×
  • Lajme
  • Lajme / Takimi trepalësh

    Takimi i dështuar për dinarin në Bruksel, Lajçak propozon një ‘dokument kompromisi’

    Reporteri
    25 Prill 2024 | 22:01

    Kosova dhe Serbia as sot nuk arritën marrëveshje për çështjen e dinarit. 

    Pas takimit trepalësh ndërmjetësi evropian, Mirosllav Lajçak përmes një postimi në platformën X ka njoftuar se ka dalë me një propozim të ri kompromisi për çështjen e dinarit, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    “Prita një takim nga Dialogu për të gjetur një zgjidhje për “çështjen e dinarit”. Ky takim u dha hapësirë të mjaftueshme palëve për të shpjeguar qëndrimet e tyre”, ka shkruar ai.

    Lajçaku tha se në fund të takimit ka propozuar një dokument që synon të përafrojë qëndrimet e palëve sa i përket “çështjes së dinarit”.

    “Takimi përfundoi duke paraqitur një dokument kompromisi në një përpjekje për të kapërcyer dallimet. Do të presë takimin e radhës pasi të pranojë së komentet konstruktive”.

    Pas takimit ka folur edhe kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi. Ai tha  pas rundit të ri të dialogut, se Serbia kishte “qëndrime shqetësuese” sa i përket çështjes së transferimit të mjeteve financiare në valutën dinar nga Serbia në Kosovë.

    Pas takimit me kryenegociatorin e Serbisë, Petar Petkoviq, Bislimi tha se tani ndërmjetësi evropian, Mirosllav Lajçak ka dalë me një propozim të ri rreth zgjidhjes së kësaj çështjeje.

    “Qëndrimi i palës serbe është që të gjitha strukturat ilegale të Serbisë duhet të financohen, të vazhdojnë të financohen deri në kohën kur të krijohet Asociacioni [i komunave me shumicë serbe], sepse sipas mendimit të tyre, qëllimi i Asociacionit nuk është që të sigurojë koordinim të mirë mes komunave, por të sigurojë legjitimizmin e pranisë së institucioneve serbe në Kosovë, që do t’i bënte ato institucione gjysmëserbe, por jo institucione të serbëve në Kosovë”, tha Bislimi.

    Kosova dhe Serbia kanë arritur dy marrëveshje për Asociacionin – më 2013 dhe 2015 – por, Prishtina ende nuk ka ndërmarrë hapa drejt themelimit të tij. Por, Qeveria e Kosovës është shprehur kundër një asociacioni njëetnik.

    Bislimi tha se sa i përket idesë së krijimit të një entiteti të ri biznesor në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, në mënyrë që ndihma financiare të shkojë te përfituesit, përmes konvertimit të Postës serbe, Serbia ka parë këtë ide si “ një lloj privatizim të postës” nga Kosova.

    “Sigurisht, të gjitha këto propozime ishin shumë destruktive, prandaj Lajçak do të dalë me një propozim të ri dhe ne do të duhet të japim mendimet tona për këtë propozim në shtatë ditët e ardhshme”, tha Bislimi për gazetarët pas takimit trepalësh.

    Takimi mes Bislimit dhe kryenegociatorit të Serbisë, Petar Petkoviq, ishte i pesti që zhvillojnë në Bruksel për çështjen e dinarit, përdorimi i të cilit u ndalua në Kosovë në shkurt.

    Për dallim nga takimet e mëparshme, i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian, Mirosllav Lajçak, nuk mbajti fillimisht takime të ndara me Bislimin dhe Petkoviqin, duke u futur drejtpërdrejt në

    Me rregulloren e re të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), euroja u caktua si valuta e vetme në Kosovë për kryerjen e pagesave me para të gatshme nga 1 shkurti. Hyrja në fuqi e kësaj rregulloreje ka zemëruar Serbinë, e cila përmes buxhetit të saj shtetëror u dërgon ndihmë financiare serbëve që jetojnë në Kosovë.

    Bashkësia ndërkombëtare i ka kërkuar Kosovës ta pezullojë rregulloren, në mënyrë që t’u jepet kohë qytetarëve që të përshtaten me praktikën e re.

    Por, Qeveria e Kosovës ka ngulur këmbë se fjala është për një vendim të pavarur të BQK-së e jo për vendim politik.

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!