Ekrem Hyseni është zgjedhur kryetar i ri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, dega në Podujevë.
Në kuvendin e jashtëzakonshëm të kësaj partie të mbajtur sot, Hyseni ka marrë pëlqimin e delegatëve që ta udhëheq degën e kësaj partie në Podujevë.
I pranishëm në kuvendin zgjedhor nuk është ish-kryetari i degës, Agim Veliu, i cili para pak minutash përmes një postimi në Facebook tha se nuk do të marrë pjesë, pasi që sipas tij, në këtë kuvend po tentohet të kontrabandohet kryetari i ri.
Veliu me anë të një postimi në Facebook ka thënë se Abdixhiku po shkel mbi statutin e partisë dhe po do ta shkatërrojë degën e LDK-së në Podujevë.
Sipas tij, përmes këtij Kuvendi po synohet që të zgjedhet një kryetar i ri, siç e quan ai në formë të “kontrabanduar”.
“Ata që vitin e kaluar i dhanë goditjen e parë degës së LDK-së në Podujevë, duke e zhveshur nga kompetenca kryetarin dhe kryesinë e degës, po vazhdojnë misionin e tyre të shkatërrimit të degës.
Të njëjtit, në krye me kryetarin e partisë Lumir Abdixhiku, sërish duke shkelur mbi statutin e LDK-së, qenkan mobilizuar gjatë natës dhe në mënyrë klandestine paskan thirrur një Kuvend të jashtëzakonshëm të degës në Podujevë.
Duke qenë se kuvendi i sotëm është kundërstatutar dhe i paligjshëm, të dashur veprimtarë dhe anëtarë të LDK-së, ju njoftoj se nuk do të marr pjesë në një farsë të tillë, ku do të tentohet të kontrabandohet një kryetar i ri, që nuk është as pjesë e strukturave të degës sonë.
Kjo që po bën Abdixhiku, me misionarët anti LDK të mbledhur rreth vetes, nuk është asgjë tjetër veçse një proces i shkatërrimit të degës në Podujevë, bastionit të fundit të LDK-së”, ka shkruar Veliu.