×
  • Lajme
  • Raporto
  • Lajme / DOKUMENT

    Skica e prokurorisë: Kështu e rrethuan forcat serbe familjen Jashari

    Reporteri
    04 Shtator 2026 | 17:42

    Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, në aktakuzën ndaj 35 ish-zyrtarëve dhe komandantëve të lartë serbë për krime lufte në Prekaz, ka përshkruar në detaje mënyrën se si ishte planifikuar dhe organizuar rrethimi i lagjes Jasharaj para sulmit të 5 marsit 1998.

    Sipas aktakuzës së siguruar nga Gazeta Online Reporteri.net, gjatë muajve të parë të vitit 1998, lagjja Jasharaj në Prekazin e Poshtëm ishte vënë nën vëzhgim dhe kontroll të vazhdueshëm nga Njësia për Operacione Speciale e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë.

    Kjo njësi, sipas Prokurorisë, udhëhiqej nga Milorad Ulemek, i njohur me nofkën “Legia”, i cili gjatë kësaj periudhe ishte i pranishëm në Prekaz dhe drejtonte veprimet e njësisë së tij.

    Në vëzhgimin dhe përgatitjen e operacionit kishte marrë pjesë edhe Njësia e Posaçme e Policisë, përkatësisht Kompania e Mitrovicës.

    Sipas aktakuzës, forcat serbe ishin vendosur në kompleksin e Fabrikës së Municionit në Skenderaj, në një objekt të njohur si “Villa”.

    Prej aty, lagjja Jasharaj monitorohej vazhdimisht, ndërsa për vëzhgim përdoreshin edhe kamera të vendosura në një rezervuar uji të Fabrikës së Municionit, rreth 50 metra mbi tokë.

    Kamerat, sipas Prokurorisë, regjistronin lagjen 24 orë në ditë, shtatë ditë në javë, duke u mundësuar forcave serbe të kontrollonin lëvizjet e banorëve.

    Më 3 mars nisi përforcimi i forcave

    Pas një periudhe të gjatë vëzhgimi dhe mbledhjeje të të dhënave, më 3 mars 1998 kishte nisur përforcimi i kapaciteteve për sulmin.

    Në Fabrikën e Municionit u shtua numri i pjesëtarëve të njësive të angazhuara, ndërsa u sollën mjete dhe armatim i rëndë.

    Aktakuza përmend autoblinda të pajisura me mitralozë, tanke, minahedhës, armë kundërajrore dhe mjete të tjera luftarake.

    Përforcimi vazhdoi edhe gjatë mbrëmjes së 4 marsit, kur në Fabrikën e Municionit u sollën mjete të tjera luftarake, përfshirë autoblinda, mjete me topa 20-milimetërsh, mitralozë të kalibrit 12.6 milimetra, minahedhës të kalibrave të ndryshëm dhe dy tanke ushtarake të transportuara nga Mitrovica.

    Më 4 mars u formua shtabi për sulmin

    Po atë ditë, në objektin “Villa”, ishte formuar shtabi për realizimin e sulmit.

    Sipas aktakuzës, ai udhëhiqej dhe koordinohej nga Goran Radosavljević, i njohur me nofkën “Guri”.

    Në shtab, sipas Prokurorisë, ishin përcaktuar detyrat konkrete për secilën prej njësive që do të merrnin pjesë në operacion.

    Njësisë për Operacione Speciale nën komandën e Milorad Ulemekut iu caktua sulmi ndaj shtëpive të familjes së Shaban Jasharit.

    Ndërkaq, pozicioni i njohur si “Bunkeri” iu caktua Njësisë Speciale Antiterroriste nga Novi Sadi.

    Pjesa tjetër e lagjes, duke nisur nga rruga në drejtim të Skenderajt, ishte planifikuar të sulmohej nga njësitë speciale antiterroriste nga Beogradi dhe Prishtina.

    Prekazi u rrethua me “rreth të hekurt”

    Në planin e operacionit ishte përfshirë edhe Njësia e Posaçme e Policisë, me pjesëtarë nga njësi të ndryshme policore.

    Sipas aktakuzës, këto forca kishin formuar atë që Prokuroria e përshkruan si “rrethin e hekurt”, me qëllim që të pamundësonin hyrjet dhe daljet nga Prekazi i Poshtëm, përkatësisht nga lagjja Jasharaj.

    Forcat ishin pozicionuar në pika të ndryshme dhe, sipas aktakuzës, njëkohësisht do të sulmonin lagjen nga pozicionet e tyre.

    Sulmi nisi në orën 6 të mëngjesit

    Më 5 mars 1998, rreth orës 6 të mëngjesit, forcat policore serbe nisën sulmin pa paralajmërim paraprak.

    Sipas aktakuzës, sulmi filloi nga drejtimi i Fabrikës së Municionit dhe më pas u zgjerua nga pozicionet e tjera ku ishin vendosur forcat.

    Në fazën fillestare u përdorën armë të kalibrit të rëndë, përfshirë armë kundërajrore, mjete të blinduara dhe tanke.

    Prokuroria pretendon se granatimi ishte drejtuar edhe ndaj objekteve civile që nuk përbënin objektiva ushtarake.

    Sipas aktakuzës, vetëm pas fillimit të sulmit një numër i kufizuar pjesëtarësh të UÇK-së, të armatosur me armë të lehta, kishin bërë rezistencë të armatosur.

    Megjithatë, forcat serbe vazhduan sulmin në zonën ku ndodheshin një numër i madh civilësh.

    Prokuroria pretendon se gjatë sulmit u vranë civilë, u shkatërruan shtëpi dhe objekte civile dhe se veprimet përbëjnë shkelje të rënda të së drejtës ndërkombëtare humanitare.

    Aktakuza më pas përshkruan në mënyrë të detajuar vrasjet e civilëve më 5, 6 dhe 7 mars, përfshirë anëtarë të familjes Jashari dhe civilë të tjerë që ndodheshin në lagje./Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!