×
  • Lajme
  • Lajme / Ish-presidenti i Sllovenisë

    Pahor: Po përgatitem me kujdes, këtë javë do ta dorëzojë kandidaturën që të jem emisar i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi

    Reporteri
    05 Maj 2024 | 22:24

    Ish-presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, ka shpallur kandidaturën e tij që të jetë emisar i Bashkimit Evropian (BE), për dialogun Kosovë-Serbi.

    Pahor ka deklaruar se se duhet bërë diçka që dialogu Kosovë-Serbi i ndërmjetësuar nga BE-ja të aktivizohet, pasi shton se ka ngecur.

    “Po përgatitem me shumë kujdes dhe përgjegjësi, ndoshta këtë javë kandidatura ime do të paraqitet në Bruksel, në të cilën do të shpjegoj arsyet pse ndihem i përshtatshëm për ta zgjidhur këtë çështje. E fundit, por jo më pak e rëndësishme, Sllovenia, ashtu si unë, më duket mua, ka statusin e një ndërmjetësi të ndershëm, përvojë të pasur në këtë rajon dhe, natyrisht, gjithashtu një sërë idesh se si të rifreskohet ose ringjallet ky dialog i ngecur. Në përgjithësi, situata e sigurisë dhe politike në rajon është shumë shqetësuese”, ka thënë ai gjatë një interviste për RTV Slovenia, shkruan Reporteri.net.

    Sllovenia është një nga shtetet të cilat e kanë njohur Kosovën – si e tillë shpesh ka marrë kritika nga Beogradi zyrtar, madje presidenti serb Aleksandër Vuçiq i kishte quajtur sllovenët “të neveritshëm”, më pas kishte kërkuar falje duke thënë se fjalën e kishte për politikanët sllovenë.

    Pahor thotë se ka frikë që ky është vetëm fillimi i deklarimeve të tilla nga Serbia.

    “Kam frikë se ky është vetëm fillimi dhe se po hyjmë në një periudhë kur, për fat të keq, do të duhet të mësohemi shumë shpesh me deklarata të tilla të vrazhda dhe të papërshtatshme”, ka thënë ai.

    Kujtojmë se Presidenca sllovene ka deklaruar se mbështet përpjekjet e Borut Pahor për t’u bërë i dërguari i ardhshëm i BE-së në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Kështu është thënë për agjencinë e lajmeve STA nga kabineti i presidentes sllovene Natasha Pirc. /Reporteri.net/.

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!