi më të madhe komunave me shumicë serbe në veri të vendit nëse dëshiron t’i afrohet anëtarësimit në NATO dhe Bashkimin Evropian. Kështu tha të mërkurën i dërguari i SHBA-së në Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

    Escobar i kërkoi Kosovës që të tërhiqte policinë dhe kryetarët e komunave nga zyrat e tyre si rrugë për të de-përshkallëzuar tensionet dhe më pas për të mbajtur zgjedhje të reja, në të cilat duhet të marrin pjesë edhe serbët, raporton Reuters, përcjell gazeta online Reporteri.net.

    Gjatë vizitës së tij në Serbi, emisari amerikan Escobar u tha gazetarëve në ambasadën e ShBA-së në Beograd se Kosova duhet me patjetër ta themelojë Asociacionin nëse do të integrohet në strukturat euro-atlantike.

    “Nëse Kosova dëshiron të shkojë drejt integrimit euroatlantik, do të duhet ta themelojë [Asociacionin]”.

    “Kjo do të ndodh. Pyetja është, a do të ndodh me këtë qeveri (të Kosovës) apo me një qeveri tjetër, të ardhshme”.

    Serbia, e cila përkrah rreth 50,000 serbë në Kosovën veriore si financiarisht ashtu edhe politikisht, do të duhet të sigurojë që serbët e këtij rajoni të marrin pjesë në zgjedhjet e reja, shtoi Escobar.

    Serbët në veri të Kosovës u larguan nga institucionet e vendit dhjetorin e kaluar. Ata duan autonomi më të madhe, sipas dispozitave të një marrëveshjeje të 2013 të sponsorizuar nga BE, e cila parashikonte formimin e një Asociacioni të Komunave Serbe.

    Kryeministri Albin Kurti heziton të zbatojë marrëveshjen, shkruan tutje Reuters, sepse ka frikë se nëse u jepet më shumë autonomi, serbët mund të mbajnë një referendum për t’u bashkuar me Serbinë në vend që të qëndrojnë si pjesë e Kosovës. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!