×
  • Lajme
  • Lajme / Veri

    Pas dështimit të referendumit, sot mbahet seanca e parë në objektin e komunës së Zubin Potokut

    Reporteri
    26 Prill 2024 | 8:54

    Sot do të mbahet një seancë e rregullt e Kuvendit Komunal të Zubin Potokut.

    Kjo është seanca e parë që mbahet në objektin e komunës që pas zgjedhjeve të 23 prillit të vitit të kaluar.

    Këtë e konfirmoi mbrëmë në televizionin publik, edhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    Kujtojmë se të dielën ka dështuar procesi i votimit për shkarkim ose jo të kryetarëve shqiptarë në katër komunat në veri të Kosovës. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), njoftoi se nisma për shkarkimin e kryetarëve të komunave veriore në Kosovë, ka dështuar, pasi në këtë proces nuk kanë marrë pjesë 50 për qind plus 1 e votuesve.

    Serbët lokal të Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Zubin Potokut e Leposaviqit, bojkotuan procesin e djeshëm të votimit, pas thirrjeve që bëri ditë Lista Serbe për bojkot të këtij procesi.

    Si pasojë e dështimit të procesit të 21 prillit, kryetarët shqiptarë e kanë siguruar edhe një vit në krye të komunave, pasi një proces i njëjtë nuk do të mund të zhvillohet në 12 muajt e ardhshëm.

    Dështon përpjekja për largimin e kryetarëve të komunave në veri

    Zgjedhjet e prillit të vitit 2023 janë organizuar pas dorëheqjeve të serbëve nga institucionet e Kosovës.

    Ato i fituan dy kandidatë të Lëvizjes Vetëvendosje – Erden Atiq në Mitrovicë të Veriut dhe Lulzim Hetemi në Leposaviq – dhe dy të Partisë Demokratike të Kosovës – Izmir Zeqiri në Zubin Potok dhe Ilir Peci në Zveçan.

    Hyrja e kryetarëve shqiptarë në ndërtesat komunale është përcjellë me tensione të mëdha në maj të vitit të kaluar.

    Si pasojë e situatës së krijuar të plagosur mbetën disa pjesëtarë të KFOR-it. BE-ja pati vënë masa ndëshkuese ndaj Kosovës, me arsyetimin se nuk ka bërë mjaftueshëm për shtensionim të situatës në veri të Kosovës, në maj të vitit 2023. /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!