×
  • Lajme
  • Shqipëria / Sezoni veror

    Ngriten çmimet e paketave turistike në Shqipëri, operatorët fajin ia lënë kursit të euros

    Reporteri
    05 Maj 2024 | 19:39

    Paketat turistike për këtë sezon veror pritet të jenë më të shtrenjta krahasuar me vitin e shkuar.

    Kjo vjen si rezultat i zhvlerësimit të euros, por dhe rritjes së vazhdueshme të çmimeve të produkteve bazë.

    “Ky është një moment shumë i sforcuar nga ana jonë, sepse ne nuk duam të rrisim çmimet. Ne duam të jemi gjithmonë konkurrues në rajon, por kursi i euros na ka bërë një shtrëngesë në pjesën e çmimeve, sepse nuk është pak, është gati 20% humbje, vetëm nga kursi i euros. Kështu që në njëfarë mënyre ka një përqindje rritje shumë të vogël, që është gati e pandjeshme për paketat turistike”, thotë Eduard Xhepa, kryetari i Hoteleri Turizmit.

    Kjo rritje e domosdoshme, sipas kryetarit të sektorit të turizmit, nuk pritet të ndikojë në punën e strukturave turistike, të cilët gjithnjë e më shumë po shohin shtim të numrit të turistëve elitarë.

    “Turistët e këtij sezoni dhe të sezoneve të shkuara janë kryesisht turistë që vijnë të organizuar në grupe me paketa të mbyllura, por ka shumë dhe po shtohet edhe më shumë numri i turistëve elitarë, të cilët vijnë në grupe të vogla individuale, familjare”, shprehet ai.

    Operatorët kanë disa kërkesa për pushtetin lokal.

    “Pastërtia është e para dhe ajo që ne shikojmë, është që duhet patjetër të shtohet numri i sinjalistikave dhe informacionit turistik dhe duhet patjetër të merren masa për të sistemuar trafikun dhe parkimet”, thotë Xhepa.

    Këto i konstatojnë edhe vendasit, të cilët apelojnë për marrjen e disa masave.

    Durrësi aktualisht ofron në total 168 hotele, me 4859 dhoma dhe 11,528 shtretër, ku gati 70% e tyre janë tashmë të prenotuar për stinën e verës./Euronews Albania

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!