×
  • Lajme
  • Lajme / Foto

    U kërcënua se mbështeti Kosovën në KiE, i ofrohet mbrojtje policore deputetit boshnjak

    Reporteri
    24 Prill 2024 | 8:12

    Policia e Bosnje dhe Hercegovinës, i ka ndarë mbrojtje të afërt deputetit, Sasha Magazinoviq, i cili si përfaqësues i shtetit të tij në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, votoi pro anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë kur më 16 prill, Asambleja me shumicë votash aprovoi raportin e raportueses, Dora Bakoyannis.

    Mbrojtja e afërt Magazinoviqit i është ofruar pas një numri të madh të kërcënimeve që i mori përfshirë ato me jetë, dhe kjo mu për shkak të votës së tij për Kosovën në KiE.

    Këto kërcënime i ka publikuar Magazinoviq në llogarinë e tij në X.

    Shumica e deputetëve të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës më 16 prill mbështetën raportin që rekomandon anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë me seli në Strasburg.

    Për votuan 131 deputetë, kundër ishin 29, kurse 11 abstenuan.

    Votimit i parapriu një debat që zgjati më shumë se dy orë. Shumica e deputetëve që morën fjalën e mbështetën anëtarësimin e Kosovës.

    Çështja tashmë kalon në duart e ministrave të Jashtëm të Këshillit të Evropës, të cilët duhet të vendosin përfundimisht nëse Kosova do të bëhet anëtarja më e re e organizatës.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!