×
  • Lajme
  • Lajme

    EKSKLUZIVE: Në Hagë janë dorëzuar dy aktakuza për Gjykatë Speciale, para 10 ditëve

    Reporteri
    24 Shkurt 2020 | 19:02

    Prokurori i Specializuar i Hagës, ka kërkuar caktimin e gjyqtarëve, për shqyrtimin e dy rasteve/aktakuzave të përgatitura ndaj ish-pjesëtarëve të UCK-së nga kjo prokurori. Dhomat e Specializuara tashmë kanë caktuar një gjyqtar për procedurë paraprake. Të dyja këto zhvillime ndodhen para 10 ditësh në Hagë, por deri më sot u klasifikuan si konfidenciale.


    Dy aktakuza për krime lufte janë gati nga Prokuroria e Specializuar në Hagë, e të ashtuquajturës Gjykatë Speciale, shkruan Gazeta Online “Reporteri.net”.

    Kryetari i ZPS-së, amerikani Jack Smith, më 14 shkurt të këtij viti, përmes një vendimi, ka kërkuar nga Kryetarja e Dhomave të Specializuara Ekaterina Trendafilova t’i caktojë gjyqtarët, për dy lëndë të hartuara nga zyra e tij.

    Aktakuzat në fjalë konsiderohen të ngritura vetëm pasi të njëjtat janë konfirmuar nga gjyqtari i procedurës paraprake i të ashtuquajturës Gjykatë Speciale, i cili u caktua të njëjtin ditë kur ZPS-ja bëri kërkesën.

    Menjëherë pas caktimit të gjyqtarit paraprak, ky i fundit nxori vendim që procedura të konsiderohet konfidenciale nga Haga, deri më sot, kur u riklasifikuan si publike.

    Derisa edhe informacionet e mëtejme rreth këtyre aktakuzave, sikurse emrat e të akuzuarve dhe rastet në fjalë, vazhdojnë të konsiderohen konfidenciale, deri në momentin e konfirmimit të tyre, nga gjyqtari paraprak i caktuar për shqyrtimin e këtyre lëndëve, Nicolas Guillou.

    Për këto është nxjerrur edhe nga një vendim, për secilën lëndë. Vendimet i ka siguruar Gazeta Online “Reporteri.net”.

    “Më 14 shkurt 2020, Prokurori i Specializuar njoftoi Presidentin në përputhje me Rregulloren 86 (1) të Rregullores së procedurave që do të fillonte në përputhje me nenin 38 (4) të Ligjit dhe Rregulloren 86 (2) të Rregullave, dhe kërkoi caktimin e një gjykatësi paraprak në përputhje me nenin 33 (1) (a) të Ligjit”, thuhet në të dy vendimet që mbajnë numra të ndryshëm protokolli, por që nga përmbajtja dhe nënshkruesit e tyre janë krejtësisht të njëjta.

    “Presidenti cakton gjyqtarin e procedurës paraprake, pasi të ketë marrë parasysh kriteret e përcaktuara në Rregulloren 4 (2) të Rregullave të Caktimit, në veçanti përvojën dhe ekspertizën përkatëse, si dhe disponueshmërinë në këtë kohë”, thonë vendimet e gjyqtarit paraprak Nicolas Guillou, të datës 14 shkurtë 2020, të nënshkruara edhe nga kryetarja e DHPS-së, hungarezja Trendefilova.

    Përkundër, se kërkesat, sikurse edhe vendimet e lartë cekura janë nxjerrë para 10 ditësh, vetë Zyra e Prokurorit të Specializuara në Hagë, e bëri publike njoftimin tek sot, më 24 shkurt 2020, përmes një kumtese për media.

    “Prokurori i Specializuar ka njoftuar Kryetaren e Dhomave të Specializuara të Kosovës se ka ndërmend të fillojë procedime penale para Dhomave të Specializuara dhe ka bërë kërkesë për caktimin e një gjykatësi të procedurës paraprake në pajtim me Ligjin”, thotë njoftimi i sotëm i ZPS-së.

    “Në lidhje me këtë, Kryetarja ka caktuar një gjykatës të procedurës paraprake në pajtim me Ligjin dhe Rregulloren për Caktimin e Gjykatësve të Dhomave të Specializuara nga Regjistri i Gjykatësve Ndërkombëtarë për të shqyrtuar aktakuzat e dorëzuara nga Prokurori i Specializuar”, tregon kumtesa.

    Përmbajtja e aktakuzave mbetet konfidenciale, thuhet tutje, përveç nëse konfirmohet dhe deri sa të konfirmohet nga gjykatësi i procedurës paraprake.

    Madje, edhe këto dokumente të publikuara nga Gazeta Online “Reporteri.net” u klasifikuan si konfidenciale, deri më sot kur e ashtuquajtura Gjykatë Speciale i ka riklasifikuar si publike.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!