×
  • Lajme
  • Lajme

    Katrahura për sekretar në Ministri të Infrastrukturës që nuk u zgjidh as nga Policia – krejt çka ndodhi në MI në 3 ditët e fundit

    Reporteri
    03 Mars 2021 | 16:45

    Një katrahurë e re është krijuar në tri ditët e fundit në Ministrinë e Infrastrukturës, me shkarkim, ngarkim e sërish shkarkim të sekretarit të përgjithshëm Izedin Bytyqi, nga ana e ministrit Arban Abrashi. Për t’u nxjerrë Bytyqi nga ish-zyra e tij u kërkua ndërhyrja e Policisë, por që as këta nuk bënë zgjidhje, derisa sekretari i shkarkuar vetë u largua nga objekti i MI-së, në qendër të Prishtinës, pasi tha se e përfundoi orarin e punës. 


    Izedin Bytyqi nuk po e përballon lehtë shkarkimin nga detyra e sekretarit të Ministrisë së Infrastrukturës, që ia bëri për herë të dytë ministri Arban Abrashi, përmes një vendimi me anë të të cilit edhe i inicioi procedurë për shkelje të rëndë disiplinore.

    Vetëm pak minuta pasi MI-ja njoftoi sërish largimin e tij nga detyra, në këtë Ministri u panë pjesëtarë të Policisë. Kjo pasi Bytyqi refuzoi ta lirojë zyrën, shkruan Gazeta Online ‘Reporteri.net’.

    Por as Policia nuk arriti ta nxjerr nga aty sekretarin e afërt me Besnik Mustafen, djalin e kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa, bashkëpartiaku i të cilit e drejton këtë Ministri.

    “Unë jam sekretar i ligjshëm, të tjerat janë të paligjshme”, u tha sot Bytyqi gazetarëve, para objektit të MI-së, pasi u largua nga aty, siç pohoi ai me të përfunduar orarin e punës.

    “Jam ballafaqu me presione të ndryshme të grupit të interesit që e kanë shkatërruar Ministrinë e Infrastrukturës”, shtoi Bytyqi, përkundër se u shkarkua nga Ministri Abrashi pikërisht për shkakun e kthimit në punë të një të dënuari nga gjykata, e të cilit i ndalohen ushtrimi i funksioneve publike.

    “Bytyqi, gjatë muajit shkurt ka kthyer në punë si Udhëheqës të Departamentit të Prokurimit në MI, Nexhat Krasniqin, duke vepruar në kundërshtim me aktvendimin e plotfuqishëm të Gjykatës Supreme të Kosovës. Përmes këtij veprimi, Bytyqi bie ndesh edhe me zbatimin e parimit të ligjshmërisë dhe zbatimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, ka njoftuar MI-ja të mërkurën.

    Por, njoftimi i sotëm për shkarkimin e Bytyqit është i dyti i tillë që jepet brenda tre ditësh, shkruan Reporteri.net.

    Për të njëjtat arsyeje, Izedin Bytyqi, u shkarkua të hënën nga Ministri Abrashi, i cili në vend të tij emëroi Zymber Avdullahun si ushtrues detyre.

    Derisa, të martën, Bytyqin në punë e ktheu Ministria e Punëve të Brendshme, përmes një vendimi të çuditshëm që e nënshkroi Ministri Agim Veliu.

    Ky i fundit e cilësoi si të kundërligjshëm vendimin e bashkëpartiakut të tij, Arban Abrashit, derisa Abrashi ‘iu kundërpërgjigj’ menjëherë sot me vendim të ri për ta larguan Izedin Bytyqin nga MI-ja.

    Bytyqi si sekretar i MI-së u emërua gjatë kohës kur këtë Ministri në drejtim e kishte Lumir Abdixhiku, po ashtu nga LDK-ja.

    Sekretari i shkarkuar i MI-së, ishte akuzuar rëndë edhe nga një tjetër ish-ministre e LDK-së.

    Hykmete Bajrami, ish-Ministre e Financave, e implikoi atë në rastin e vjedhjes së 2 milionëshit në thesar, vjeshtën e vitit të shkuar. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!